Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në vlerën 67, 170,917 mijë lekë (ose 479 milionë euro), detajuar si më poshtë: Një aspekt i auditimit pranë MEI, ka qenë procedura e ndjekur dhe negociatat që sollën përgatitjen e marrëveshjes së nënshkruar më datë 23.06.2014, nga grupi i punës i ngritur në bazë të VKM nr. 969, datë 25.10.2013 “Për ngritje e grupit të punës për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes ndërmjet shtetit shqiptar dhe CEZ a.s”, përcjelljen për miratim në Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Shqipërisë. Auditimi u bazua mbi të dhëna dytësore (pra jo burimi primar i informacionit), për shkak të pamundësisë që ka KLSH, për të audituar dokumentacion financiar dhe ligjor të kompanive me kapital aksioner privat (76% e aksioneve të CEZ Shpërndarje sh.a., kishin pronësi private) apo kompanive private, të cilat u krijuan gjatë aktivitetit të CEZ a.s., në Shqipëri (CEZ Trade dhe CEZ Albania), kjo bazuar në nenin 163/germa “c” të Kushtetutës “Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti”. Nga auditimi rezultoi se negociatat janë zhvilluar, në kushtet e mungesës së dokumentacionit (minimalisht procesverbaleve të mbledhjeve të grupit të punës) të nevojshëm mbi bazën e të cilit të mund të evidentohej dhe gjykohej në lidhje me punën e bërë nga ana e grupit të negocimit (argumentet dhe kundërargumentet e dhëna për pranimin apo refuzimin e pretendimeve të CEZ a.s.), qëndrimin karshi pretendimeve të mëparshme të shtetit shqiptar, analizën e provave, dokumentacionit dhe ekspertizës së dhënë nga ekspertët e huaj të kontraktuar. Në përfundim, kemi konkluduar se, me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje Mirëkuptimi, shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 479 milionë euro, si pasojë e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së vetë grupit të punës, i cili i ka relatuar Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë miratimin e kësaj marrëveshje, duke u dakordësuar për pagesën e huave në shumën 95 milionë euro (hua të paverifikuara), pagesë që nga ana tjetër shërbeu që shteti të marrë përsipër detyrimet e një keqmenaxhimi disa vjeçar prej 384 milionë eurosh të një shoqërie që u drejtua drejt falimentimit me një qëllim të verifikuar.
KLSH citon se përsa i përket diferencës së dëmit ekonomik në vlerën 67,060,000 mijë lekë, shkaktuar nga Marrëveshja e Zgjidhjes me Mirëkuptim (“Settlement Agreement ose “Marrëveshja e Mirëkuptimit”) midis shtetit shqiptar dhe shoqërisë “CEZ” a.s. Çeki, KLSH i ka rekomanduar Kuvendit të Shqipërisë “ngritjen e një komisioni ad-hoc të pavarur, me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, të cilët do të vlerësonin realisht dhe me saktësi dëmin nga aktiviteti nën administrimin e CEZ a.s, si dhe do të përcaktonin mundësinë më të mirë për një rimëkëmbje të Operatorit të Shpërndarjes mbi baza të monitorimit të kujdesshëm të të gjithë treguesve për periudhën e tanishme, duke përcaktuar në çdo rast përgjegjësitë individuale dhe institucionale për të gjithë aktorët që lejuan këtë situatë me të cilën financave publike u shtohet një dëm me efekte në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë. Të kërkohet një disipline e fortë financiare dhe një kontroll i vazhdueshëm nga Kuvendi, për çdo investim dhe vendimarrje strategjike lidhur me Operatorin e Shperndarjes, për të mundësuar me hapa konkrete përmirësimin e gjendjes së verifikuar.”
Berisha: Korrupsioni është në sistem
Ish-Kryeministri Berisha e ka cilësuar dje raportin e KLSH si dëshminë e qartë se në vend korrupsioni është ngritur në sistem. “Kontrolli i Lartë i Shtetit denoncon: Vjedhjen dhe shpërdorimin e 1 miliard eurove nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2015! Në raportin e tij të fundit drejtuar Parlamentit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni kushtetues për kontrollin e përdorimit të parave të buxhetit të shtetit, shprehet se gjatë vitit 2015 vjedhjet e mëdha në tendera, prokurime, dogana, tatime, koncesione të parave të buxhetit të shtetit dhe shpërdorimi i tyre arrin shifrën stratosferike prej 1 miliard eurosh, shifër kjo e mbidyfishuar sipas KLSH krahasuar edhe vetëm me një vit më parë. Kështu, sipas KLSH, në vitin 2014, vjedhja dhe shpërdorimi ishte 52 lekë për njësi dhe u rrit në 109 lekë për njësi në vitin 2015. Kur kreu i qeverisë vjedh, të tjerët rrinë në radhë me lugë në brez dhe korrupsioni është sistem”, është shprehur Berisha.