Miliarderi amerikan George Soros, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Kryeministrin Edi Rama, ka interesa financiare në naftën shqiptare. Zbulimi është bërë nga Kohelet Policy Forum, një institut kërkimor mjaft i njohur izraelit. Dokumentet e bëra publike nga Kohelet Policy Forum, zbulojnë se Soros është aksioner në kompaninë San Leon, e cila ka fituar nga qeveria shqiptare kontratën për kërkim nafte në Bllokun e Durrësit, një nga blloqet më të mëdha të naftës në vend.
Blloku i Durrësit përfshin një sipërfaqe prej 4200 kilometrash katrorë, që shtrihet midis Kepit të Otrantos dhe gadishullit të Karaburunit. Në vitin 2015, me firmë të Kryeministrit Edi Rama, kompanisë San Leon iu miratua leja e ndërtimit për dy puse, Zverneci 1 dhe 2 të gjendur në zonën e Nartës në Vlorë. Edhe pse deri tani kompania nuk ka bërë asnjë shpim, ajo vazhdon të ketë të drejtën ekskluzive të kërkimit në bllokun më të madh të naftës në Shqipëri.
San Leon
San Leon Energy është një kompani me qendër në Dublin të Irlandës. Ajo ka asete në disa shtete të ndryshme, përfshirë Shqipërinë, Francën, Irlandën, Nigerinë, Poloninë dhe Marokun. George Soros kontrollon një pjesë domethënëse të San Leon përmes kompanisë së tij Quantum Partners, një fond privat investimesh i zotëruar tërësish nga familja Soros. Sipas të dhënave të bëra publike nga instituti izraelit Kohelet Policy Forum në vitin 2010 Soros ishte aksioneri më i madh i San Leon me 20 për qind të kuotave, ndërsa në fund të vitit 2016 pjesa e tij rezulton të jetë 8.52 për qind.
San Leon ka fituar licencën ekskluzive të kërkimit në Bllokun e Durrësit që në vitin 2004. Por kompania nuk ka kryer investimet e parashikuara në kontratë. Ndonëse në vitin 2013 asaj duhet t’i ishte hequr licenca për mospërmbushjen e kontratës, kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por në vitin 2015 kompanisë iu dha leja e ndërtimit për pusin Zvërneci 1 dhe 2.
Soros
George Soros është një figurë kontroversiale në arenën politike ndërkombëtare. Miliarderi amerikan me origjinë hungareze konsiderohet si një nga spekulatorët më të mëdhenj të tregjeve, por më së shumti ai njihet për ndërhyrjet politike, veçanërisht në vendet në zhvillim duke favorizuar forcat e majta politike, përmes fondacionit të tij Soros. Në Shqipëri, opozita ka kërkuar shpalljen non grata të George Soros, pasi fondacioni i tij ishte hartuesi i draftit fillestar të reformës në drejtësi, që praktikisht e vinte sistemin e drejtësisë në varësi direkte të kryeministrit Edi Rama. Fondacioni për Shoqërinë e Hapur Soros mbërriti në vendin tonë që prej 1992, me qëllim ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe për të inkurajuar nismat sociale, nën drejtimin e miliardierit hungarezo-amerikan George Soros, që ka shtrirë rrënjët me “programet” e saj kudo. Ndaj tij janë hedhur vazhdimisht akuza se pasurinë e ka ngritur duke iu shmangur taksave, manipulimit të ligjit në disa vende të pazhvilluara të botës. Edhe në Shqipëri kanë qenë të shumta akuzat se Soros mban në kthetra politikën shqiptare, konkretisht të majtën, institucionet e drejtësisë dhe se vazhdimisht po devijon rrugën e reformave sipas interesave të fondacionit.
Rama e ka shndërruar sektorin e naftës në biznes familjar
Sektori i naftës, një nga më fitimprurësit në vend është shndërruar në biznes të mirëfilltë familjar të Ramës dhe ortakëve pranë tij. Në një shkrim të revistës “Monitor” bëhet me dije se, për vitin 2017 50% e naftës së prodhuar nga Bankers Petrolium i është shitur kompanisë “Ionian Refining & Trading Co. IRTC SH.A” (IRTC), pas së cilës qëndron biznesmeni klient dhe mik i ngushtë i Edi Ramës, Besnik Sula i “Tajvanit”. Sasia për vitin 2016 e naftës së nxjerrë ka qenë rreth 1.2 milionë tonë naftë, ndërsa sivjet pritet që të ulet me 1 milion tonë. Më parë, thuajse e gjithë sasia që prodhohej shkonte për eksport, pasi ARMO, e cila ka ndryshuar emrin në IRTC, nuk kishte kapacitet dhe teknologji përpunimi për shkak të cilësisë së ulët të saj. Ndërkohë që IRTC vazhdon me teknologjinë e vjetër të ARMO, Bankers Petroleum po shet naftën e Patosit për përpunim tek kjo firmë. Më pas, kjo e fundit e hedh në tregun vendas, në formën e përpunuar të naftës apo benzinës, por që është shumë më e ulët në cilësi se nafta e importit. Nuk janë pak, por rreth 500 mijë tonë naftë ose sa 60 deri në 70 për qind e konsumit vjetor. “Ionian Refining dhe Trading Co. IRTC SH.A” (IRTC) kompani e krijuar së fundmi nga Besnik Sula i Tajvanit siç e njohin të gjithë, mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Lajmi u bë i ditur më 1 shtator të vitit të kaluar nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do t’i shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto, shoqërisë së mikut dhe partnerit të Edi Ramës dhe të vëllait të tij Olsi Rama.