Pakti 650 milionë euro me mafien ndërkombëtare

Afera e CEZ me vjedhjen e 650 milionë eurove dhe ndikimi i kësaj afere në mbifaturimin e qytetarëve përmes faturave të energjisë elektrike ishin pjesë e denoncimeve të qytetarëve dhe ekspertëve dje në sheshin e lirisë ku u diskutua rreth forumit për energjinë elektrike, si dhe u diskutuan dhe u ndanë me të pranishmit eksperiencat e tyre personale të përballjes me padrejtësitë e kësaj qeverie në sektorin e energjetikës, për të cilin kabineti Rama krenohet se ka reformuar përgjatë këtyre viteve. E vërteta e treguar nga qytetarët është se reforma e Ramës faktikisht është vetëm një aksion i organizuar dhunshëm, arbitrar dhe abuziv duke lënë pas edhe viktima. Afera me kompaninë CEZ ishte fillimi i kalvarit të problemeve në sektorin energjetik, i cili prej mbi tre vitesh i kushton xhepave të shqiptarëve edhe bukën e gojës. 650 milionë euro iu zbrazën financave të shqiptarëve pas marrëveshjes me mirëkuptim të orkestruar nga Rama dhe mafia ndërkombëtare, e cila pasurohet me paratë e shqiptarëve. Kryetari i demokratëve Lulzim Basha, tha se kryeministri Rama me çmimin e rritur të energjisë elektrike dhe mbifaturimin e qytetarëve kërkon të mbyllë gropat e shkaktuara nga marrëveshja me CEZ e quajtur edhe si vjedhja e shekullit. “Nuk u mjaftua me rritjen e çmimit dhe me mbifaturimet e energjisë elektrike, por nisi një fushatë represioni duke arrestuar, intimiduar duke prerë lidhjet e  energjisë elektrike, duke pamundësuar shërbime të tjera me të vetmin qëllim që të mbushte arkën e zbrazur nga afera me CEZ. E keni dëgjuar me fakte, fakte të avokatit ndërkombëtar të Shqipërisë, fakte të institucioneve ndërkombëtarë të energjisë, sesi dy mafie, bashkëpunuan për të vjedhur popullin më të varfër të Evropës, për të vjedhur 650 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve”. Marrëveshja e dyshes Rama-Gjiknuri i vodhi shqiptarëve nga arka e shtetit për t’i lëvruar paratë në funksion të fuqizimit të tyre kriminal. Basha bëri të ditur se paratë u ndanë mes mafias në pushtet dhe pasojat negative të kësaj megavjedhjeje ranë në kurrizin e qytetarëve shqiptarë, të cilët edhe sot e kësaj po paguajnë megaaferën me CEZ. “Kjo është mafia e Edi Ramës, e cila në bashkëpunim me mafian ndërkombëtare zhvatën nga xhepat e shqiptarëve qindra milion euro detyrime të njohura të pranuara botërisht dhe ligjërisht nga kompania CEZ, para që duhej të ishin në arkën e shtetit shqiptar, por nuk erdhën kurrë. Nuk erdhën, sepse këto para u ndanë mes mafias ndërkombëtare dhe kryemafiozit dhe bashkëpunëtorëve të tij në Shqipëri”. Kjo është drejtësia për të cilën kryeministri lufton sot në mënyrë që t’i shpëtojë nesër, tha zoti Basha, duke theksuar këmbënguljen e demokratëve për zbardhjen e rastit në fjalë. “Prandaj nuk na duhet dhe nuk do të pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga Edi Rama. Ne jemi këtu për të garantuar shqiptarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, për vendosmërinë tonë, për të zbatuar deri në fund paktin kushtetues të 22 korrikut, i cili është dhunuar në mënyrë të njëanshme nga hajduti i CEZ-it, nga njeriu që ka prodhuar dhe futur në xhep miliarda euro me drogën, me kanabisin, me heroinën, me kokainën”. Lulzim Basha i ka premtuar qytetarëve se me ardhjen e tij në pushtet 200 kv e para të energjisë elektrike do të jenë falas për familjet në nevojë.

Sot qytetarët mbifaturohen deri në 35% më shumë se sa vlera

Qytetarët denoncuan dje në sheshin e lirisë padrejtësitë që u bëhen çdo muaj me energjinë elektrike, me çmime të rritura, me mbifaturime e dhunim nga qeveria. Lulzim Basha premtoi se një drejtësi e pavarur do të bëjë drejtësi për vjedhjen e madhe me energjinë, që u është bërë shqiptarëve. Prej tre vitesh terrori përmes arrestit me burg për ata që s’kanë mundësi ekonomike të paguajnë energjinë elektrike, si dhe mbifaturimi i familjeve shqiptare është shndërruar në një normë të qeverisjes. Qytetarë të ndryshëm sollën shqetësimin e tyre dje në sheshin e lirisë mbi faturat e kripura të energjisë elektrike. Ata u ankuan se prej tre vitesh po paguajnë për një sasi energjie që nuk e kanë shpenzuar duke u mbifaturuar pa të drejtë. Partia Demokratike ka ndjekur këtë problematikë edhe përmes rrugëve institucionale, siç është edhe komisioni hetimor parlamentar i ngritur për të hetuar marrëveshjen, e cila po i kushton ende shqiptarëve sot. Afera e CEZ u pasua me aksionin për mbledhjen e detyrimeve dhe mbifaturimin e qytetarëve sot. Taulant Kullolli tha se shteti sot mbifaturon qytetarët deri në 35% më shumë se sa vlera. Luljeta Tahiri, qytetare nga Durrësi, kryefamiljare në pension tha se paratë e pensionit nuk i mjaftojnë as për të paguar faturat mujore. Me një faturë mujore prej 50 mijë lekësh për çdo muaj për energjinë elektrike dhe rreth 20-30 mijë lekësh për faturën e ujit, Luljeta tha se nuk arrin të përballojë jetesën. Sadik Zeqiri nga Tirana denoncoi nga sheshi i lirisë aferën me sahatet që ndodh në banesën e tij. Zeqiri tha se në pallatin e tij janë 42 familje që faturohen nga 50 kilovat vetëm për ndriçimin e shkallës. Kjo është pseudoreformë për të vjedhur popullin tënd, tha Zeqiri.

Ragmi Mustafa: Protesta të rritet derisa të triumfojë

Shqiptarë nga Lugina e Preshevës udhëtuan të dielën drejt Tiranës për të shprehur mbështetjen ndaj popullit shqiptar në sheshin e lirisë. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa vlerësoi betejën opozitare të mbështetur sot nga shqiptarët, ndërsa tha se misioni i kësaj proteste duhet të vijojë derisa të fitojë betejën e saj. “Kemi udhëtuar gjatë me shumë shokë nga Lugina për të mbështetur demokracinë, sepse nuk ka gjë më të shtrenjtë se demokracia dhe e kemi ndjekur nga afër gjithë rezistencën tuaj në këtë çadër prej ditëve të para. Duam ta shohim Shqipërisë sa më mirë. Uroj që kjo protestë të rritet çdo ditë më shumë dhe në fund demokracia të fitojë”, tha Mustafa. Kreu i AK, Spahiu, vuri theksin tek rëndësia e kontratës që parashikon Republika e re e ideuar nga Lulzim Basha dhe e mbështetur nga aleatët. Nga ana e tij, Basha tha se lëvizja për votën e lirë, është një lëvizje kombëtare. Basha theksoi se Shqipëria nuk mund të luajë rolin e saj për t’i shërbyer shqiptarëve kudo ku jetojnë, nëse nuk garanton të drejtat elementare për qytetarët e vet. “Kjo e dielë, dita e 37-të e protestës vjen me disa lajme praktike siç është ndryshimi i orës, lajme politike, siç është mbështetja euroatlantike për fitoren e kauzës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe lajme për praninë në këtë shesh të miqve të nderuar. Jo të kuqezinjve, që kanë qenë që ditën e parë dhe unë dua t’i falënderoj me mirënjohje, ju të rinj dhe të reja, burra dhe gra që i jeni bashkuar kësaj lëvizje popullore prej orës së parë me kurajo, me guxim, me vendosmëri dhe keni ngritur këtu në këtë shesh të lirisë tributin tuaj të vendosmërisë së bashku me Kreshnik Spahiun, kryetarin e Aleancës Kuqezi. Por dua të falënderoj në mënyrë të veçantë miqtë nga Presheva me në krye Ragmi Mustafën, të cilët vijnë këtu për të na kujtuar se lëvizja jonë popullore demokratike, qytetare dhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme është edhe një lëvizje për të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Është e tillë sepse askush nuk mund të besojë dhe as të pranojë që një Shqipëri që nuk garanton dot të drejtat themelore të qytetarëve të saj, të jetë në gjendje të përmbushë detyrimin kushtetues, detyrimin e shënuar në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, për të luftuar për të drejtat legjitime të shqiptarëve kudo që jetojnë. Ndaj, prej ditës së parë, kemi thënë që kjo është një lëvizje kombëtare, se nga fati i kësaj beteje, nga fitorja e kësaj beteje, varen fatet dhe fitoret e betejave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, në Mal të Zi, në diasporë kudo ku ka shqiptarë. Sytë, zemra, mendja e tyre janë të investuara në fitoren e kësaj lëvizje popullore dhe kombëtare. Alternativë tjetër nuk ka”, u shpreh Basha. “Armiqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve janë olirgakia, krimi i organizuar dhe narkomafia, e cila po investon rëndë për të deformuar të vërtetat dhe për t’i treguar botës jo realitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por realitetin e bandave, krimit të organizuar dhe pushtetit të bërë njësh me ta. Por kanë dështuar dhe po dështojnë me sukses të plotë. Dielli i pranverës po djeg dhe përvëlon gënjeshtrat e Edi Ramës dhe konsulentëve të tij të paguar me paratë e mafias shqiptare. Uashingtoni e di të vërtetën, Perëndimi e di të vërtetën. E vërteta ka triumfuar, e vërteta e dhembshme e një Shqipërie që qeveriset nga një kryeministër i bërë njësh me narkomafian dhe krimin e organizuar. Dhe pas të vërtetës, vjen fitorja e vlerave, fitorja e betejës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha kreu i PD.

Exit mobile version