Administrata e Donald Trump ka publikuar dosjet e mbetura në lidhje me vrasjen e ish-presidentit të SHBA-ve John F. Kennedy, i cili u vra në Dallas, Teksas, më 22 nëntor 1963.
Dosjet përmbajnë nga raporte hetimore, shkresa, komunikime dhe dokumente të klasifikuara që lidhen me hetimin e qeverisë për vdekjen e ish-presidentit.
Dokumentet u postuan në faqen e internetit të Arkivit Kombëtar të martën në mbrëmje.
Kujtojmë se Presidenti Donald Trump urdhëroi publikimin e mijëra dokumenteve qeveritare të klasifikuara në lidhje me vrasjen e ish-presidentit John F. Kennedy pak ditë pasi u betua si president i vendit.
Vrasja e Kennedy ka nxitur teori konspirative për dekada me radhë.
Trump premtoi gjatë fushatës elektorale se do të bënte publike dokumentet e fundit sekrete rreth vrasjes së Presidentit Kennedy në Dallas.
Ai bëri një premtim të ngjashëm gjatë mandatit të tij të parë, por në fund pranoi thirrjet e CIA-s dhe FBI-së për të mbajtur sekrete disa dokumente.
Trump ka emëruar nipin e Presidentit Kennedy, Robert F. Kennedy Jr., për postin e Sekretarit të Shëndetësisë në administratën e tij të re.
Kennedy, babai i të cilit, Robert F. Kennedy, u vra në vitin 1968 teksa kërkonte emërimin si kandidat demokrat për President është shprehur se nuk është i bindur se një person i armatosur ishte përgjegjësi i vetëm për vrasjen e xhaxhait të tij, Presidentit Kennedy, në vitin 1963.
Sipas urdhrit ekzekutiv, drejtori i inteligjencës kombëtare dhe prokurori i përgjithshëm duhet të hartojnë një plan brenda 15 ditëve për të nxjerrë të dhënat e mbetura mbi vrasjen e Presidentit John F. Kennedy dhe brenda 45 ditëve për dy rastet e tjera.
Nuk është qartë se kur do bëhen publike dokumentet sekrete. Ish-presidenti Kennedy u vra nga 24-vjeçari Lee Harvey Oswald ndërsa limuzina e tij përshkonte Dallasin në Teksas, më 22 nëntor 1963.
Lee Oswald u qëllua për vdekje nga pronari i një klubi nate, Jack Ruby, dy ditë pasi vrau Presidentin Kennedy.