Administrata Trump: Nuk bëjmë gabimet e paraardhësve, Korea e Veriut do të çarmatoset

Shtëpia e Bardhë thotë se synimi përfundimtar i çdo negociate mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un është çarmatimi bërthamor, duke shtuar se fushata amerikane e “presionit në maksimum” ndaj Phenianit do të vazhdojë dhe sanksionet nuk do të hiqen deri sa ai vend të ndërmarrë veprime konkrete për çarmatimin bërthamor.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se vendimi nuk do të mbështetet vetëm tek fjala e udhëheqësit Kim.
“Nuk do të bëjmë gabimet e administratave të mëparshme dhe nuk do të bazohemi vetëm tek premtimi i Koresë së Veriut. Sikurse e kemi thënë më parë, fushata e presionit maksimal do të vazhdojë deri sa të shohim ndërmarrjen e veprimeve konkrete. Nuk jemi naivë në proces. Kemi parë disa hapa në drejtimin e duhur, por kemi rrugë të gjatë përpara.”
Udhëheqësi Kim ka njoftuar ngrirjen e testeve bërthamore si dhe lëshimin e raketave balistike ndërkontinentale.
Zoti Trump ka pranuar se nuk dihet rezultati përfundimtar i bisedimeve me udhëheqësin koreano-verior. Takimi mund të mbahet nga fundi i majit apo fillimi i qershorit. Pheniani nuk ka pranuar që të heqë dorë nga arsenali bërthamor, pavarësisht kërkesës së zotit Trump, si dhe nuk është pajtuar për çarmatim bërthamor të përhershëm të gadishullit Korean.

Exit mobile version