Çlirim Disha, administratori i Njësisë Administrative Gurrë e Madhe në Bashkinë e Klosit, plagosi me sende të forta një banor të zonës, më datë 27 maj 2024.
Pas ngjarjes, ai vijon i qetë detyrën, pasi policia nuk e arrestoi në flagrancë pavarësisht se banori shkoi me fraktura në Spitalin e Traumës në Tiranë. Madje, ai vijon edhe detyrën si Administrator, megjithëse kryetarja e Bashkisë Valbona Kola ka dijeni për ngjarjen.
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua z. Qazim Hoxha, i cili tha se pasditen e datës 27 maj, në territorin e njësisë Gurrë e Madhe, në vendin e quajtur Ura e Dekës, është goditur me sende të forta nga z. Çlirim Disha. “Kam qenë në një lokal në zonë dhe atje ishte edhe Çlirim Disha. E pyeta se përse me shikon dhe më ofendoi se më do … Më pas i thashë se nuk e meriton të jesh në atë vend. Unë ika për në banesë dhe ai më ka ndjekur nga pas me makinë. Në afërsi të Urës së Dekës kam ndaluar dhe ai ndaloi pas meje. Erdhi te xhami i derës së shoferit dhe më goditi në kokë. Nuk mbaj mënd më se më çfarë më ka goditur. Jam gjakosur dhe me fraktura të mëdha kam qëndruar 20 minuta në atë vend. Ishte ora 17;00 pasdite dhe kam shkuar te Spitali i Klosit. Ky spital më dërgoi në Spitalin e Burrelit. Por edhe Spitali i Burrelit s’më ka mbajtur, nga dëmtimet e mëdha në kokë” tha Qazimi.
Sipas tij, në spital ka mësuar se kishte 4 fraktura të rënda dhe gjakderdhje. “Spitali i Burrelit më nisi me urgjencë po atë ditë në Spitalin e Traumës. Kanë bërë ndërhyrjet, qepjet dhe aty kam qëndruar 3 ditë. Kërkova vetë që të dilja dhe të shkoja në shtëpi. Më kanë dhënë fletë-daljen që të pushoj 1 muaj nga traumat e shumta. Kanë shkruar 4 frakturat. E kam edhe fletë daljen nga spitali” vijon Qazimi.
Ai thotë se nuk ka pasur asnjëherë konflikt me këtë person dhe thotë se është nga një fshat tjetër. Pohon se e ka lidhur puna për të bërë letrat e naftës, por ai administrator nuk ia ka bërë. “Doja të merrja naftë me rimbursim dhe e morra në telefon për t’mi plotësuar. Më tha nuk ti bëj. Për këtë fola me kryetaren e Bashkisë së Klosit, znj. Valbona Kola, dhe i thashë se administratori në fjalë nuk ka as shkollën përkatëse për atë vend pune” shton Qazimi. Por, ai ka një kërkesë që të merren masa për këtë nëpunës shteti, pasi nuk është arrestuar, ndaluar apo shkarkuar nga detyra.
“Nuk e kuptoj sesi nuk e arrestuan. Atë po e mbrojnë, i ka krahët e ngrohta. E shoqëruan në polici dhe e bën plagosje të lehtë. Madje as raportin mjeko-ligjor s’e kanë marrë. As këtë fletë-daljen nga spitali. Autori më ka sjellë disa persona për ta falur. Madje në banesën time ka ardhur edhe kryetarja e Bashkisë së Klosit, Valbona Kola. Më ka pyetur nëse do e fal” përfundon Qazimi.
Pas denoncimit, grupi i Fiks Fare shkoi në Njësinë Administrative Gurrë e Madhe në Klos për të pyetur Administratorin. Kërkuan z. Çlirim Disha, por çuditërisht asnjë prej punonjësve të kësaj njësie nuk dëshironte të jepte informacion se ku ishte apo edhe numrin e telefonit. Grupi i Fiksit e priti administratorin disa orë dhe i gjejnë një numër telefoni. E marrin në telefon dhe ai i thotë se vonohet pak dhe se është në lagjen “Duka”, shumë afër njësisë. Gazetarët i thonë se do e presim ende. Pas shumë minutash, Çlirimi telefonon sërish dhe kësaj herë thotë se është në një mal që është 4 orë larg Klosit, ndryshe nga hera e parë që ishte në një lagje tjetër.
Pas “frikës” së përballjes, Fiksi e pyet për ngjarjen e datës 27 maj 2024, teksa i thotë se përse e goditi. Administratori pohon se do e tregojë kur t’i takojë fizikisht një herë tjetër. E pyesin disa herë për ngjarjen dhe në një moment qesh, ndërkohë që pohon se ka dhënë deklarime për këtë ngjarje. E pyesin nëse është arrestuar, pezulluar apo shkarkuar nga detyra. Përgjigjet se jo dhe se vazhdon punën. E pyesin se konflikti është për shkak të naftës, nuk kthen përgjigje. Në fund mbyll telefonin.
Fiksi interesohet edhe në Policinë e Klosit, teksa dera ishte e mbyllur. Nëpërmjet telefonit të një punonjësi, gazetarët bisedojnë me z. Lorenc Alia, përgjegjës i Postës Policore në Klos. Fiksi e pyet se përse u la i lirë dhe përse nuk u arrestua në flagrancë, deri sa të dilte raporti mjeko-ligjor, pasi i plagosuri është transportuar në atë kohë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Përgjegjësi thotë se ashtu u vendos nga grupi hetimor, teksa pohon se këtë çështje po e heton prokuroria e Dibrës dhe se autori po hetohet në gjendje të lirë për plagosje të lehtë. E pyesin se ku e dinte policia më 27 maj që goditjet ishin të lehtë, pasi Qazim i shkoi në spital i gjakosur. Ai nuk jep përgjigje, ndërsa shton se Disha është shoqëruar dhe është lënë i lirë disa orë më pas. Fiksi e pyet se kush është motivi i plagosjes dhe përgjegjësi pohon se “një sherr në lokal përse më pe”.
Grupi i Fiks Fare interesohet edhe në Bashkinë e Klosit dhe kërkojnë të takojnë kryetaren e Bashkisë, znj. Valbona Kola. Nëpërmjet telefonit, kryetarja thotë se informacionin duhet ta merrnin me shkrim dhe duhet të bënin një kërkesë për informacion. Gazetarët e pyesin bashkinë nëse Çlirim Disha vijon detyrën, a ka ndonjë masë dhe nëse jo, përse? Madje e pyesin znj. Valbona Kola se me çfarë tagri ka qenë në banesën e z. Qazim Hoxha, si kryetare apo si pajtuese? Por, deri në transmetimin e kësaj kronike, Bashkia e Klosit nuk ktheu përgjigje.