MINA HYSA
Adem Gjurra ka lindur në Reç të Dibrës më 13 mars 1912. Ishte i biri i Hysen (Shaban) Gjurrës e Zahide Vladit. Në Shqipëri ishte i martuar me Xhevahire Markun me të cilën pati 6 fëmijë dhe vetëm dy i jetuan, Ismail Gjurra dhe Sali Gjurra, ndërsa jashtë u martua me Milica Risiçin, me të cilën ka një vajzë, Afërdita Gjurrën. Vdiq më 6 janar të vitit 1985 në SHBA dhe nuk e pa më atdheun dhe familjen që la në Shqipëri pas arratisjes. Adem Gjurra shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen e mbaroi me korrespondencë rreth vitit 1931 në Peshkopi. Shkollën e nënoficerëve (të ushtrisë) e mbaroi në vitin 1932, por për arsye të mungesës së buxhetit shtetëror s’pati vend për aspirantët e rinj për t’u veshur ushtarakë. Në janar të vitit 1933, Adem Gjurra u regjistrua në shkollën e nënoficerëve të Xhandarmërisë Mbretërore. Pas disa muajsh shkolle në Durrës, më shumë se 30 studentë me rezultatet më të mira u dërguan me detyrë në Shkodër për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. U diplomua me sukses ndër më të mirët mes 100 të diplomuarve. Fitoi të drejtën e nënoficerit të xhandarmërisë, por shteti sërish nuk kishte buxhet për rroga të gradave të reja. I bënë thirrje që të pranonte gradimin edhe rrogën si xhandar, por me detyrë të nënoficerit. Shumica refuzuan, kurse Adem Gjurra dhe rreth 30 të tjerë pranuan për të qenë në shërbim të shtetit. U dërguan nëpër rrethe të postëkomandave në të gjitha anët e Shqipërisë. Shërbeu në Malësinë e Shkodrës, Dibër, Gjirokastër, Labëri, Dukagjin etj. Gradimet erdhën me radhë deri tek grada më e lartë, “Toger”.
ROLI I ADEM GJURRËS NË PUSHTIMIN E ITALISË NË VITIN 1939
Në vitin 1939, kur Italia sulmoi Shqipërinë, Adem Gjurra e marshall Isuf Jashari me 40 xhandarë e rreth 200 civilë nga Luma e Dibra u nisën për në Tiranë. Arritën në Krujë natën dhe u takuan me kapiten Shukri Baftjarin dhe nën komandën e tij u nisën për në luftë. Pas disa orësh arritën në kala të Prezës, ku u takuan me major Çaush Bashën dhe kontingjentin e Akademisë së Burrelit. Aty mësuan se Mbreti u detyrua të linte vendin. Oficerë të lartë dhanë urdhra të Mbretit që të mos krijoheshin lëvizje pa miratimin e tij, se do të sigurohej ndihma ushtarake e materiale për kombin nga jashtë. U kthye në vendlindje edhe thirri krerët e fiseve Reç, Dardhë, Lurë, Arraz, Arrën etj., e për konsultim dhe u takua me Muharrem Bajraktarin e me Cen Elezin e më vonë me kapiten ushtrie Qazim Lushën duke krijuar rrjetin e rezistencës. Pritnin lajmin për ndihmë nga jashtë dhe rikthimin e Mbretit, por ai nuk erdhi. Ademi filloi një përgatitje përmes propagandës se kishte çuar fjalë Mbreti të dilnin në Greqi për të marrë ndihma për luftë e kjo me shpresën se do të gjenin ndihmë nga aleatët, nëse e kalonin kufirin.
IKJA NË GREQI, DËNIMI 3 HERË ME VDEKJE DHE 1 HERË BURG PËRJETË
Në nëntor të vitit 1940, Adem Gjurra u nis nga Korça për Greqi me 40 shokë, oficerë, nënoficerë, xhandarë. Në kufi u përplasën me forcat italiane e disa shqiptarë dhe pas një përplasje me armë zjarri e thyen frontin dhe u bashkuan me ushtrinë greke e disa aleatë. Grekët i trajtuan në fillim si heronj, por pas 2 ditësh u erdhi një grup nga Athina dhe i morën duke u thënë se do t’u siguronin kushte më të mira dhe të duhurat për rikthimin në Shqipëri. Rezultoi një mashtrim, pasi disa orë më vonë grekët i arrestuan dhe i dërguan në kamp si robër lufte në Kretë. Në fund të qershorit të vitit 1941, gjermanët e pushtuan Kretën. Grekët ikën edhe e lanë Ademin dhe shokët në duart e gjermanëve. Ata, sa panë se kush ishin, se e morën në dorë dokumentacionin e kampit, i dërguan në Itali për gjyq ushtarak. Italia i dërgoi në Shqipëri. Në gjyq dolën me dënime tri herë me vdekje e një herë burg përjetë. Ata ishin Adem Gjura, Mustafa Imeri (Pukë), Idris Sadiki (Tropojë), Cerim Verediki (Korçë), Gaço Sotiri (Korçë), si udhëheqës të lëvizjes. I torturuan në burg, duke u përgatitur për t’i pushkatuar; çdo ditë i linin në këmbë tek porta e oborrit të pushkatimit duke pritur “radhën” e në mbrëmje i çonin prapë në birucë. Avokati shqiptar mendoi dhe sugjeroi të merrnin një avokat italian (një mik të rinisë së tij me lidhje të forta tek ushtarakët), por do t’u kushtonte shumë. Familjet e të burgosurve, mes tyre dhe Adem Gjurra, shitën tokë, pasuri dhe plotësuan vlerën rreth 1200 lira ari. U paguan oficerët e Lartë të Gjykatës dhe të burgosurit shpëtuan jetën, por me humbje të të drejtave civile.
KTHIMI NË REÇ, LUFTA PËR LIRINË E SHQIPËRISË DHE REFUZIMI I OFERTËS KOMUNISTE
Pasi i shpëtoi pushkatimit dhe burgimit përjetë, Adem Gjurra u kthye në vendlindje i sëmurë. Kur u përmirësua, doli në mal. Luftoi kundër forcave gjermane në shumë beteja dhe sipas librit të shkruar për Cen Elezin, Ademi u dallua si luftëtar i zoti. Ademi ishte edhe në Konferencën e Mukjes si përfaqësues i grupeve të arratisurve të Dibrës e të Lumës. Në shtator të vitit 1944, forcat komuniste filluan një operacion të fortë në Lumë e në Dibër duke ekzekutuar mjaft nacionalistë, ndaj Ademit i duhej të vendoste. Rreth fundvitit i erdhi urdhri nga Tirana për të qenë pjesë e administratës së qeverisë së komuniste. Dy oficerë e dy civilë shkuan në Reç dhe i dorëzuan urdhrin të paraqitej në Shkodër brenda 10 ditësh e të merrte postin inspektor i Arsimit për Shqipërinë e Veriut. Duke ditur se kjo ishte një taktikë komuniste, Ademi e refuzoi me argumentin se ishte i lodhur nga lufta dhe i duhej të kujdesej për familjen.
VUAJTJET E FAMILJES GJURRA DHE SULMI I ADEMIT NDAJ KOMUNISTËVE NË 1945
Pas refuzimeve të njëpasnjëshme të Adem Gjurrës, iu lutën sërish duke i çuar njerëz nga Tirana duke i thënë në formë kërcënimi: “Je me ne apo kundër nesh?”. Ademi gjeti si justifikim shëndetin dhe u kërkoi 3 muaj afat. Në vitin 1945 shkoi tek Ademi për strehim Muharrem Bajraktari me një grup prej 50 veta, i përbërë nga të arratisurit nga Veriu, por edhe disa nga Kosova. Duke pasur një mbështetje të fortë në vendlindje i strehoi dhe u siguroi bukë, veshmbathje e armë. Por një grup aq i madh nuk kaloi pa ra në sy, nga ata që ishin me qeverinë. Pasi i përcolli të strehuarit e Muharrem Bajraktarit, Ademi doli në mal me disa shokë dhe kushëririn e vet, Shaban Gjurrën. Komunistët e mbushën Reçin me ushtri e polici, ku pati edhe përplasje me armë, si beteja e Koziakut, por Adem Gjurrën nuk e kapën. Pas disa javësh luftë i rrethuan familjen dhe shtëpinë e dogjën, pasurinë ia konfiskuan, i prenë një shumicë të madhe bagëtish edhe i lanë të mos i prekte kush për ta treguar si shembull. Familjet e Ademit dhe Shabanit i çuan në internim në Berat. Atje vdiq djali i Ademit, Skënderi e dy vajza të vogla të Shabanit. Dy fëmijë të tjerë vdiqën më vonë te shtëpia (pasi u liruan nga kampi).
AKTIVITETI NË ARRATI DHE ARRATISJA NË GREQI
Gjatë qëndrimit në mal, Ademi Gjurra ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e të arratisurve: Thark (maj 1945), Bresht të Oroshit (fund i qershorit – 18 korrik), Lurë, ku ka përfaqësuar shumë grupe, si për shembull: të Mehdi Ndreut, Qazim Lushës, si edhe të Reçit e të Dali Meçit, Sali Shehut dhe shumë grupe të tjera të vogla e të mëdha. Në fund të korrikut 1946, Adem Gjurra mori kërkesë nga Muharrem Bajraktari të bashkoheshin për të kaluar kufirin për Greqi, sepse shokët nuk niseshin pa Ademin. U takuan në Kolosian te Lera e Sorrave më 18 gusht dhe u nisën me datë 25 gusht. U bënë 56 vetë nga Shqipëria dhe Kosova. Rreth datës 5 shtator, gabimisht ranë në Maqedoni ku u përplasën me armë për dy ditë e net. U ndanë dhe u bashkuan natën e parë. Vendosin dhe provojnë për të kaluar natën e dytë pa zhurmë dhe pasi ecën deri diku, panë se vendi ishte me ushtri. E në luftë e sipër u ndanë dy grupe për dy drejtime, me shpresën se do të shiheshin matanë kufirit. Ato dy ditë u vranë 27 shokë ishin dhe Nebi Seda nga Arrni, Lum e Haxhi Agaj nga Puka nga grupi i Ademit. Përfundimisht kaluan në Greqi me shumë humbje në shokë dhe plot dhimbje. Me disa shokë që u ndanë atë natë, u takuan më vonë në një kamp. U dorëzuan edhe u dërguan nëpër kampe rajonale, ku vuanin shumë edhe për bukë. Në kampin e Haxhi Qiriakos kaluan pak më mirë. Ademi me shokët: Myftar Spahija, Hysen Salku, Sejdi Bajo, Hysen Terpeza, Fiqiri Dina organizuan Lëvizjen Monarkiste në Greqi.
ADEMI CAKTOHET KRYETAR I RINISË PËR ANËTARËSIMET E LËVIZJES MONARKISTE
Adem Gjurra u caktua kryetar i Rinisë për anëtarësimet dhe zbatimin e programit. Në mars të vitit 1949, i dërguan tek shoqata humanitare në kampin “Santa Fara” në Bari të Italisë, atje ku jeta e përditshme u përmirësua. Në kamp, Ademin e punësuan si përkthyes edhe organizator i refugjatëve shqiptarë me një rrogë të vogël, të cilën e përdorte për nevoja të shokëve. Në pranverë të vitit 1950, u formua Komiteti “Shqipëria e Lirë”, organizatë që përfshinte e përfaqësonte të gjitha grupet nacionaliste edhe Mbretin Zog, me qendër në Romë. Kryesia u caktuan: Abaz Ermenji, Abaz Kupi, Mit’hat Frashri, Sait Kryeziu e pas vdekjes së z Frashërit, Hasan Dosti, sekretar u caktua Gaqo Goga. Kjo organizatë u krijua në marrëveshje me SHBA-në dhe Anglinë për stërvitje, materiale e transport, për një veprim për Shqipërinë e Lirë. Gjatë viteve të qëndrimit në Greqi dhe Itali, Adem Gjurra inkuadroi rreth 1000 anëtarë në organizatë që e mori emrin “Organizata Lëvizja e Legalitetit”. Në muajin maj, Gaqo Gogo u takua me Ademin edhe i shpjegoi situatën dhe e ngarkoi të rekomandonte shokë më të afërt për këtë organizim politik në shërbim të kombit. Ademi pati takime me drejtuesit e Komitetit, të cilët e autorizuan të zgjidhte 25 shokë për mision, ku njëri prej tyre ishte kushëriri Shaban Gjurra.
NË VITIN 1950 DËRGOHEN NË GJERMANI SI PJESË E “KOMPANISË 4000” DHE MISIONI NË SHQIPËRI
Në qershor 1950, i dërguan në Gjermaninë Perëndimore në një kompani ushtarake amerikane në afërsi të Munihut, që quhej “Kompania 4000”. U formuan tri toga, Legaliteti, Balli Kombëtar dhe të Pavarurit e Sait Kryeziut. Adem Gjurra u caktua zv.komandant i togës së Legalitetit, me detyrë oficer roje i objekteve të ushtrisë amerikane në Gjermani, për faktin se kishte pasur eksperiencë, sepse kishte qenë në xhandarmëri në kohën e Mbretit Zog. Bashkë më shokët, pas disa muajsh kanë ardhur dhe i kanë hipur në makinë, nuk ka pasur as paralajmërim, duke i çuar në stërvitje për t’u përgatitur në 2-3 vende. Brenda kompanisë gjërat personale të tyre janë sekuestruar, i kanë magazinuar me çelës, sepse këta do të ishin njerëz pa dokumente ku do të shkonin. Gjatë stërvitjes, Ademin e kanë caktuar komandant i personave në stërvitje. Ata stërviteshin nga amerikanët dhe anglezët, por me marrëveshje të plotë me Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Pas stërvitjeve janë ndarë në 4 grupe për t’u nisur për Shqipëri. Ademi ishte komandant i grupit të parë, por për arsye të ndryshme u caktua të ishte edhe kryetar i Misionit të Parë të organizuar prej Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe erdhi të luftonte për çlirimin e shqiptarëve nga regjimi komunist. Dy grupe u ndalën para desantimit. Të Dibrës e të Lumës vazhduan. Grupi i Ademit ishte caktuar për desantim në Martanesh, Dibër; me të u bashkua edhe Iljaz Toptani. Natën e 19 nëntorit të vitit 1950, ata janë lëshuar me parashutë teksa kanë rënë në pritën e komunistëve, duke qenë se ky mision rezultoi i tradhtuar nga Kim Filbi. Kur kanë rënë me parashutë, Xhetan Daci është vrarë duke rënë dëshmor, Selim Daci dhe Iljaz Toptani janë kapur të gjallë, kurse Adem Gjurra, i plagosur dy herë dhe Sali Dalliu pas një rezistence, kanë mundur të largohen nga vendi. Me ndihmën e popullit dibran ka mundur të shkojë deri në Reç, ku është takuar me pjesëtarë të familjes. Tek shtëpia e kushërinjve, Rexhep dhe Zenel Gjurra, dhe është mjekuar për t’u larguar sërish. Ushtria e policia zhvilluan operacion të ashpër në zonë, ku u vra kushëriri i Ademit, Rexhep Gjurra, dhe u burgosën e u torturuan shumë të tjerë, si dhëndri i Ademit, Maliq Qenani nga Arrëni. Ademi vendosi të kalonte kufirin që të lajmëronte Komitetin të mos vazhdojnë misionet, se ishin tradhtuar.
PAS OPERACIONIT TË “KOMPANISË 4000”, ADEMI LARGOHET NGA SHQIPËRIA, TORTUROHET NË BURGUN E SHKUPIT
Adem Gjurra, pas misionit të tradhtuar të “Kompanisë 4000”, e kaloi kufirin shqiptar në fund të dhjetorit të vitit 1950, me Sali Dalliun, ku i kapi roja kufitare jugosllave. Në fillim i trajtuan mirë dhe madje i mjekuan edhe këmbën e plagosur Ademit. I transferuan në burg të Shkupit që sipas Ademit ishte “Varri i shqiptarëve”. Atje filluan me pyetjet rreth arsyeve të kalimit të kufirit. Ademi kuptoi se i kishin fakte të misionit të “Kompanisë 4000” edhe u tregoi se kishin qenë me një mision kundër Enver Hoxhës. Jugosllavët i kërkuan të pranonte se ky plan e përfshinte edhe Jugosllavinë. Ademi nuk pranoi. E kërcënuan duke i thënë se dinin çdo gjë rreth tij dhe se do ta masakronin. Filluan torturat deri në drogim. Kur i dilte gjumi, e gjente veten në një tjetër birucë. Nuk kujtonte çfarë kishte kaluar. Duke e ditur se i hidhnin drogat në ushqim, refuzoi të hante, por ia hodhën në ujë e pa të nuk mund të rrinte. Vendosi të vriste veten një tentativë kjo që dështoi për fat.
LIRIMI NGA BURGU, MBAJTJA NËN SURVEJIM E INTERNIMI NË SHABAC TË SERBISË
Pas lirimit nga burgu Adem Gjurrën gjithmonë e mbanin nën survejim. Ademi lajmëroi Komitetin në mënyrë sekrete të mos çonin më misione në Shqipëri, por misionet fatkeqësisht vazhduan. Njëkohësisht autoritetet jugosllave haptas i kërkonin bashkëpunim, se gjoja ishte më i miri nga të tjerët, por Ademi ishte nacionalist dhe nuk e hante atë çorbë. Rreth fundit të vitit 1951, e dërguan në një spital për mjekim. Ishte spital psikiatrik, por atje ekzistonte një departament që merrej veç me kundërshtarët politikë, u torturua me drogë dhe korrent e gjithçka tjetër. Adem Gjurra kujton se ka pasur nacionalistë nga gjithë pjesa e Jugosllavisë. Aty futeshin kundërshtarë dhe dilnin të çmendur. Ademi u lirua pas një muaji e gjysmë. E lejuan të shkonte në Mitrovicë, Kosovë, me banim. E lavdëronin, e merrnin në tubime e mbledhje të kosovarëve. I ofruan Ademit t’i sillnin familjen në Jugosllavi, por ai refuzoi, se e dinte se do t’i përdornin t’i strehonin për bashkëpunim.
Për arsyet e mësipërme Adem Gjurrën e internuan në Shabac, një qytet në veri të Serbisë, pa popullatë shqiptare. Duke pasur një jetë nën presion më 28 shkurt 1954, Adem Gjurra u martua me Milica Risticin nga Shabaci, me lejen e familjes së saj. Më 15 janar 1955, i lindi një vajzë, Afërdita. Në mars të vitit 1955, Ademi me fëmijën e vogël, Afërdita vetëm 6- javëshe, bashkë me gruan iu dha leja të hynin në kampin Gerova në Slloveni për procesim të emigrantëve që dëshironin të linin Jugosllavinë. Ai ishte një kamp përqendrimi, rrethuar me tre rreshta tel të ashpër, me kasolle për ushtarë të armatosur; lagështirë, ftohtë, shumë pak ushqim. Ishin 80-100 vetë në një dhomë (ndërtesat kanë qenë kazerma ushtarake të shumë kohëve përpara).
Pas 5 muajsh i kthyen të gjithë personat me nënshtetësi jugosllave, Milicën e Afërditën. Adem Gjurra me familjen u strehua të prindërit e Milicës për pak kohë. Në fund të 1955- ës u detyruan të futeshin në një dhomë 3 me 3 metra në qytet, pjesë e ish-stallës së kuajve, ndërtuar me qerpiç të dobët. Kushtet ishin skandaloze. Ademi u sëmur dhe shkoi në spital, por prej andej doli më rëndë. Pas një kohe e diagnostikuan me TBC, sëmundje që nuk e pati kur hyri në spital në vitin 1956. Gjithmonë besonte se e kishin helmuar të UDB-së, që të vdiste nga sëmundje natyrale, se në këtë kohë nuk mund ta vrisnin më sepse Nuçi Kota, pasi u bë kryetar i Lëvizjes së Legalitetit, e regjistroi në shumë organizata edhe të OKB-së, në Komisionin për Persona në Rrezik për Arsye Politike, Kombësie ose Feje. Ademi ka qenë i kufizuar të lëvizte vetëm brenda qytetit. I thanë se po të zgjatej një hap më shumë, nuk e kishte jetën të sigurt. Jugosllavët do të gjenin një mënyrë ta vrisnin. Edhe në distancën 10 km për tek prindërit e Milicës, veç me leje të shkruar mund të shkonte, nëse e jepnin. Tek spitali nuk kishin të drejtë mjekët ta vizitonin, edhe nëse ishte në rrezik jete, pa autorizim nga policia dhe UDB-ja. Adem Gjurra ka vuajtur shumë me gjithë familje në Serbi. Shumicën e veshmbathjeve që u vinin nga SHBA-ja, i shisnin për qira, korrent, të paguante borxhet te dyqani etj.
KUSHËRIRI E NDIHMOI TË LARGOHEJ NGA JUGOSLLAVIA NË ITALI E MË PAS NË SHBA
Në vitin 1966, dikush bëri gabim te konsullata në Amerikë edhe i dhanë Shaban Gjurrës vizë për Jugosllavi. Sa u mor vesh në Shabac, e transportuan Ademin me familje në një banesë me një kuzhinë dhe një dhomë në periferi të qytetit, e cila kishte kushte të mira krahasuar me atë ku ishin. Shabani, kushëriri i Ademit, shkoi në Jugosllavi e bëri plane të vinte pas një viti ta ndihmonte Ademin për t’u larguar. Në vitin 1967, Shaban Gjurra shkoi sërish në Jugosllavi. U paguan disa zyrtarë dhe u gjet një pasaportë false për Ademin. U thanë të gjithëve se do të shkonin në bregdet me Shabanin edhe u nisën me tren. Në fillim të gushtit arritën në Trieste. I priti një mik, Zef Shyti, edhe i dorëzoi tek kampi për refugjatët. Atje qëndruan një muaj, u transferuan në kampin në Latina, ku qëndruan 5 muaj. Arritën në Nju-Jork më 6 shkurt 1968. Ademi punoi pak kohë dhe doli në pension sikurse gruaja e tij, Milica, pak më vonë. Vajza e Ademit, Afërdita Gjurra, në vitin 1977 mbaroi Universitetin e Qytetit Nju-Jork në degën e Antropologjisë dhe punoi në sektorin privat.
AKTIVITETI POLITIK I ADEM GJURRËS NË SHBA
Aktiviteti politik i Adem Gjurrës nuk pushoi kurrë. Ka vazhduar punën dhe lidhje politike me Abaz Kupin e me shokë të tjerë në SHBA. Ademi ka qenë mik dhe bashkëpunëtor i Gaqo Gogës, Xhemal Laçit, Fuat Myfties etj. Vazhdimisht ka qenë në kryesinë e Legalitetit në Komitetin Qendror të OKLL-së gati gjatë gjithë kohës. Në vitin 1976, dega Nju-Jork u shkatërrua gati e gjitha, po shuhej, dhe me urdhrin e Mretit Leka e mori Ademi edhe e ngriti fuqishëm si degë. Dëshira dhe puna e jetës e tij ka qenë të njihen sakrificat e anëtarëve të “Kompanisë 4000”; ata që u vranë, u kapën, u torturuan, edhe të gjitha familjet e tyre kanë vuajtur shumë. Për fat, kjo ndodhi me dekorimin që Presidenti Nishani i bëri “Kompanisë 4000”. Adem Gjurra është takuar me Mbretin Leka shumë herë. Ka marrë pjesë dhe ka kontribuar tek shoqata shqiptaro-amerikane “Vatra”, në hapjen e xhamisë së parë të komunitetit në Nju-Jork, ka kontribuar për Legalitetin dhe mbrojtjen e kosovarëve të burgosur nga shteti jugosllav etj. Ka kontribuar edhe në shoqatat për mbrojtjen e drejtave të njeriut si edhe të atyre që punonin për zhdukjen e varfërisë në vende të ndryshme të botës. Adem Gjurra është dekoruar “Pishtar i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha./Gazeta Panorama