Afera Veliaj 15 milionë euro me koncesionin e Terminalit të ri

15 milionë euro është afera e radhës, e sapo nisur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e parashikuar përmes projektit për ndërtimin e Terminalit të Udhëtarëve në Kamëz. Dhënia me koncesion për realizimin e këtij projekti është shpallur nga Bashkia Tiranë në heshtje dy ditë më parë. Konkretisht, të hënën më datën 27 shkurt, Bashkia Tiranë ka rishpallur prokurimin për: “Partneritetin Publik Privat Për Hartimin, Ndërtimin, Financimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe Transferimin e Terminalit të Transportit Publik Tiranë”.
Sipas specifikimeve, data e fundit për dorëzimin e dokumenteve është 4 mars 2017 dhe kosto koncesionare është përkatësisht 2,098,487,894.00, ndërsa shpallja e fituesit parashikohet të bëhet më 1 prill të këtij viti. Lidhur me këtë të fundit, shpalljen e fituesit hidhen dyshime të forta se kompania që do të marrë përsipër realizimin e projektit është e paracaktuar. Kur skanë kaluar as dy ditë nga shpallja e tenderit, një kompani, konkretisht Shoqëria 2T ka denoncuar kriteret mbi të cilat Bashkia ka shpallur tenderit, sipas ankesës së të cilës Bashkia po diskriminon kompanitë e huaja, duke vendosur kushte preferenciale për fituesin potencial. Nga ana tjetër, shoqëria në fjalë vë në dukje se, Bashkia në kriteret e saj parashtron se për një koncension të tillë parapëlqen operatorët,  ndërsa kufizon pjesëmarrjen e oepratorëve të huaj. Kjo ankesë u bë publike dje nga portali Open Data.
“Ankesa të shoqërive tregtare për kritere të vendosura për pjesëmarrje në garë, Prokurime dhe Tendera nuk janë të shpeshta sa ankesat për kualifikime dhe renditje sipas vlerësimit. Në tenderin për Koncesionin e Terminalit të Udhëtarëve Kamëz, koncesion nga Bashkia Tiranë një kompani shqiptare ka paraqitur ankesë, duke kundërshtuar 5 elementë të Dokumenteve Standarde të Tenderit. Subjekti 2T SHPK, pretendon se bashkia ka diskriminuar kompanitë e huaja dhe ka vendosur kritere me preferencë për kompani me eksperiencë në sektorin e infrastrukturës rrugore, preferencë kjo relevante me objektin e Koncesionit. Ankesat e kompanisë janë pranuar pjesërisht nga Komisioni i Prokurimeve Publike”, thuhet në njoftimin e portalit Open Data.
Konkretisht Shoqëria 2T ngre shqetësimin se: Dokumentacioni i kërkuar pengon Konkurencën e Lirë, pasi kufizon pjesëmarrjen në garë të operatorëve të huaj. Paqartësi në afatin dhe vlefshmërinë e sigurimit monetar të ofertës. Mospërcaktim i kohës së dorëzimit të ofertave. (Ora e saktë). Kërkesa të panevojshme. (Kontrata, Marrëveshje Shërbimi etj). Kritere që avantazhojnë subjekte me eksperiencë dhe vëllim punimesh vetëm në infrastrukturë rrugore. Pretendohet parapëlqim i operatorëve.

Shpallja e tenderit

Partneritet Publik Privat për hartimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit të një terminali të ri të transportit publik, mirëmbajtjen e tij, si dhe menaxhimin e mëvonshëm të terminalit të transportit publik të Tiranës (“Projekti”).  Vlera e vlerësuar e projektit është 15.477.857,31 Euro (pesëmbëdhjetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatëmijë e tetëqind e pesëdhjetë e shtatë presje tridhjetë e një) (pa përfshirë TVSH). Gjatë ndërtimit të terminalit, objektivi i Autoritetit Kontraktor është përmirësimi i lëvizshmërisë së përgjithshme, duke siguruar një terminal me kapacitet të plotë transporti, ku autobusët ndërqytetës do të shkarkojnë pasagjerë për në autobusë urbane dhe taksi përgjatë korridorit kryesor të qytetit në pjesën veriore, perëndimore dhe jugore të vendit, duke zvogëluar bllokimet e trafikut në qendër të qytetit, përmirësimin e ndotjes së ajrit dhe reduktimin e konsumit të karburantit për transport publik. (Vlera e koncesionit prej 2 098 487 894 lekë është llogaritur me kursin e ditës 1 euro = 135.58 lekë) Autoriteti Kontraktor do të ofrojë një truall prej 85,000 metra katrorë vendosur përgjatë korridorit kryesor që çon në Veriperëndim, nga qyteti në drejtim të Durrësit, truall i cili do t’i kontraktohet në baza afat gjatë Ofertuesit fitues për të ndërtuar, operuar dhe për të ruajtur terminalin për të mirën e operatorëve dhe udhëtarëve. Në shkëmbim, të gjitha tarifat e vendqendrimit të autobusëve, të ardhurat e qiradhënies me pakicë, dhe tarifat e parkimit, do të arkëtohen nga Operatori Ekonomik për amortizimin e CAPEX-it të tij fillestar, shpenzimet operative, dhe për mbulimin e shërbimit të borxhit. Vendndodhja e objektit të kontratës – Rruga e “Kastriotëve”, Kthesa e Kamzës, Tiranë.

Arben Shahini

Exit mobile version