Një qytetar denoncoi një rast kur e njëjta pullë fiskale përdorej në paketa me sasi të ndryshme të të njëjtit ilaç. Ka rastisur shumë i vëmendshëm, por magazinat e ilaçeve në vend përveç që të shesin ilace që nuk shërojnë, më keq se ilaçet indiane dikur që u ndaluan të shiteshin në Shqipëri, të vjedhin me pullat fiskale të shtetit. “Përshëndetje Nisma! Doja të ndaja një shqetësim me ju në lidhje me një medikament antialergjik që shitet në farmacitë tona në Tiranë, i cili ka të bëjë me çmimin dhe jo me cilësinë. I njëjti ilaç, i cili quhet Telfast dhe të cilin e marr rregullisht ka një vlerë dyfish më të lartë në disa farmaci dhe aq më tepër çmimi është i afishuar në pullën fiskale! Më saktë një konfeksion me 10 tableta kushton njësoj me një konfeksion me 20 tableta! A ka ndonjë organ që i kontrollon këto çudira të cilat ndodhin në farmaci që janë 2 m larg njëra-tjetrës? Bashkëngjitur keni dhe fotot e ilaçeve me kutitë përkatëse, të cilat i kam blerë brenda javës në dy farmaci të ndryshme në Tiranë! Mirë cilësinë që nuk e kontrollojnë dot organet, por të paktën çmimin që është i dukshëm dyfish me atë realin! Faleminderit dhe ju lutem të më ruani anonimitetin në publikim”, shkruan te “Thurje” qytetari. Pak kohë më parë Banka Botërore evidentoi se barnat në Shqipëri janë më shtrenjtë se në të gjithë rajonin. Përveç çmimeve të larta të barnave që sipas Bankës Botërore, kufizimi i furnizimit me barna mbetet një pengesë e madhe për uljen e çmimit, mjekët ju japin pacientëve doza më të larta mjekimi, pasi favorizojnë në këtë mënyrë kompanitë farmaceutike. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke pranuar se Shqipëria ka vërtet çmime të larta të barnave i konsideroi rekomandimet e raportit si detyra shtëpie për dikasterin që drejton. Zbatimi i sukseshëm i rekomandimeve për sistemin farmaceutik sipas Bankës Botërore do të kërkojë bazë të mirë ligjore, vullnet politik, kapacitete për të imponuar zbatimin e rregullave dhe aftësi menaxheriale. Ndërsa barnat në vendin tonë shiten me çmim shumë herë më të lartë se sa në vendet e rajonit, denoncimi i ndryshueshmërisë së pajustifikueshme të çmimeve të barnave ka ardhur pak kohë më parë edhe nga kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë. Sipas këtij institucioni, shqiptarët paguajnë barnat e konsumit masiv me çmime shumë herë më të larta se sa ndodh në vendet fqinje. Ky fakt abuziv sipas ekspertëve po shndërrohet në një fenomen që po rëndon gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve. Ata, përveç problemeve në shëndet, duhet të përballen edhe me koston e lartë të sigurimit të barnave për terapitë trajtuese. Ndërkohë institucionet përgjegjëse për monitorimin e politikave të barnave, sipas ekspertëve, fshihen pas deklaratave boshe, dhe nuk ndërhyjnë, duke lejuar abuzimet në radhët e shitjes së barnave. Sipas ekspertëve shumë ilaçe që konsumohen më shpesh janë rritur nga 50 deri 100 për qind, duke konfirmuar se pretendimi i herëpashershëm i drejtuesve të institucioneve të larta shëndetësore se çmimet e tyre janë ulur, nuk është fare i vërtetë. Rritja e çmimeve është më e lartë për barnat që nuk janë në skemën e rimbursimit, rritje që në raste të caktuara është dy-tre herë më e lartë. Pavarësisht denoncimit të bërë situata mbetet po njësoj, ndërsa pacientët shqiptarë detyrohen që të bëjnë blerjen e barnave edhe pse me çmime të kripura. Kjo rritje prek më shumë barnat e tregut të lirë farmaceutik, duke konstatuar rritje edhe në barnat e rimbursimit. Njëkohësisht, rritjes së çmimit nuk i kanë shpëtuar edhe ato pak barna që prodhohen në vendin tonë. Duke u ndalur tek ky tregues, ekspertët e fushës bëjnë të ditur për gazetën se gati 20 për qind e ilaçeve që tregtohen në vendin tonë janë prodhim vendas dhe çmimi i tyre në krahasim me ato të importit është po ai. Megjithatë, problemet me të cilat përballet tregu farmaceutik i shitjes së barnave në vendin tonë janë të shumta.