Megavjedhjet e Ramës dhe ortakut të tij Besnik Sula në industrinë e naftës kanë qenë dje pjesë e denoncimeve të ish-kryeministrit Berisha në Parlament. Berisha reagoi edhe në lidhje me shkarkimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani ndërsa tha se akuzat e tij janë tronditëse. “Mund të duket bizarre, por unë kam një propozim: t’i japim fjalën në këtë Parlament ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai foli në konferencë shtypi, por akuzat e tij janë tronditëse dhe përmbysëse. Nuk mund të jetë Parlamenti indiferent dhe i pandjeshëm ndaj zërit të tij. Unë e kuptoj se organizata kriminale që kam këtu pas meje është e tmerruar dhe nuk e bën këtë, por ne si deputetë duhet t’i vemë në provë a kanë durim ta shohin drejt në sy Ylli Manjanin apo jo. A kanë guxim? Deri tani i keni marrë akuzat nga opozita, tani që i keni marrë nga qeveria çfarë do i thoni vetes?
Lidhur me naftën më kërkoi zotëria të them dy fjalë. A e di çfarë më thotë një mesazh që e kam këtu? Më njofton se inspektorë të Tatimeve, grupi i akcizës më saktë u paraqit për të kontrolluar ndërmarrjen e banditëve Rama-Sula, sepse janë mbi 60 mijë tonë që mungojnë dhe tani mund të jenë bërë dhe 80-100 mijë. Çfarë ndodhi? Pasi filluan dhe po gjenin një katastrofë, se ju e dini që ai paguan me rroga deputetët këtu të PS që folën për naftën, por dhe ata që s’folën, i paguan, por nuk paguan sigurimet shoqërore, kanë 18 muaj që 1200 punëtorë të Ballshit nuk u është paguar 1 qindarkë. Dhe çfarë bëri kushërira e mamasë, ndikull Belinda? E pezulloi kontrollin, shkoi e u tha ose do e nxirrni siç duhet ose ikni. A do më nga nafta? Se meqë më the fol.
Po çfarë kërkon ti më tepër kur banda e qeverisë gjobit me Kontroll Shteti 432 milionë euro në CEZ? Çfarë kërkon ti kur Rama me CEZ dhe ministrin e tij famëzi ndan 630 e ca milionë euro? Çfarë kërkon ti kur në katër vjet nuk ka investuar një qindarkë përveç investimeve që trashëguat nga qeveria e mëparshme? Çfarë do ti më shumë për energjinë kur përzutë Bankers, e cila rriti nxjerrjen e naftës nga 300 mijë tonë në 1 mln e 200 mijë tonë? Çfarë do ti më shumë për energjinë kur larguat me dhjetëra kompani që do të ndërtonin HEC në katër anët e vendit? Apo kur bosi yt iu kërkon 10 mln euro? Do pra më për Belulin?! Vjedhje dhe vetëm vjedhje. Çfarë do ti më shumë për energjinë kur vetëm investime të huaja në Shqipëri me të cilat rreh gjoksin kjo qeveri janë Fani dhe Devolli me TAP-in, që të gjitha kontrata të firmosura nga qeveria e mëparshme? Çfarë do ti më shumë për energjinë kur linja e prokuruar e transmetimit Tiranë-Prishtinë e tenderuar nga qeveria e mëparshme falë miqësisë së Ramës me Vuçiçin i është vënë kyçi dhe nuk funksionon. Dhe bëni gjoja ligje. Pse letra të vdekura doni të bëni? Ato nuk kanë vlerë.
Para se të largohem, unë do të dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e pashembullt të trafikantit të drogës, që ka mbjellë fshatin me Olsi Ramën me parcela droge, që ka qenë anëtar i grupit të tij në Boston, dhe largimin e tre prej kompozitorëve aktualisht më të shquar të vendit, që kanë përbërë gjeninë krijuese më cilësore. Por një piktor dështak ka vetëm urrejtje për artistët e vërtetë. Duke mos njohur në jetën e tij sukses, por vetëm dështim, do t’i godasë ata njëri pas tjetrit. Çfarë kishit ju me Shpëtim Saraçin, i lindur në TV për formimin e tij dhe muzikën shqiptare, apo me Edmond Zhulalin dhe Alfred Kaçinarin? Po keni fytyrë të dilni para shqiptarëve me këtë akt që bëni? Dhe përdorni pretekste absurde. Ky është një akt i dënueshëm, i një njeriu të cilin e kam denoncuar po këtu në Parlament, mesazhet që vinin për plantacionet e drogës me Olsi Ramën, dhe mediat njoftuan se forcat e rendit në Kolonjë shkuan në destinacion tjetër dhe jo në plantacionet Rama-Gëllçi. Dhe ky njeri, ky antivlerë e vërtetë merr guximin të largojë tre gjeni të muzikës dhe kompozimit të Shqipërisë”, tha Berisha.