Administratori i Karbunarës, i dënuar për vjedhje dhe plagosje

Një tjetër drejtues i pushtetit vendor i emëruar nga PS rezulton të jetë i dënuar me vendim gjykate. Administratori i Karbunarës së Vogël në Bashkinë e Lushnjës, Bektash Nexha është dënuar nga Gjykata Lushnjë për vjedhje pasurie dhe plagosje me dashje. Denoncimi është bërë nga kryetari i PD Lushnjë, Myslim Murrizi, i cili ka publikuar edhe vendimin e Gjykatës të dënimit me burg të administratorit të emëruar nga PS. Murrizi thotë se, kjo është Bashkia e Lushnjës që ka emëruar si administrator të Njësive Administrative pjesën më ordinere të vetë PS-së.
“Ky është Bektash Nexha i emëruar administrator i Njësisë Administrative Karbunarë e Vogël Bashkia Lushnjë. I dënuar nga Gjykata Lushnjë me vendimin nr. 125 datë 4 korrik 2007 për veprën penale të vjedhje pasurie dhe plagosje me dashje, vendim, i cili pasi ka marrë formë të prerë më datë 16 korrik 2007 është vuajtur nga ky person. Pas qerrexhiut të Hysgjokajt, muratorit të Dushkut, Sekretarit të byrosë Bubullimë, vjen dhe emërimi i një personi objekt i ligjit të dekriminalizimit. Ky është pushteti i “rilindjes”. Kjo është Bashkia e Lushnjës që ka emëruar si administratorë të Njësive Administrative pjesën më ordinere të vetë PS-së”, shkruan kryetari i PD të Lushnjës, Myslim Murrizi, në një postim në Facebook. Ai ka publikuar edhe vendimin e Gjykatës për dënimin e Bektash Nexhës.
Kryetari i PD të Lushnjës, Myslim Murrizi denoncoi para një jave publikisht masakrën që ka bërë “Rilindja” në shkollat e këtij rrethi. Gjatë një konference për shtyp, Murrizi denoncoi me fakte dhe dokumenta politikën e kuadrit që “Rilindja” ka bërë këto 3 vjet me mësuesit e rrethit Lushnjë. Ky rreth me 103 shkolla, ku 64 janë drejtori dhe 39 shkolla vartëse me 21 shkolla të mesme dhe me 1336 mësues gjithsej përdoret nga Zyra Arsimore Lushnjë si pronë e PS dhe i komanduari i kësaj zyre që vet ka si fakultet ciklin e ulët zoti Ylli Krakulli, si shef kuadri i Arsimit pranë Komitetit të Partisë Punës.
“Nga lista e famshme e dosjes gjyqësore të ish-drejtoreshës së dënuar, ju kam vënë më parë në dijeni se ishin emëruar vetëm gjatë kohës së saj 169 mësues të rinj nga të cilët 110 të PS dhe 59 të LSI. Po ashtu, në atë material kishte shënim që kanë kaluar në “filtrin” e partisë shtet nëpërmjet sekretarëve të byrove të emëruar drejtora shkollash 790 mësues, nga të cilët rezultonin 620 të PS dhe 170 të LSI. Pra, në total 959 mësues janë me partinë, 377 mësues me biografi të keqe. Dhe i komanduari përgjegjës zyre tashmë e di ku është armiku i klasës. Nga 64 drejtorë të gjendur në tetor 2013 sot më 21 prill 2016 janë vetëm 4. Mimoza Hajdari Shkolla “4 Dëshmorët”, Dashamir Sula, Thanasaj, Mikel Shandro, Kashtëbardhë dhe Pranvera Korreshi, Qerret”, u shpreh Murrizi.
Rastet e denoncuara nga PD Lushnjë për Zyrën Arsimore Lushnjë dhe shumë raste të tjera abuzive janë denoncuar edhe nga vetë mësuesit, prindërit dhe nxenësit e shkollave të ndryshme të rrethit Lushnjë. Një mësues nga Shkolla e Mesme Grabian është shprehur se, Bledar Stavri Ndoni, ish-arkëtar i Komunës Grabian pa punuar asnjë orë mësues është emëruar nëndrejtor i kësaj shkolle. Para pak kohësh, kreu i PD të Lushnjës publikoi një listë pagese të muajit janar 2013 kur Bledar Ndoni, në emër të 6 punojësve të Komunës Grabian firmoste vetë dhe i merrte lekët vetë. Si shenjë shpërblimi për “besnikëri” ndaj ish-kryetarit Avdi Snalla që nuk e shiti në Prokurori shpërblehet si nëndrejtor i Shkollës së Mesme Grabian pa qenë asnjë orë mësues.

Artikulli paraprakBasha: Rama, shpunësues masiv i mijëra shqiptarëve
Artikulli tjetërRektori Koni pranon në Prokurori dhunimin e kërcënimin nga Shullazi