Tirana International Airport, kompania që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit ka deklaruar një normë rekord fitimi (para taksave) prej 40.7% në vitin 2015, në rritje nga 35.5% që ishte ky tregues një vit më parë. Sipas të dhënave nga bilanci, të ardhurat e Tirana Internationa Airport ishin rreth 4.9 miliardë lekë (35 milionë euro) në vitin 2015, me një rritje prej 15% me bazë vjetore. Me shpenzimet në total, që u rritën 6.1%, koncesionari I Rinasit arriti që të zgjeronte fitimet para taksave në gati 2 miliardë lekë, (14.3 milionë euro), nga 1.5 miliardë lekë (rreth 11 milionë euro) në 2014-n.
Me këtë performancë financiare, Tirana International Airport mbetet një nga kompanitë më fitimprurëse dhe aktivvitet të qëndrueshëm e të garantuar nga marrëveshja koncesionare në Shqipëri. Konsorciumi Tirana international Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20 vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombetar “Nënë Tereza”, Tiranë. Pak muj më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana international Airport për heqjen e eksluzivitetit të kësaj të fundit. Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana international Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncesionit prej dy vitesh duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027. Deri tani nuk ka asnjë afat se kur mund të vihet në funksionim Aeroporti i Kukësit, ndërkohë që çmimet e biletave në Shqipëri mbeten më të shtrenjtat në rajon.
Qeveria shqiptare, sipas bilancit, ka marrë në 2015-n, 366 milionë lekë (2.6 milionë euro) si tarifë për koncesionin, që është e barabartë me 30% të fitimit të pagueshëm të shoqërisë. Në prill 2016, grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftoi zyrtarisht se ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Ndërmarrja që do të marrë përsipër të drejtat e koncesionit është emërtuar, “Keen Dynamics Limited” dhe sipas marrëveshjes do t’i ushtrojë këto të drejta deri në vitin 2027. Blerësi direkt është “offshore” i regjistruar në Ishujt Cayman dhe kishte një xhiro zero lekë në 2015-n, sipas të dhënave nga Autoriteti i Konkurrencës.
Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së shitjes, përfaqësuesit e ortakëve të TIA-s miratuan në mënyrë unanime ndarjen e 15.5 milionë eurove dividend nga fitimet e mbajtura/akumuluara në shumën prej 5.5 milionë euro dhe fitimi i vitit financiar të vitit 2015, prej 11.26 milionë euro, ndërsa 1.25 milionë euro u la si fitim i mbajtur.