AGIM BAÇI: LEXUESI I JEP KUPTIM LIBRIT!

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtariAgim Baçi

– Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

– Në shtëpinë time lexonte gjyshi, xhaxhallarët, vëllai, motrat e mia e më dukej se rruga ime për në këtë botë do kalonte patjetër nga libri. Nga fëmijëria, mbaj mend mamanë që më kërkonte gjithandej kur merrja një libër në dorë, pasi nëse nuk e mbaroja, nuk doja të kthehesha në shtëpi, pasi mendoja se po ta mbyllja libri mund të mos vazhdonte aty ku e kisha lënë historinë. Në fakt, shumë vonë kuptova, se libri nuk do vazhdonte më ashtu siç e mbyllja unë, por jo për shkak të librit, por për shkak se unë nuk isha në të njëjtën gjendje shpirtërore si në momentin e mbylljes së librit. Është një zakon që më ka ndjekur në të gjithë këto vite, që më rri mendja te libri që kam nisur, derisa ta mbaroj, dhe ndodh që të mos jem i përqendruar në punët e tjera nëse e kam lënë të hapur librin. Ndoshta ky “ves” ka qenë edhe fati im i madh.

–  Kur ratë në “grackën” e saj?

-Leximet më bënin që shpejt ta gjeja veten duke sajuar histori e duke thurur vargje me rima për bashkëmoshatarët, sa kur kam nisur të shkruaj, më dukej sikur po bëja gjënë më normale në jetë. Natyrisht, nuk flisja kurrë në shtëpi për këtë dëshirë timen për t’u bërë shkrimtar dhe shumë vonë e kanë marrë vesh që shkruaja. Madje, personi që nuk do t’i prezantohesha kurrë si shkrimtar është mamaja ime, pasi përpara saj, jam fëmija që e dëgjoj pa mundur të them, se disa gjëra i di dhe unë. Nuk e kam mundur kurrë këtë fuqi të saj te unë…

– Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Nuk mund të them dot se kur jam ndjerë shkrimtar. Mund të them se jam ndjerë gjithnjë lexues dhe ky status më ka pëlqyer shumë, më ka shtyrë që të hedh ndjesitë e mia në letër për librat që kam lexuar dhe shpesh kam botuar për këta libra. Megjithatë, brenda vetes, më duket sikur kjo dëshirë ka banuar për shumë kohë. Por, le ta themi hapur- nuk e di as nëse ky shkrimtar brenda meje është banor “autokton”, apo qiraxhi i përkohshëm…

-A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Shkruaj sepse ndjehem mirë kur arrij të përshkruaj gjëra që më rrok syri, mendja apo zemra dhe që më lidhin me gjithçka që ka qenë edhe më parë e që do ekzistojë edhe pas meje; shkruaj sepse dua që mos të më mbysë heshtja për atë që duhet thënë; shkruaj sepse mendoj se kam për të thënë disa gjëra që s’më përkasin vetëm mua; shkruaj sepse kam frikë se disa ndjesi nuk do jenë aq të forta nëse nuk i përkthej në fjalë; shkruaj sepse besoj se do më kuptojnë dhe do njoh më shumë se sa mendoj; shkruaj sepse e di që ajo që ëndërroj udhëton me mua, por e di që nuk është vetëm e imja… Ndoshta të gjitha këto bashkë janë arsye për të shkruar, ashtu siç mendoj se mund të mos kem zbuluar ende arsye të tjera.

 Ç’ka ju bën të veçantë si shkrimtar?

-Kur shkruaj kam gjithnjë në mendje gim baçin lexues – shkruaj sikur kam dikë përballë që po flet, sikur është aty duke diskutuar me mua dhe kjo më bën që të parashikoj disi lexuesin tim. Tregimet, romanet, madje dhe librin më epistolar, e kam rrokur nga këndvështrimi i lexuesit, duke besuar me fuqinë e madhe se lexuesi i jep kuptim librit dhe se autorët pa lexuesit nuk do kishin zë…

– Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Unë ngre pyetje dhe për veten kur shkruaj dhe më duket sikur jam në krahun e lexuesit për përgjigje. Unë besoj se letërsia na bënë më të mirë me veten, nëse arrin të na depërtojë në lëkurë, në mendje, e të na kalojë si një korent në të gjithë qenien tonë. Nëse një letërsi nuk arrin të na shtyjë të shqyrtojmë, të rishikojmë gjërat duke nisur nga vetja, mendoj se nuk do arrijë të bashkudhëtojë gjatë. Kthen kokën në letërsinë e madhe botërore dhe habitesh se si ka mundësi që libra të shkruara 1000 mijë vite, 500 vite, 200 vite, 100 vite më parë mund të kenë më shumë pyetje aktuale se sa romanet e sotme. Sepse letërsia ka qëllim Njeriun e jo qytetarin. Letërsia nuk e ka me agim baçin, lagjia x, rruga x, ngjyra e syve apo të tjera detaje. Thjesht janë pyetje që kanë të bëjnë në marrëdhënien tonë me të përhershmen dhe e përhershmja, ka pyetje të rëndësishme që duhet t’u përgjigjemi, përpara se të na hutojë tanishmëria.

–  Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Po të besoj se kam thënë më shumë se ç’kam për të thënë, do ndaloja menjëherë së shkruari. Unë mendoj se atë që duhet të shkruaj nuk e kam shkruar ende, edhe pse kur kthej kokën pas, arrij të lexoj me kënaqësi shumë nga ato që kam botuar edhe pse … shumë nga romanet, tregimet dhe poezitë e mia i kam ende të pabotuara.

– I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Nuk besoj se ka një formulë për jetën për të shkruar. Varet nga aftësia për të parë pyllin dhe jo pemën. Nëse Zoti ta jep këtë aftësi, atëherë edhe mund të bashkëjetosh me letërsinë

– Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Do doja ta mësoja kuptimin e fjalës “sistematik”. Por më duket se kuptimin e kësaj fjale ma ka rrëmbyer profesioni si gazetar, por nuk ka arritur të ma rrëmbejë dhe letërsia.

–  Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Edhe 1 mijë herë po të mbërrija në këtë botë dhe të ishte në dorën time, padyshim që do thoja “Po”. Puna është se them “do doja të isha!”, por se sa jam, mbetet të udhëtoj ende.

ObserverKult

Exit mobile version