Afera vijon, Rama shton 1.3 milion euro fondin për dekoderat

Qeveria ka vendosur dje të shtojë një fond prej 180 milionë lekësh të reja (afërsisht 1 milion e 300 mijë euro) për blerjen e dekoderave televizivë për familjet në nevojë. Ishte një vendim i paralajmëruar nga viti i kaluar, kur u miratua fondi i parë prej 170 milionë lekësh, ndërsa 180 milionë lekë u vendos të përballoheshin nga buxheti i vitit 2016.
Po nga dalin këto fonde? Logjika e do që, përderisa ishte parashikuar një shpenzim i tillë, ai duhet të ishte parashikuar në buxhetin e vitit 2016. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe dekoderat do të blihen me paratë që do të zbriten nga programe të tjera sociale të parashikuara nga ministria e Blendi Klosit.
Në të njëjtin vendim, Këshilli i Ministrave i ka hequr këto fonde nga të tjerë programe të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Programet që do të ‘sakrifikojnë’ për dekoderat janë “Tregu i punës”, “Përfshirja sociale” dhe “Arsimi i mesëm profesional”.
Konkretisht, gati 1 milion euro nga programi “Tregu i punës” që u shpërndahen në formë transfertash familjeve dhe individëve  do të shkurtohen. Në të njëjtin program janë afërsisht 150 mijë euro të tjera në zërin “mallra dhe shërbime” që shkurtohen.
Programi “Tregu i punës” synon nxitjen e punësimit në vend. Një tjetër shkurtim është bërë në programin “Përfshirja sociale” që synon mbështetjen e fëmijëve në nevojë dhe komuniteteve të paintegruara, si komuiniteti rom.
Ndërsa 150 mijë euro më pak do të ketë programi për nxitjen e arsimit të mesëm profesional, i shpallur si prioritet nga qeveria shqiptare me slloganin “Punë ka, por nuk ka profesionistë”.
Me shkurtimet që i bën buxhetit të këtyre programeve, do të ketë më pak para për nxitjen e punësimit, më pak për të mbështetur fëmijët në nevojë dhe romët, më pak për të formuar profesionistët që do të zhvillojnë tregun e punës, por më shumë dekodera telëvizivë.

Hashtag

Artikulli paraprakDokumenti që provon të vërtetën e përgjimeve
Artikulli tjetërZagani: Karlo Bolino ka falsifikuar dokumente italiane