Acarohet Leva, kërkon largimin nga Bajerni

Pakënaqësitë mes Robert Levandovskit dhe skuadrës bavareze kanë filluar të bëhen një objekt shqetësues. Sipas burimeve nga “Sport 1”, këshilluesi i sulmuesit ka shpjeguar problemet mes polakut dhe skuadrës, të cilave së fundmi i është shtuar edhe trajneri italian Karlo Ançeloti. Për Levandovskin, e hidhur ka qenë disfata për titullin e golashënuesit më të mirë të Bundesligës, në të cilin ai doli i dyti pas gabonezit, Pier-Emerik Aubamejang. Për këtë arsye, polaku ka fajësuar skuadrën e kampionëve gjermanë, së bashku me trajnerin Ançeloti, si shkak i suportit të pamjaftueshëm.
Në ditën e fundit të sezonit 2016- 2017 të Bundesligës, Aubamejang arriti të mundë rekordin e polakut duke shënuar 31 gola. Si pasojë, Levandovski nuk ka arritur ta shtojë shifrën e golave gjatë ndeshjes me Fraiburgun, duke kaluar në vendin e dytë me 30 gola. Kjo është pikënisja e kësaj përçarje mes polakut dhe skuadrës së Bajernit, pasi për ta sezoni kish përfunduar, duke harruar që bomberi po luftonte për titullin e golashënuesit. Këshilltari i tij, Maik Bartel, tha: “Gjatë ndeshjes së fundit, mesa më ka thënë Levandovski, nuk ka pasur as suport nga skuadra e as nga trajneri italian.
E kam parë aq të zhgënjyer sa kurrë më parë, pasi të gjitha shpresat e tij vareshin nga skuadra”. Kjo ka ardhur pas të gjithë impenjimit nga vetë Levandovski për të ndihmuar skuadrën menjëherë pas dëmtimit të tij në shpatull, por ai nuk ka marrë asgjë në këmbim. Kjo është dhe arsyeja thelbësore e krisjes me kampionët gjermanë. Dhe ai vetë ka folur disa kohë më parë në gazetën polake “Super Express” duke thënë: “Humbja e titullit të golashënuesit më të mirë më ka trishtuar. Kjo ka ardhur edhe nga suporti i paktë nga skuadra dhe trajneri Ançeloti. Për mua ky është një zhgënjim i madh”.

Exit mobile version