Ngritja e Sistemit Qendror për monitorimin on line të lojrave të fatit në vend do t’i besohet një operatori privat. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për “përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit on line (SQMO) dhe të autoritetit përgjegjës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”. Sipas vendimit në fjalë, operatori, që ndërton këtë sistem, kryen edhe procesin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tij duke garantuar procesin e monitorimit on-line të të dhënave që do të përdoren nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF). Operatori merr vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licensuara të lojrave të fatit për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e sistemit. Operatori ka si detyrim të garantojë mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e sistemit nga çdo defekt në Sistemin Qendror të Monitorimit On-line. Ndërkaq vendimi citon se Ministria e Financave është autoriteti publik, që shpall hapjen e garës për përzgjedhjen e operatorit që do të ndërtojë sistemin, e cila e shpall atë jo më vonë se 45 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Po ashtu, Ministria e Financave miraton kriteret e vlerësimit të garës, dokumentet standarde të procedurës konkurruese, strukturën e Komisionit të Ngritjes së Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të lojërave të fatit. Në dokumentet standarde të procedurës konkurruese jepet informacion që ka lidhje me objektin dhe llojin e procedurës konkurruese, përfshirë informacione të përgjithshme dhe specifike. Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit përmban vlerën fikse për çdo pajisje/lojë fati për mirëmbajtjen e sistemit si dhe vlerën në përqindje mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit për shlyerjen e investimit dhe për ngritjen e përditësimin e sistemit SQMO. Formula, e cila do të shërbejë për llogaritjen e tarifës, do të jetë pjesë e dokumenteve standarde të tenderit.