Abuzimet 590 mijë USD, KLSH kërkoi shkarkimin e ministres së re

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar (në vitin 2016) kryeministrit Edi Rama, shkarkimin nga detyra të drejtoreshës së Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, znj. Ogerta Manastirlliu, e cila u emërua dje ministre e Shëndetësisë.
Ky propozim erdhi pas një kontrolli që zbuloi se drejtoresha Manastirlliu kishte shpenzuar rreth 795 mijë dollarë duke lidhur dy kontrata mirëmbajtjeje me kompani private shqiptare për disa aparatura mjekësore që ishin sjellë në Shqipëri në përdorim nga kompania “Siemens”.
Por audituesit kanë zbuluar se sipas kontratës fillestare të QSUT-së me “Siemens”, i takonte vetë QSUT-së të realizonte mirëmbajtjen.
Dokumentet kanë zbuluar se drejtoresha Manastirlliu i ka dhënë dritë jeshile, hapjes së një tenderi për mirëmbajtjen, duke nënkontraktuar dy kompani shqiptare në vlerën e 795 mijë dollarëve. Ndërsa dëmi neto i konstatuar nga KLSH-ja është në vlerën e 590 mijë dollarëve.
Ministrja e re e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka një CV të mbushur me skandale të rënda financiare, gjatë kohës që ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Njeriu, që tashmë do të drejtojë shëndetësinë shqiptare është akuzuar zyrtarisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për abuzime në tendera publikë, por edhe mashtrim financiar duke kryer pagesa fiktive për spitalet private nga buxheti i QSUT.

Pagesat fiktive për hemodializën

Vitin e kaluar një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjeti se Manastirliu ka bërë pagesa fiktive tek dy spitale private, ku QSUT kishte nënkontraktuar shërbimin e dializës.
“Nga auditimi konstatuam se nuk ekzistonte asnjë regjistër apo qoftë dhe ndonjë evidencë ku të evidentohej numri i pacientëve dhe të dhënat mbi gjendjen e tyre, e domosdoshme për të ndjekur nivelin e seancave të realizuara dhe faturimin e shërbimit nga spitalet e kontraktuara”, denoncon KLSH.
Në vitin 2012 për shkak të mungesës së kapaciteteve në spitalin shtetëror, QSUT nënshkroi një kontratë me dy spitale private, Spitali Amerikan dhe Hygea, të cilët duhet të ofronin shërbimin e dializës për 166 pacientë. Deri në vitin 2013, spitalet private kanë ofruar shërbimin e dializës për 166 pacientë ashtu sikurse parashikohej në kontratën fillestare. Por pas këtij viti, kur në krye të QSUT erdhi Manastirliu numri i pacientëve është rritur me shpejtësi.
“Nga auditimi konstatohet se deri muajin maj 2014 janë trajtuar jashtë numrit të përcaktuar në kontrata dhe të pa miratuara gjithsej 166 pacientë ose në vlerë mesatare 24.178.232 lekë mbi vlerat aktuale të kontratave”, thotë KLSH.

Tenderi i mirëmbajtjes

Por ai i pagesave fiktive nuk është denoncimi i vetëm ndaj Manastirliut. Një tjetër skandal i denoncuar nga KLSH është dhe ai i tenderit për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore në QSUT të sjella nga kompania “Siemens”.
Sipas KLSH mirëmbajtja e aparaturave duhet të kryhej nga vetë QSUT, por në vend të kësaj Manastirliu e nënkontraktoi këtë shërbim tek një kompani private duke paguar rreth 800 mijë dollarë.
“Si rezultat i këtij veprimi/mosveprimi, QSUT rezulton të ketë shpenzuar fonde publike pa efektivitet deri në përfundim të auditimit në vlerën 59 milionë e 751 mijë lekë”, shkruhet në raportin e KLSH.
Institucioni më i lartë auditues fillimisht kërkoi ndjekje penale për Manastirliun, por më pas masa u ndryshua në kërkesë për largim nga puna drejtuar kryeministrit Edi Rama. Por në vend të shkarkimit, Rama po i beson Manastirliut një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, atë të shëndetësisë.

Video skandali dhe mashtrimi

E parë me skepticizëm nga komuniteti i mjekëve, si një njeri që kish profil menaxhereje dhe nuk e njihte fushën e tyre, Ogerta Manastirliu e mori detyrën duke shpallur publikisht një kredo: “Kthimin e besimit tek shërbimi publik”. Por një vit e gjysmë më pas drejtimi i saj u trondit ndjeshëm citon “Lapsi.al” në një profil për ministren e re. Në ditët e para të vitit 2015 në rrjetet sociale u publikua një video skandal kur dy djem të rinj abuzonin seksualisht me një vajzë të shtruar në spital. Ngjarja qe e rëndë. Ajo i nxirrte kallajin reformave të rilindjes që e kish shpallur prioritetin e prioriteteve shëndetësinë. Dhe “Lapsi.al” e hetoi atë deri në detaje. Por, e keqja nuk qe vetëm tek ngjarja, por edhe tek qëndrimi që drejtoresha e re mbajti për të. Në vend që me përunjësi të kërkonte të falur ajo gënjeu publikisht duke thënë se ngjarja ishte xhiruar gjatë kohës së qeverisjes Berisha. Pra, ajo mashtroi sipas modelit aq shumë të përhapur mes zyrtarëve të asaj kohe: të gjitha fajet i ka qeveria e shkuar. Në vend që të kërkonte ndjesë se si ishte e mundur që një paciente pa ndjenja mund të molestohej seksualisht, kur është shtruar për kurim, se si është e mundur që as rojet, as infermieret dhe askush nga personeli nuk kanë pikasur gjë, se si është çështja e sigurisë në spital dhe si duhet rregulluar ajo, kjo ish-punonjëse e bashkisë së Edi Ramës, rendi tek gazetarët për të thënë se kjo ngjarje kishte ndodhur në kohën e pushtetit të kaluar. Ajo rrëfeu para kamerave edhe mjediset e rilindura të pavijonit, si një provë të alibisë së saj. Dhe si për ta bërë ngjarjen më të besueshme ajo u shfaq përkrah njeriut që po zëvendëson sot, vetë ministrit të Shëndetësisë, i cili miratonte në heshtje ato që thoshte drejtoresha. Por, gënjeshtra nuk zgjati as 24 orë. Dëshmitë në polici të vetë të dëmtuarës dhe më tej të personit të parë të ndaluar, hodhën dritë mbi një të vërtetë tjetër. Ngjarja kishte ndodhur në shkurt të vitit 2014, pra në një kohë kur pushteti qendror ish instaluar prej muajsh, kur Ministria e Shëndetit të rilindjes ishte vënë në punë, dhe kur vetë Manastirliu kishte shkulur kioska e kish mbjellur pemë para spitalit, pa pasur fare haberin se çfarë ndodhte brenda mureve të tij.

Artikulli paraprakIsh-zv.ministri i Ramës i bashkohet protestës
Artikulli tjetërRoli i Fatmir Xhafës në kartelin e drogës