Kryetari i PD, Lulzim Basha i pranishëm në ditën e 89 të protestës së banorëve të Astirit, tha se, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e kanë vendin në burgun 313. Nga protesta, Basha iu rikthye akuzave ndaj kryebashkiakut Veliaj për dhënien me koncesion të parkimeve në Tiranë dhe grabitjen e tokës publike tek Policia Bashkiake për interesa privatë.
Basha kërkoi nga qytetarët t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit për të rrëzuar Ramën dhe për t’i dhënë fund aferave korruptive të Veliajt.
“Nuk ka asnjë përgjegjës se shteti ka rënë, Edi Rama dhe qeveria ka braktisur qytetarët. I dhunojnë, i tallin, i përbuzin. Në këtë situatë opozita ka shteruar pozicionin e saj, prandaj bashkohuni masivisht me datë 16 shkurt t’i japim një grusht këtij mali të korrupsionit, të vjedhjes, nëpërkëmbjes dhe poshtërimit, t’i jap një grusht mu në zemër pushtetit korruptiv të Edi Ramës dhe ta shtrijmë përdhe. Ju keni të drejtën, ju keni forcën, ju keni kurajon, jepjani dorën njëri-tjetrit, jepjani besën njëri-tjetrit, t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve më 16 shkurt”, tha Basha.