Agim Zeka zyrtarisht te Lille

Mbyllet me sukses goditja e madhe e merkatos së Skënderbeut, këtë herë në dalje. Agim Zeka është një futbollist i Lillë, transferim nga i cili kampionët e Shqipërisë arkëtojnë 300 mijë euro, ndërkohë që Skënderbeu ka edhe 20% të të drejtave të rishitjes së Zekës në rast se 18-vjeçari transferohet nga francezët në një skuadër tjetër. Vetë futbollisti ka nënshkruar një kontratë afatgjatë prej 4 vitesh e gjysmë, deri në verën e 2021 me klubin francez siç shihet edhe në foton ku ndodhet bashkë me shefin ekzekutiv të Lille, Mark Inglo dhe menaxherin Shkumbin Qormemeti.
Një biznes fantastik ky për Skënderbeun që vijon në rrugën e transferimeve bombastike si ajo e Olyainkës apo Bernard Berishës, që në fakt kanë të njëjtin autor, menaxherin Shkumbin Qormemeti në bashkëpunim me drejtorin sportiv të klubit korçar Haris Fakic. Ishte në fakt boshnjaku, ai që bëri skautin për Agim Zekën duke e marrë nga Kategoria e Dytë e futbollit Kosovar, para një viti dhe brenda 12 muajsh është arritur që prishtinaliu, i konfirmuar si një talent në radhët e Skënderbeut, të shitet për një shumë të konsiderueshme prej 300 mijë eurosh.
Agim Zeka është vëzhguar në Francë nga ish-drejtori sportiv i Monaco, Luis Campos, i cili aktualisht mban këtë post te Lille, dhe pasi evidentoi vlerat e mesfushorit vendosi se 18-vjeçari është e ardhmja e Lillë. Drejtori sportiv Fakic, i cili bën një punë të shkëlqyer me zbulimin e talenteve të futbollit në trojet shqiptare dhe menaxheri Qormemeti mjeshtër i operacionecve të mëdha, kompletojnë kështu një tjetër transferim me shumë leverdi për Skënderbeun, ndërkohë që projekti i tyre në Korçë vazhdon me lojtarë të tjerë si Liridon Latifi, Gavazaj, Nimagën apo dhe lojtarë të zyrtarizuar së fundmi nga Skënderbeu, si Nazmi Gripshi e sulmuesi iranian Reza Karim.
Nga ana e tij, Agim Zeka i kontaktuar nga Supersport u shpreh i kënaqur me këtë transferim, duke falënderuar veç menaxherit Qormemeti e Fakic edhe presidentin e Skënderbeut, Takaj  duke i uruar titullin e 7-të kampion radhazi, ndërsa në aspektin personal shtoi se ky transferim është një motiv më shumë për të gjetur një vend titullari te Lillë dhe që një ditë të bëhet pjesë e Kombëtares A të Shqipërisë.

Artikulli paraprakMavraj drejt gradimit te Hamburgu
Artikulli tjetërLegjenda e Lacios: E ardhmja e klubit është Strakosha