Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama. Teksa shpërndau leje legalizimi, Rama akuzoi kryetaren e Bashkisë së Shkodrës se nuk po bën punë në shërbim të qytetarëve, “por fle gjumë”. Në përgjigjen e saj përmes rrjetit social “Facebook”, Ademi thotë se, kryeministri Rama tallet me njerëzit e thjeshtë. Ademi thotë se, Edi Rama nuk ka një shtrat po shumë shtretër, pasi flet nga shtretërit e shokëve të shumtë kriminelë të rrezikshëm që i bëri deputetë e kryetarë bashkish.
“Dy fjalë Edi Ramës që vjen e tallet me njerëz të thjeshtë, duke i thënë: “shiko nga kamera dhe thuaj kshu”, “hajde fol po mos thuaj këtë po thuaj atë”, “hajde falendero babën”, “me cilën parti je”, “a më do fort”, “ku merr vesh ti..” etj., etj.
Edi Rama nuk ka një shtrat po shumë shtretër, pasi flet nga shtretërit e shokëve të shumtë kriminelë të rrezikshëm, që i bëri deputetë e kryetarë bashkish. Sot të gjithë po i shohim me zë e figurë se janë vrasës, tutorë e trafikantë droge”, shkruan Ademi.
Kryebashkiakja e Shkodrës thotë më tej se, Edi Rama flet për gjumin se kërkon të verë popullin në gjumë përballë kësaj maskarade, dhe për ironi, ka guxim e flet për vettingun. Flet për gjumin se kërkon të verë në gjumë popullin e Shkodrës, duke e diskriminuar politikisht, duke i dhënë fonde sa një ish-komunë e duke mos i miratuar asnjë projekt.
Por, Bashkinë Shkodër nuk do arrish ta vësh në gjumë, pasi ky qytet ka shpirt demokrat dhe punëtor. Po përdor shumë marifete, por me humbje spektakolare do dalësh nga Shkodra!
E dini kush është Rama? Është ai që tha para pak kohësh se nuk na jep Bashkia Shkodër leje për “Kafen e Madhe”. Ndërkohë, që nuk kishte aplikuar fare për leje! Lejet janë në dorë të Edi Ramës dhe jo në dorë të Bashkisë së Shkodrës. Të këtij format gënjeshtre i ka edhe diskutimet e premtimet. Por, kjo do i zgjasë deri më 18 qershor, kur kryeministër i vendit do jetë Lulzim Basha!”, shkruan Voltana Ademi.