Statuja të çara, mure të shkatërruara të tempujve, mure të shkarravitura: qyteti antik sirian i Palmiras tregon plagët pas dhjetë muajsh nën sundimin e dhunshëm të milicisë xhihadiste «Shteti Islamik» (IS). Përmasën e shkatërrimit dhe keqpërdorimit të objekteve kulturore nga ana e ekstremistëve tani kishte mundësi ta shikonte nga afër një ekip i agjencisë franceze të lajmeve AFP, pasi trupat qeveritare siriane para një jave rikthyen kontrollin mbi këtë qytet antik.
Në hyrje të Tempullit të Balit dymijë vjet të lashtë xhihadistët me ngjyrë të zezë kanë shkruar: «Shteti islamik. Ndalohet hyrja e civilëve dhe vëllezërve (luftëtarëve)». Muret e jashtme dhe oborri i tempullit qëndrojnë ende, por pjesa e brendshme, ku zhvilloheshin lutje, tani është vetëm një grumbull me gurë. IS e kishte hedhur në erë tempullin gjatë verës.
Në përgjithësi terreni i qytetit antik është i mbuluar me gurë me ngjyrë bezh dhe oker, të cilët dikur përbënin kolonat dhe harqet. Mamun Abdulkarim, i cili është përgjegjës për objektet e lashta kulturore në qeverinë e Sirisë, tha se ishte optimist se objektet kulturore të shkatërruara nga IS mund të ndërtohen brenda pak vitesh me ndihmën e OKB-së. Por edhe ai e pranoi: «Natyrisht që Tempulli i Balit nuk do të jetë kurrë më ai që ka qenë».
Teatrin Romak, një ndërtim madhështor nga shekulli i dytë, i cili është ende i paprekur, xhihaidstët e kanë keqpërdorur për ekzekutime publike. Një mur është i njollosur me emra të luftëtarëve, një tjetër i mbuluar nga vrimat e plumbave. Këtu fëmijët e luftëtarëve të IS ishin të detyruar të rrokin armët dhe, mes tjerash, të ekzekutojnë ushtarët qeveritarë.
Atje ku gjendej faltorja e Tempullit të Balshaminit, po ashtu të shkatërruar, tani shihen vetëm katër kolona. Edhe pjesët e mbetura të harkut madhështor të triumfit janë të shpërndara në tokë. «Nuk do të jetë vështirë të rindërtohet, sepse të gjithë gurët janë këtu», thotë Abdulkarimi. Po ashtu ai thotë se harku në vitet 30-të është restauruar njëherë. «U bëj ftesë arkeologëve dhe ekspertëve nga mbarë bota për të ndihmuar».
Edhe në Muzeun Nacional në Palmira xhihadistët janë marrë me shkatërrime. Ata kanë hequr kokat e busteve të grave të stolisura, kanë nxjerrë vizatimet nga muret dhe kanë shëmtuar skulpturat prej guri, të cilat kanë vlerë të paçmueshme. Gjatë sundimit të tyre në Palmira muzeu u shërbente xhihadistëve si gjykatë religjioze.
Talal Barasi, guvernator i provincës, tha se ishte i lumtur që ishte arritur që 400 «pjesët më të bukura» të muzeut të ruheshin në një vend të sigurt para se të vinte IS.
Hotelet e qytetit, dikur plot me turistë, janë të zbrazëta. Në çdo vend mungojnë xhamat. Një kishë aty afër ishte shndërruar në qendër rekrutimi. Burgun e dikurshëm të Palmiras xhihadistët e hodhën në ajtër dhe hapën qendrat e tyre të burgimit, mes tyre edhe në një pallat të drejtësisë të qeverisë.
Atje në njërën nga dyert në bodrum shkruan: «Qendër përgjimi». Shihet një hapësirë e gjatë, pa orendi, me dyshekë në dysheme. Në mur të burgosurit kanë lënë emrat dhe porositë e tyre. Fjala «farah», arabisht për «gëzim», gjendet e rrethuar me një zemër të madhe.
«Kam qenë 14 ditë në këtë qeli», tregon Abu Mahmud, më parë një nëpunës në Palimira. Për çdo ditë vinin xhelatët e IS, sauditë, irakianë apo tunezianë dhe e merrnin në pyetje. «Me atë rast ma vënin shpatën në fyt».
Mahmudin e nxorën nga burgu, ai iku dhe iu bashkua një trupe të afërt me qeverinë. Disa nëpunës të tjerë nuk kishin kaq shumë fat. «Ata u ekzekutuan, kufomat e tyre u hodhën në shkretëtirë dhe u shqyen nga qentë».
Sipas guvernatorit Barasi ekspertët vlerësojnë se 30 për qind e qytetit të vjetër të Palmiras është shkatërruar. Për pak Palmira ka shpëtuar nga më e keqja, siç tregon Mahumdi dhe konfirmon Barasi. IS minoi qytetin antik me 4500 mjete shpërthyese. «Njëri prej nesh është veshur si xhihadist dhe e ka vrarë atë që duhej të ndizte mjetet shpërthyese», tregon Mahmud. Tani mjetet shpërthyese po çmontohen një nga një.