Afgani i evakuuar: Lashë familjen në aeroport, nuk i lejuan, jam i shqetësuar për ta

Imazhet e kaosit, shpërthimet e bombave dhe njerëzit që përpiqen të hyjnë në aeroportin e Kabulit kanë qenë në qendër të vëmendjes së mediave në të gjithë botën.

Siç raporton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Saba Shah Khan, qindra afganë, që kanë patur fatin të hipin në një nga avionët e evakuimeve, kanë mbërritur në aeroprtin “Dulles” pranë Uashingtonit.

Abduli ka shërbyer si përkthyes për ushtrinë amerikane dhe po ashtu është i pajisur me kartën e gjelbër. Ai thotë për Zërin e Amerikës se familja e tij nuk u lejua të futej në aeroport me të.

“E gjithë familja ime është përsëri atje. Unë jam shumë i shqetësuar për ta. U përpoqa t’i fus brenda aeroportit, por forcat e sigurisë nuk i lejuan”, thotë ai.

Të tjerët tregojnë për skenat e tmerrshme që kanë parë në aeroport, ku disa njerëz të dëshpëruar për t’u larguar u shtypën nga turma. Arifi është i shqetësuar për dy familjarët e tij, të cilët mbanin poste të larta qeveritare.

“Dy familjarët e mi punuan në qeverinë e mëparshme në poste të larta. Ata u përpoqën edhe dje të hynin në aeroport, por askush nuk i lejoi. Ne e dimë se këta njerëz janë të rrezikuar. Talebanët tani kanë filluar të shkojnë në shtëpitë e njerëzve që ishin pjesë e qeverisë, veçanërisht të rangut të lartë; njerëz të rëndësishëm. Kam dëgjuar se disa nga ata tashmë janë zhdukur. Nuk ka asnjë lajm për ta. Pra, ekziston një frikë e madhe se këta djem janë në rrezik të vërtetë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Arifi shpreson se Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të evakuojnë të gjithë njerëzit që janë në rrezik në Afganistan. Ai thotë se që kur talebanët morën kontrollin e qyteteve, veçanërisht të Kabulit, gratë rrallë shihen jashtë.

“Kjo në vetvete është dëshmi se gratë kanë frikë të madhe se nuk mund të dalin jashtë. Ato nuk mund të punojnë, nuk mund të shkojnë në shkolla, edhe pse talebanët po thonë se ata kanë ndryshuar. Por ky nuk është realiteti, sepse në realitet situata është krej ndryshe”, thotë ai.

Pasagjerët që mbërrijnë në Aeroportin Ndërkombëtar “Dulles” thonë se janë të lodhur dhe pa gjumë. Disa thonë se atyre iu siguruan ushqime vetëm për dy ditët e fundit në Katar, por ata janë mirënjohës për përgatitjet e shpejta të bëra nga ushtria amerikane.

Sidoqoftë, ekziston një zemërim i madh midis udhëtarëve për rënien e qeverisë afgane.

“Të gjithë këta njerëz punuan me forcat e koalicionit, punuan me forcat amerikane për 20 vitet e fundit. Dhe më në fund presidenti ynë e shiti vendin brenda natës dhe njerëzitu shokuan. Dhe ne e vlerësojmë Presidentin Joe Biden që po ndihmon të gjithë”.

Pothuajse të gjithë njerëzit që vijnë në SHBA këtu kanë dy gjëra të përbashkëta: frikën për ata që kanë mbetur në Afganistan dhe shpresën për një jetë më të mirë për ata që janë larguar.

Exit mobile version