Sali BERISHA
Dua të informoj qytetarët sa vijon: gjatë 23 viteve, Sali Berisha dhe asnjë pjesëtar i familjes së tij nuk ka përfituar as edhe gjënë më të vogël nga një proces gjyqësor në territorin e vendit dhe as kudo në botë. Por fëmijët e mi, të cilët e kanë patur të ndaluar nga unë të padisin në gjykatë gazetarët, kanë padituar politikanë që janë këtu, të cilët janë shpallur nga gjykatat si shpifës, pasi i kanë akuzuar ata pa asnjë fakt.
Dhe çdo akuze dhe manipulim politik që iu është bërë në media, ata kanë qenë fatlumë se kanë patur rastin t’ua kthejnë bosëve të tyre në politikë dhe të faktojnë se janë shpifës të pafytyrë, përndryshe nuk është i regjistruar kurrë asnjë proces gjyqësor në interes të asnjërit prej familjarëve të mi nga dita e parë në karrierë politike gjeri sot. Po ky është një mashtrues kongenital, ky ka lindur mashtrues. Ndërkohë i them zotërisë se bosi i korrupsionit sot është ky (Rama) me vëllain e tij, Olsin. Nuk jam unë që kam akuzuar Olsin për muaj të tërë se kërkonte të merrte TVSH-në. Nuk jam unë që kam akuzuar Olsin, por mediat që kanë sjellë dokumente autentike se donte të merrte Spitallën me kompani inekzistente. Nuk jam unë ai që ka akuzuar Olsin për Skavicën, por mediat kanë dëshmuar se ky është i tërbuar pas Skavicës. Nuk jam unë që kam akuzuar Olsin se me makinën e Hakmarrjes për Drejtësi që u arrestuan bashkë me një ndrikull, ka kaluar jo një, por disa herë kufirin. Po ç’do të thotë kjo? Makina ishte e përshtatur për trafik droge. Nuk them unë që kishte bërë trafik, po pse Olsi nuk kishte patur makinë tjetër, por vetëm këtë makinë? I kam targat këtu, i ka dhe Prokuroria të gjitha. A e dini ju që u bënë komente të shumta për rolin e tyre në dy ndeshjet. A doni t’ja u lexoj këtu? Ka sy populli. Edi Rama me koncesionet e tij tejkalon vjedhjet sa të gjithë kryeministrat e Europës të marrë së bashku. Edi Rama, vetëm me aferën e CEZ-it u zhduku shqiptarëve 620 milionë dollarë. Do të dalin dhe ato, do e shihni ju komisionin, por prisni. Indiciet janë dhe ne do të bëjmë gjithçka që indiciet të faktohen. Afera e fundit është ARMO, do që ta marrë dhe çfarë bën. Deri tani tre biznesmenë të mëdhenj njëri pas tjetrit i thërret në zyrë. Të kam thirrur se duhet të më zgjidhësh një problem të madh u thotë. Do të më blesh ARMO-n, por do e blesh bashkë me çorapen e partisë, me Besnik Sulën. Po a ka burrë që përzihet me një mafioz si Besnik Sula? Si përfundim të tre njëri pas tjetrit kanë refuzuar në mënyrë kategorike ortakërinë pasi ata e kuptuan se aty është Rama pas Besnikut. A mundet një Kryeministër të thërrasë e t’u thotë biznesmenëve që të bëhen ortakë me supermafiozin, të cilit iu arrestua i vëllai si bosi i trafiqeve në Durrës dhe shkon zotëria bashkë me Perlat Serjanin e i thotë se nuk e ke nga policia. Je i regjistruar. Shkoni merrni emrat te Panama Papper. E dini ku kanë shkuar paratë e naftëtarëve të shkretë? Në Panama. Vazhdoni ju skllevër të Besnikut. Hiqni dorë e mos mendoni se mund të luani me pasuritë e shqiptarëve. Merrni çorapen të shkojë të paguajë qiranë.
Së fundi, Edi Rama faktoi këtu se nuk ishte Erion Veliaj para gjykatës, por ishte Rama vetë që protestoi e rrethoi gjykatën dhe ka pafytyrësinë të dalë e të flasë këtu për Reformën në Drejtësi. Reformën në Drejtësi e pengon Surreli, e pengon afera e CEZ, e pengon pallati i zonjës Rama pa asnjë faturë. Reformën në Drejtësi e bllokon pallati i familjes së zonjës Rama për të cilën nuk ekziston asnjë faturë ndërtimore, tatimore e bankare. Reformën e pengon CEZ dhe shumat e mëdha të vjedhura. Nuk e pengojmë ne reformën, natyrisht do të them dy fjalë. Pasi e mbajti dhe e bllokoi për 1 vit, pasi mendoi se do të bëhej kryegjykatës, kryeprokuror dhe kryehetues i vendit, pasi dështoi me turp dhe ia ktheu e ia përmbysi Venezia, tani nëse do reformë do të dëgjojë opozitën, e cila në të gjitha vërejtjet që çoi në Venezia mori të drejtën e saj. Tani reformën do e udhëheqë opozita. E udhëhoqët një vit, dështuat në mënyrën më të turpshme. U rrëzua drafti i parë, e bëtë pa ne. U rrëzua drafti i dytë, e bëtë pa ne. A doni reformë? Ne do e udhëheqim me ndershmëri, me sinqeritet, me parime, asgjë tjetër vetëm ato që tha Venezia. Por as mos mendoni se mund të shihni kund ndryshe. Dështuat herën e parë, dështuat herën e dytë tani është radha jonë. Po deshët mirë, po nuk deshët shkoni dështoni dhe herën e tretë, të katërt e të pestë. Tani le të vazhdojmë. Komisioni ka një frymë pozitive gjykoj unë, më pozitive se asnjëherë tjetër. Pse i paragjykoni?
Vijmë tek kërcënimet. Hedh gurin e fsheh dorën. Lexoni pak statusin e atij që nuk lidh dot dy fjalë, të shkruar me dorën e këtij (Ramës). Lexo pak statusin e Elvis Roshit. Është tale quale fjalë për fjalë e shkruajtur prej tij. Nuk kalohen në këtë mënyrë. Sepse nëse ndodhin në vend të gjitha këto, ndodhin se mishërim i të gjithë atyre është Edi Rama. Përdori një fjalë në fund. Përdori fjalën lehje. Unë i them Ramës që sot ke folur si këlysh i rrahur, sot ke lehur si këlysh i rrahur, por herën tjetër do të lehësh si këlysh i sëmurë, je në rrokullisje të pashpresë!