Ish-Presidenti Donald Trump i dha vulën e tij të miratimit trashëgimtarit të fronit saudit, Princit të fuqishëm të Kurorës Mohammed bin Salman, i njohur si “MBS”.
E pyetur nëse Presidenti Joe Biden do ta kontaktojë princin e kurorës, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jenn Psaki tha se Presidenti Biden do t’i telefonojë Mbretit saudit Salman, kur të jetë koha e duhur.
“Homologu i presidentit është mbreti Salman”, tha zonja Psaki.
Është e saktë që Mbreti 85-vjeçar Salman është homologu i Presidentit Biden, por djali i tij 35-vjeçar shihet gjerësisht si udhëheqësi de facto i vendit.
Princi i kurorës e paraqet veten si një reformator, por është ndjekur nga skandalet e të drejtave të njeriut, përfshirë vrasjen brutale dhe copëtimin e bashkëpunëtorit të gazetës The Washington Post, Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll në vitin 2018.
Departamenti i Shtetit thotë se administrata e Presidentit Biden do të përqendrohet më shumë tek situata e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite.
“… Populli amerikan pret që politika amerikane ndaj Riadit t’i japë përparësi sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut, dhe kjo është arsyeja pse ne do të bashkëpunojmë me Arabinë Saudite, aty ku përparësitë tona përputhen. Po kështu, ne nuk do të shmangemi nga bërja e qartë dhe mbrojtja e interesave dhe vlerave tona kur ata nuk veprojnë kështu”, tha Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Ekspertët thonë se Riadi duhet të përgatitet për ndryshime të mëdha nga Uashingtoni.
“Është një përqasje tjetër. Gjatë presidencës Trump, në fillimet e administratës së tij, ai vizitoi Arabinë Saudite dhe gjithashtu pranoi si pasardhës Mohammed bin Salmanin… Nuk e di nëse Presidenti Biden dhe administrata e tij do të përpiqeshin të bënin diçka për ta ndryshuar këtë, por ata me siguri nuk po nguten ta përqafojnë Mohammed bin Salmanin aq ngrohtësisht sa ish-Presidenti Trump”, thotë Michele Dunne, nga Fondacioni Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.
Shumica e ekspertëve pajtohen se shqetësimet për të drejtat e njeriut ka të ngjarë të luajnë një rol shumë më të madh në marrëdhëniet amerikano-saudite gjatë katër viteve të ardhshme dhe paralajmërojnë se kjo nuk do të pritet mirë.