Afera e radhës, Tahiri tender 9.5 milion euro për uniformat e policisë

Policia e Shtetit do të jetë e veshur “firmato” këtë vit pasi Ministria e Rendit Publik ka startuar një tender në të cilin do të shpenzojë 1,292,618,666 lekë (9.5 milionë euro) për veshje, këpucë, grada dhe shenja dhe aksesorë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i punonjësve të Policisë së Shtetit aktualisht është 11 mijë. Sipas shumës që ministri Tahiri ka vënë në dispozicion për veshjen e tyre, çdo punonjësi i takon 117,510 lekë ose 857 euro. Burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme pohuan se, blerjet do të bëhen për të pajisur me veshje policinë për tri vite rresht. Për çdo vit janë parashikuar dy veshje të plota, dimri dhe vere. Gjithashtu në këtë shumë përfshihen edhe uniformat ceremoniale dhe ato të punës. Gjithashtu rreth 15 për qind e fondit do të përdoret për të prodhuar veshje rezervë për forcat e reja policore, sqaruan të njëjtat burime.
Sipas të dhënave të shpallura në Agjencinë e Prokurimit Publik gara do të zhvillohet në katër lote. Loti i parë përfshin prokurimin e 955,904,563 lekë, të cilat do të përdoren për blerjen e uniformave. Kështu uniforma e çdo polici do të kushtojë 86 mijë lekë ose 634 euro për person. Loti i dytë parashikon 114,608,220 lekë për blerje e këpucësh ose 10.4 mijë (76 euro) lekë për person.
Loti i tretë parashikon shpenzimin e 44 milionë lekëve për blerjen e gradave dhe stemave që kërkojnë uniformat e policisë ose rreth 29 euro për person. Loti i tretë parashikon blerjen e aksesorëve (kapelat, doreza etj.,) me një vlerë 178 milionë lekë ose 161 mijë lekë (118 euro) për çdo polic.
Nëpërmjet një bisede telefonike, burimet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme thanë se shuma në fjalë parashikon blerjen e dy uniformave dhe gjithashtu edhe të veshjeve ceremoniale. Më tej ata sqaruan se fondi në dispozicion u takon pajisjeve me veshje të 11 mijë policëve. Tenderët e veshjeve të policisë disa herë kanë qenë objekt akuzash për abuzim. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë inspektimeve rutinë në Ministrinë e Rendit disa herë ka gjetur parregullsi në këto tenderime.

Monitor

Exit mobile version