Nesër më 23 janar, SPAK ka thërritur për të marrë në pyetje Sali Berishën në hetim për korrupsion pasiv, dhe dy ditë më pas, më 25 janar, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, në hetim edhe për pastrim parash për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.
Mes këtyre 2 datave, pritet një zhvillimi rëndësishëm.
Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Ilirjana Olldashi do të shqyrtojë kërkesën e Berishës për heqjen e “arrest shtëpie” dhe përjashtimin e Irena Gjokës, gjyqtares që ka caktuar masën e sigurimit personal ndaj ish-kryeministrit.
Siç Report Tv zbuloi ekskluzivisht, gjyqtarja Olldashi është në konflikt interesi pasi në vitin 2015 ka blerë apartament me çmim preferencial 712 euro m² në një nga 19 kullat e kompanisë në hetim “Homeplan” ku aksioner është edhe Malltezi, të cilin më herët e liroi nga paraburgimi dhe e çoi në shtëpi.
Konflikti i interesit është pranuar edhe nga SPAK i cili ka bërë rekurs në gjykatë të lartë kundër masës “arrest shtëpie” duke kërkuar kthimin në qeli të Malltezit, i cili akuzohet se ka përfituar 5.4 mln euro nga ndërtimi i kullave.
SPAK kishte thirrur Berishën më 17 janar për t’u marrë në pyetje, ndërsa Malltezin më 18 janar, por më kërkesë të avokatëve mbrojtës marrja në pyetje u shty. Nuk dihet nëse Berisha do shkojë për t’u marrë në pyetje. Ish-kryeministri u vendos në arrest shtëpie pasi theu masën e sigurisë detyrim paraqitjeje disa herë.