Nga Prapaskena.com
Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u thirr disa ditë më parë në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni për një çështje nën hetim nga SPAK kur Lleshaj ishte ministër i Brendshëm.
Prapaskena mëson se Lleshaj është pyetur në kuadër të një procesi hetimor që ka nisur SPAK për afera të dyshuara korruptive me tenderat në Ministrinë e Brendshme, konkretisht me tenderat e rindërtimit të komisariateve të policisë.
SPAK pritet t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Plarent Ndreca, i cili ka mbajtur funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme gjatë periudhës 2019-2020.
Më herët, Plarent Ndreca ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit si dhe Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, ku është lakuar për abuzime, referuar disa raporteve të KLSH dhe raportimeve mediatike.
SPAK pritet të akuzojë Ndrecën për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Ndreca u lakua si i implikuar edhe në aferën 28 milionë euro me tenderin e uniformave të policisë dhe se i ka shpëtuar ndëshkimit me ndërhyrje të dyshuar.
Për këtë aferë u dënuan ish-drejtoresha e Blerjeve të Përqendruara Edlira Naqellari dhe 9 zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme, ndërsa Ndreca si sekretar i Përgjithshëm u shpëtoi hetimeve.
Por tashmë SPAK ka kopsitur dosjen për rolin Ndrecës në tenderin për rikostruksionin e komisariateve, ku janë shpërdoruar paratë publike për ndërhyrje të panevojshme, mashtrim me zbatimin e kontratave etj.
Në pozita të vëshita është edhe një personazh që konsiderohet si dora e zezë e korrupsionit të Bledi Çuçit në Ministrinë e Bujqësisë dhe më pas në Ministrinë e Brendshme.
Bëhet fjalë për Endri Mullai, drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruar në Ministrinë e Brendshme, Endri Mullai.
Endri Mullai, i njohur edhe si ‘Bishtaleci’, zëvëndësoi në këtë detyrë Edlira Naqellarin, e arrestuar nga SPAK në korrik të vitit 2021 për tenderin 28 milionë euro të uniformave të policisë, duke u dënuar më pas me vendim të formës së prerë.
Ndreca pyeti kush duhet t’a hetojë SPAK-un?
Në maj të këtij viti, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mbajti një seancë dëgjimore si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, lidhur me kompetencat për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave kundrejt Prokurorit të Përgjithshëm.
Gjatë kësaj seance, deputeti socialist Plarent Ndreca pyeti ministrin se kush i heton prokurorët e SPAK, gjyqtarët e posaçëm apo anëtarët e BKH.
Shqetësimi i Ndrecën duket se reflektonte hetimet ndaj tij dhe ndoshta pretendimet se prokurori i çështjes po e rëndonte më shumë nga sa i takonte në çështjen e abuzimit të dyshuar me tendera.
-Plarent Ndreca: Duhet të them edhe këtë konstatim që raportet e përmendët edhe ju kur thoni që nuk kemi indikator matës, keni vështirësi për të kuptuar se çfarë ndodh në institucionet e drejtësisë, në rastin konkret institucionet e drejtësisë penale, për rrjedhojë është e paqartë si duhet t’i qasemi me rekomandime për sa kohë nuk kuptohet se çfarë ata kanë raportuar. Më rezulton që nga raportimi që kanë bërë është krejtësisht i përgjithshëm, që në thelb nuk do të thotë asgjë. Për rrjedhojë është momenti që duhet parë me një inciativë ligjore apo instrument tjetër që në bashkëpunim me këto institucione vendos indikatorë matës apo më tej, që të kuptohet se çfarë është raportuar apo se kush është ajo çfarë ne duhet të kërkojmë nga ata. Nga pikëpamja ime kjo është gjëja e parë që më bie në sy nga një vështrim vertikal i raporteve të këtyre institucioneve. Unë mendoj që Ministria e Drejtësisë ka një rol shumë të rëndësishëm apo qeveria shqiptare ka një rol shumë të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë sepse ka një instrument jashtëzakonisht të rëndësishëm siç është iniciativa ligjore e për rrjedhojë aty ku konstatohen problematika që kanë të bëjnë me moszbatimin e ligjit apo moskuptimin e ligjit apo me problematika me hartimin e legjislacionit, është Ministria e Drejtësisë që duhet të deduktojë problematika në legjislacion, bëra këtë parashtrim për pyetjen që do të bëj më pas, të cilat mendoj që nga këto probleme duke mos pas indikator unë do t’i bëj pyetjen, por shpresoj që të marr përgjigje, por e di që edhe ju do të keni vështirësi për këto pyetje. E para është shqetësimi mbi masat e sigurimit, a ka një studim nëse ka qasje të njëjta për çështje të njëjta nga gjykata të ndryshme mbi masat e sigurimit? E nëse ka masa të ndryshme a jeni në kushte që t’i kërkoni ILD një inspektim tematik mbi këtë çështje, ndoshta duke kërkuar më pas edhe evidentimin e rolit të Gjykatës së Lartë si një instrument njehsues për praktika të gjykatave të ndryshme për çështje të njëjta. A ka komunikime me gjykata përkatëse për vijueshmërinë e hetimeve e duke marrë në konsideratë, pasi mbyllja e hetimeve nuk është më në dorën e prokurorisë, por në dorën e gjykatës. Keni informacion që prokuroritë kërkojnë paraprakisht nga Agjencia e Specializuar për Administrim, mendim përpara se të shkojnë në gjykatë? Sepse më rezulton që ka raste kur sekuestrohen gjëra pa vlerë dhe vidhen në vështirësi pastaj për të gjetur para apo merren para shtesë nga buxheti i shtetit për të mbajtur një pronë që nuk ka pas arsye për t’u sekuestruar. Kush është prokuroria apo gjykata që heton prokurorët e posaçëm në këto momente që flasim? Kush është prokuroria dhe gjykata që heton gjyqtarët dhe prokurorët e strukturave posaçme? Rregullimi aktual ligjor a mos sjell cenim kushtetues të parimit të gjyqtarëve? A është krijuar strukturë e shërbimit të policisë gjyqësore në byronë kombëtare të hetimit, duke pasur në konsideratë se nga struktura e posaçme ka ankesa për pamjaftueshmëri të burimeve njerëzore?
–Ulsi Manja: Më mjaftojnë 581 ankesa që kanë ardhur në Ministrinë e Drejtësisë për të kuptuar që ende qytetarët mendojnë dhe kërkojnë nga Ministria, ndërkohë që drejtësia është e pavarur. Vetë sistemi duhet të ketë AKSHI-n e vet ku duhet të ndërveprojnë Prokuroria, Spak, ky sistem duhet të jetë i ndërveprueshëm brenda vetë organeve të drejtësisë, ky ka qenë problemi, kush do ta certifkojë. Ju pyetët kush i heton sot sipas ligjit në fuqi prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH, apo të GJKKO, struktura në drejtim të ndjekjes penale të mos ketë asnjë ndërhyrje nga jashtë, por vetë struktura të garantojë pastërtinë e figurës së prokurorëve, të BKH apo GJKKO, në aspektin penal, kur ka indicie që bie në konflikt një prokuror tjetër heton kolegun. Kjo është zgjidhja që kemi gjetur për momentin. E konsideruar si element të intimidimit të kësaj strukture, sa i lejon hetimit penal të një hetimi nga jashtë, kjo ka qenë zgjidhja për ta mbajtur këtë strukturë të posaçme të dedikuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ta mbajmë larg nga intimidimi dhe influencat e jashtme.
Aferat e ‘bishtalecit’
Në mars të vitit 2023, drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruar në Ministrinë e Brendshme, Endri Mullai, firmosi dy tendera me vlerë rreth 7.6 milionë euro për kompanitë Marsi & AL dhe Giromondo për blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre si dhe blerje këpucësh.
Dy tenderat e firmosur nga Endri Mullai, një lidhje dhe investim i Bledi Çuçit, mbartin elementë të theksuar korruptivë.
Së pari, diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është e papërfillshme, edhe pse vlera e tenderit është mbi 8 milionë euro me TVSH. Ky është një tipar i tenderave me fitues të paracaktuar në tavolinë. Paratë që mund të kurseheshin nga një procedurë me garë reale, duke përzgjedhur ofertën më të ulët, ndahen mes titullarit të autoritetit kontraktor dhe pronarit përfitues të kompanisë fituese të tenderit. Për tendera të tillë, fituesi i atacaktuar me pazar paraprak, jep zakonisht 20 % të vlerës së tenderit.
Së dyti, kompania fituese Marsi & AL, me pronar që nga maj 2017, Petrit Kasapui, është skeduar si një firmë mashtruese, jo serioze dhe që përvetëson paratë publike duke mashtruar me zbatimin e kontratave.
Në 1 janar të vitit 2015, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme u ngarkua të kryente prokurimet për uniformat e reja të policisë. Gara u mbyll në shkurt, ku morën pjesë katër kompani. Në përfundim u shpall fitues bashkimi i operatorëve “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC.AS” & Marsi AL SHPK, me ofertë 91 917 500 lekë.
Prokuroria e Tiranës nisi një hetim kryesisht, pasi u konstatua se uniforma është prodhuar në Shqipëri, ndërkohë që kriteri në tender dhe kontratë ishte që të vinte nga Turqia. Nga verifikimet në dogana nuk u gjet asnjë e dhënë apo deklaratë doganore për hyrjen e uniformës në Shqipëri.
Në 2 shtator të vitit 2016, Policia e Shtetit ndërpreu kontratën me kompaninë fituese, pasi po mashtronte me cilësinë e uniformave, ndryshe nga sa ishte parashikuar në kontratë.
Në njoftim të Ministrisë së Brendshme, të datës 21 shtator 2016, ndër të tjera thuhet se “Policia e Shtetit ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Marsi&Al”, e cila duhet të prodhonte uniformat e reja të punonjësve të policisë, për shkak të cilësisë së dobët të mallit dhe ka dërguar për ndjekje penale në Prokurori përfaqësuesit e saj zyrtarë. Përveç procedimit në Prokurori, ndaj kompanisë kontraktore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për bllokimin e garancisë financiare të kontratës në favor të Policisë së Shtetit. Theksojmë se për shkak të cilësisë së dobët të mallrave dhe jashtë kushteve të kontratës, kompanisë nuk i është bërë asnjë pagesë nga Policia e Shtetit”.
Në mars të vitit 2018, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara lidh një kontratë me kompaninë “Marsi&Al”, me vlerë 37 751 800 lekë për blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera, për Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, edhe pse më parë kjo kompani ishte kallëzuar nga vetë policia dhe Ministria e Brendshme në prokurori për mashtrim me uniformat e policisë.
Nga kjo procedurë u përjashtua në bllok të gjitha kompanitë e tjera, përveç fitueses “Marsi&Al”, sot me pronar Petrit Kasapin.
Në gusht të vitit 2020 Agjencia e Blerjeve të Përqendruara lidhi një tjetër kontratë me kompaninë “Marsi&Al”, tashmë me vlerë 57 462 300 lekë, për blerje të uniforma për personelin e shërbimit të urgjencës mjekësore.
Kush është Endri Mullaj
Është një nga drejtorët më të lakuar për korrupsion, falsifikime dhe pazare me tenderat, por në të njëjtën kohë edhe mollë sherri mes një ish ministri dhe SPAK-ut.
I njohur si ‘bishtaleci i korrupsionit’, Endri Mullai i shpëtoi arrestimit disa muaj më parë falë ndërhyrjes agresive të Bledi Çuçit, i cili ua rrëmbeu pupacin e tij nga duart një skuadre të Byrosë Kombëtar të Hetimit.
‘Bishtaleci’ nisi të bënte rezistencë, duke pretenduar shkelje procedura dhe refuzuar kontrollin personal, të zyrës dhe banesës si dhe dorëzimin e telefonit.
Por një skuadër e BKH-së, me vendim gjykate në dorë, e ‘ngriti në ajër’ në zyrë, ndërsa një grup tjetër trokiti në një nga banesat e tij.
Gjatë kontrollit në një nga banesat e Endri Mullait, BKH-ja gjeti mijëra euro dhe një bllok shënimesh, ndërsa sekustroi një telefon, disa thasë me dosje tenderash dhe materiale të tjera me rëndësi për hetimin.
BKH-ja u hodh në veprim me urdhër të SPAK pas 30 sinjalizimeve dhe denoncimeve ndaj Mullait për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe pazare, përfshirë edhe disa kallëzime penale nga firmat private që ishin skualifikuar pasi Mullai e kishte mbyllur pazarin dhe fituesi ishte paracaktuar.
Endri Mullai u mbajt 48 orë i shoqëruar, por u desh ndërhyrja ekstra ligjore e Bledi Çuçit për të nxjerr nga qelia njeriun e tij më të besuar në atë ministri.
(Mullai ka qenë njeriu i besuar i Çuçit që në Ministrinë e Bujqësisë. Dyshja dyshohet se kanë përvetësuar miliona euro nga aferat me tendera tek Bujqësie, para që besohet se i kanë investuar në pasuri të paluajtshme, kamufluar në emrin e personave të afërt).
Lajmi i ndërhyrjes, sigurisht i shkoi në vesh dhe kryeministrit Rama, i cili reagoi ashpër ndaj Çuçit pasi informacioni i kishte ardhur nga partnerët ndërkombëtarë.
Kjo besohet se është edhe arsyeja se pse Rama shkarkoi më pas Çuçin si ministër të Brendshëm, edhe pse largimi i tij përkoi me ngjarjen e Rrajave.
Çfarë ndodhi me Endri Mullain?
Pas përplasjes me BKH-në, Endi Mullai, në vend që të frenohej, intensifikoi pazaret me tendera.
Një burim brenda Drejtorisë së Tenderave, theksoi se Mullai, ndryshe nga drejtorët e tjerë, nuk operon me sekserë, kamuflime dhe skemë të sofistikuar, por ulet vetë dhe bën pazare me fituesit e paracaktuar të tenderave.
Teksa BKH-ja dhe SPAK-u vijojnë prej disa muajsh hetimet dhe të kontrollojnë në telefonin e Endri Mullait, ky i fudit vijon hapur pazaret me biznesmenë të ndryshëm, duke diktuar fituesit e tenderave, kryesisht me oferta fituese sa fondi limit.
Pazaret i bën në zyrë në Ministrinë e Brendshme, restorante, lokale, resorte, në udhëtime dhe madje edhe me mesazhe në aplikacione të ndryshme, ku sipas tendarave dhe natyrës së shërbimit, merr 20-30 të vlerës së ofertës fituese.
Prapaskena mëson se aq problematik dhe shqetësim është kthyer bishtaleci saqë Ministri i Brendshëm ka kërkuar kalimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në varësi të Ministrisë së Financave, por një kalim i tillë ka mbetur peng i procedurave dhe ndryshimeve ligjore.
Teksa në SPAK janë referuar disa kallëzime të tjera, ditët e fundit Endri Mullai befas ka prerë bishtalecin si dhe ka bërë gati një akt dorëheqje.
Një burim pranë tij theksoi se Mullaj ka larguar një pjesë të parave jashtë vendit dhe se po përgatitet për t’u arratisur si Arben Ahmetaj në momentin kur të marrë vesh se ndaj tij është firmosur një urdhër-arrest.
Me kë i ndan paratë Endri Mullai?
Endri Mullai ka ndarë miliona euro me bandën e Talo Çelës. Më 22 maj 2022, dy muaj pas shpalljes në kërkim e sekuestrimit të vilës së Gentian Sharrës, Mullaj i ka dhënë Sharrës të grupit “Nuredin Dumani-Talo Çela”, tender 2.5 milionë Euro për furnizimin me mish, nëpërmjet subjektit “Olta Sharra” të gruas së tij, ku menaxher në letrat e tenderit figuron Talo Çela, njeriu më i kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Nga SPAK po hetohet edhe tenderi me vlerë 1.5 milionë euro për “Blerje orendi dhe paisje për mobilim zyrash për Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”. Këtë tender Mullaj i ka dhënë kompanisë Ro-Al shpk me pronar Robert Kaso.
‘Bishtaleci’ i ka dhënë dhe ka ndarë miliona euro me hajdutin me damkë, Njazi Prençi, i arrestuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion me tendera, falsifikime dhe mashtrim me zbatimin e kontratave. Prençi i ka marrë tenderat përmes tre kompanive në emrin e tij, të të birit dhe të bijës: Regli, Mc Catering dhe Eglenti.
Në korrik 2023, Mullaj i ka dhënë me pazar në tavolinë Eduart Resulit një tender 2.2 milionë euro. Resuli ka marrë mbi 10 milionë euro tendera nga ‘bishtaleci’, ndërsa miliona euro ka ndarë me Robert Kason, pronar i kompanisë RO-AL si dhe me Paulin Gegën, i cili pagoi 300 mijë euro për të mbyllur dosjen në Prokurorinë e Tiranës për evazion fiskal dhe pastrim parash.
Miliona euro ka ndarë edhe me klientët Shpresa Nika, Xhino Sinani, i biri i Shemsi Sinanin i dënuar për korrupsion me tenderat, me kompaninë Nelsa të Nexhmi Ballës, i dënuar gjithashtu për korrupsion me tendera, me Piro Zoga, me Gëzim Dobi, Vasil Kapurani, Luan Kapri, Lulzim Qefalia, Platent Gjinari si dhe me dajën e Ilir Metës, Vladimir Metanin.