Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit nuk ofron siguri as për veten e tij. Një vit e gjysmë nga grabitja spektakolare e makinës së thesarit të një banke të nivelit të dytë në pistën e avionëve, një qytetar ka mundur të thyejë sigurinë dhe të përfundojë përsëri në pistë, duke rrezikuar të shkaktojë një incident me një avion pasagjerësh.
Autori, një 17–vjeçar, preu rrjetën e perimetrit të sigurisë dhe i doli përpara një avioni. Plani i adoleshentit ishte të hipte në një prej avionëve për t’u larguar jashtë Shqipërisë. Ai është ndaluar, por incidenti nuk ka kaluar pa pasoja. Dy prej punonjësve të sigurisë të kompanisë ICTS janë arrestuar nga policia e Rinasit të akuzuar për shpërdorim detyre.
Por ky nuk është rasti i vetëm ku siguria në Aeroportin e Rinasit ka treguar se çalon, madje duke rrezikuar edhe jetën e pasagjerëve. Ngjarja më e rëndë është ajo e një viti më parë, kur nga një grabitje spektakolare brenda pistës së avionëve u morën paratë e një banke të nivelit të dytë. Disa persona hynë me makinë dhe të armatosur në pistë, duke hapur një nga dyert e rrethimit të jashtëm duke ngritur një furtunë kritikash mbi përgjegjësit e sigurisë së aeroportit.
Gjashtë muaj më pas disa persona të paidentifikuar çanë rrethimin e jashtëm të aeroportit, duke i vënë edhe një herë në dyshim masat e sigurisë. Edhe pse koncesionari që menaxhon Rinasin dhe kompania ICST që menaxhon sigurinë shpeshherë kanë deklaruar se kishin shtuar masat, siguria në Aeroportin e Rinasit ka treguar që çalon.