Afera 50 mijë euro e Donika Prelës, e kapi SHIK, e shpëtoi Rama

Kryetari i Partisë Demokratike ka përmendur për herë të parë një histori, e cila mund të gjendet në sirtarët e mbyllur të Prokurorisë.

Në një takim të zhvilluar në Korçë më herët gjatë kësaj jave, Basha deklaroi se “Donika Prela e cila duhet të ishte sot në burg për pastrim parash. Në vend që të jetë e dënuar për pastrim parash është kryeprokurorja anti-amfia. Kjo do ta hetojë mafian?! Paturpësia e parave?! E akuzuara që merrte vetëm për të liruar një njeri 50 mijë euro. 50 mijë euro për një njeri. E kapi SHIK dhe e shpëtoi Edi Rama”.

Opozita nuk ka shprehur asnjëherë vlerësim për Donika Prelën, për shkak se ajo konsiderohet si përgjegjëse për bllokimin e dosjeve hetimore “339” dhe “184”, në të cilat rezultojnë përgjime të zyrtarëve të lartë të qeveritarë me eksponentë të grupeve kriminale, në të cilat diskutohej për vjedhje dhe blerje votash në favor të Partisë Socialiste.

Por, detaji “50 mijë euro” për Donika Prelën është i ri në fjalorin politik dhe, mesa duket, duhet të jetë informacion që ka mbërritur së fundmi në zyrën e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.

Kreu i opozitës nuk përmendi detaje të tjera nga informacioni që mund të ketë në dispozicion. Gjithashtu, nuk është e qartë nëse “korrupsioni 50 mijë euro” i referohet periudhës që Donika Prela po drejton Krimet e Rënda apo kohës kur ushtronte funksionet në prokurorinë e Durrësit.

Ky dokument, për të cilin ka të dhëna indirekte se ekziston, nuk ishte pjesë e procesit të Vetingut të Donika Prelës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit \(KPK) konfirmoi në detyrë prokuroren Prela, në një proces shumë të dyshimtë, i cili përfundoi në Shkurt 2019.

Në vendimin përfundimtar, KPK deklaroi se kishte kryer verifikimet për Donika Prelën në tre kriteret; pasurinë, aftësitë profesionale dhe integritetin personal.

Përtej pikëpyetjeve mbi pasurinë, KPK deklaroi gjithashtu se Donika Prela kishte figurë të pastër, e konfirmuar kjo edhe nga raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).

Raporti i DSIK, i deklasifikuar pjesërisht pasi Donika Prela u konfirmua në detyrë, zbuloi një detaj tjetër “kompromentues”.
DSIK kishte konstatuar “përshtatshmërinë” e Donika Prelës për vijimin e detyrës. Por, këtë konkluzion e kishte arritur “pa përgjigjen e një prej 3 autoriteteve Verifikuese, konkretisht të Shërbimit Informativ të Shtetit”.

Pra, DSIK dhe më pas Komisioni i Vetingut, e kanë konfirmuar në detyrë Donika Prelën pa u njohur më parë me të gjithë dokumentat që ekzistojnë mbi emrin e saj, duke shmangur informacionet e mundshme që ekzistonin në zyrat e SHISH.
Është e paqartë nëse Shërbimi Informativ nuk ka dorëzuar raportin e tij për Donika Prelën apo DSIK dhe më pas Komisioni i Vetingut kanë zgjedhur të mos presin përgjigjen nga shërbimi inteligjent.

Në të dy rastet, ky detaj, kompromenton institucionet e rivlerësimit, si edhe i jep besueshmëri më të madhe informacionit të publikuar nga Lulëzim Basha, për ekzistencën e një dokumenti të Shërbimit inteligjent shqiptar lidhur me veprimet korruptive të Donika Prelës.

“Boldneës.al” ka raportuar rreth një vit më parë për ekzistencën e një dokumenti të Shërbimit Informativ Shtetëror, në të cilën kompromentohej drejtuesja aktuale e Krimeve të Rënda.

Nga të dhënat indirekte të asaj kohe, kishte dyshime se një informacion i Shërbimit Informativ për rast korrupsioni për Donika Prelën kishte mbërritur në Prokurorinë e Durrësit. Më tej, nuk dihet fati i atij dokumenti.

Si rregull, nëse SHISH ka dorëzuar material në prokurorinë e Durrësit, atëherë ai duhet të jetë kaluar për kompetencë në një prej prokurorive më të afërta, për shkak se Donika Prela ka ushtruar funksionet si prokurore në Durrës.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprak3 zëvendësuesit e mundshëm të Allegrit
Artikulli tjetërStudentët nisin revoltën, bojë kokës rektorit në Shkodër