Agim Baçi: Mosdënimi i së shkuarës, është ‘ridënimi’ ynë si shoqëri

Nga Agim Baçi

Shumë vende evropiane që kaluan mallkimin e diktaturave komuniste kanë mundur që të ringrihen pasi kanë mundur të shohin në sy vetveten. Pendesa e mjaft prej aktorëve të së ligësisë kriminale dhe, sidomos, kërkesa e fortë e shoqërisë për të zbardhur të shkuarën e vet, solli në këto vende që gabimet e ndërtimit të institucioneve në demokraci të ishin më të kapërcyeshme.
Ndërsa ne, në 35 vite, në vend të ndëshkimit të së keqes, e lamë të shkuarën të ishte pjesë e përditshmërisë pa asnjë ndjenjë faji, pa asnjë pendesë. E për pasojë, rifituam servizlimin, hipokirizinë dhe një shoqëri të gënjeshtërt, që mbeti peng i së shkuarës. Të edukuarit me fabrikimin e së keqes na drejtuan në gjykata, prokurori, e për më tepër, në politikërje, duke i lënë rrugën të keqes që të bashkëjetojë pa u turpëruar për atë që ndodhi në gati pesëdhjetë vite krimesh e dhunimesh. Ky mosdënim i së shkuarës është edhe “ridënimi” ynë si shoqëri- një ridënim që e lamë vetë të ndodhte, sepse “dëshmitarët e rremë” të së ardhmes i morëm nga ata që diktatura i kish përgatitur për të mbajtur gjallë perversitetin e përditshëm, pa u penduar për asgjë kriminale që bënë në atë sistem.
Kështu, pasi kemi lënë këtë të keqe të triumfojë, nuk ka pse habitemi sot që Spaçi apo Qafë Bari të shkojnë drejt rrënimit, drejt zhdukjes, e në vend të tyre të lulëzojë turizmi te ish Piramida, apo te ish shtëpia e diktatorit, duke e sjellë të shkuarën kriminale të estetizuar për turistë.
“Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit”, shkruan shkrimtari Kim Memhemti. Por ne e sfiduam këtë shprehje, duke i lënë projektuesit e ferrit të djeshëm të na shesin projektet e tyre për parajsën e demokracisë. Dhe harruam që demokracia bëhet nga ata që mendojnë si të tillë, që veprojnë si të tillë, e jo nga nostalgjikët e një sistemi që vetëm Njeriun me Dinjitet dhe të Drejtën nuk e përfillte kurrë.

Artikulli paraprakMiqtë që u bënë armiq, si nisi lufta e shokëve të fëmijërisë. 7 vrasje, Erjon Alibej pagoi 388 mijë €
Artikulli tjetërSi Shqipëria ka instaluar “me ligj”, farsat zgjedhore!