Agjenci e posaçme për sulmet kibernetike

Komunikimet elektronike do të mund të sigurohen nga një autoritet i dedikuar dhe kjo falë ndryshimeve që janë bërë në legjislacion dhe që tashmë kanë hyrë në fuqi.
Sipas ligjit, institucioni përgjegjës për sigurinë e informacionit elektronik do të jetë Autoriteti i Çertifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike. Përmes tij do të bëhet e mundur edhe realizimi i asaj që njihet si “vula elektronike”, procedurat dhe rregullat për të cilën do të përcaktohen vetëm me vendim qeverie.
Sipas ligjit të hyrë tashmë në fuqi përcaktohen edhe masat më të përshtatshme për të siguruar një nivel sigurie të lartë dhe të përbashkët të rrjeteve në Shqipëri. Kapacitetet ekzistuese të operatorëve publikë nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një nivel të lartë të sigurisë në rrjetet dhe sistemet e informacionit.
Mungesa e kërkesave të përbashkëta minimale mbi administratën publike e bën të pamundur ngritjen e një mekanizmi bashkëpunimi kombëtar dhe ndërkombëtar.
Gjithashtu bëhet e mundur përcaktimi i kërkesave minimale të sigurisë, të cilat do të duhet të aplikohen nga operatorët e infrastrukturave/sistemeve kompjuterike shtetërore dhe të administratës publike, duke krijuar një kulturë të menaxhimit të rrezikut dhe raportimit të incidenteve.
Autoriteti do të jetë organi që do të parashikojë edhe masat që do të duhet të merren në rast kërcënimi ose incidenti kibernetik.
Si hap i parë është parashikuar paralajmërimi i subjekteve që do të publikohet në faqen e internetit të Autoritetit.
Gjithashtu do të përcaktohen edhe penalitete të tilla, si kundërvajtjet administrative për të gjitha subjektet që nuk zbatojnë detyrimet që lindin nga ky ligj.
Një tjetër çështje që synohet të parashikohet do të jetë përballja me gjendjen e krizës kibernetike, e cila i referohet ngjarjeve të rënda në këtë fushë që do të pengojnë apo cenojnë drejtpërdrejt aktivitetin jetik të shoqërisë.

Lehtësitë e nënshkrimit/vulës elektronike
Vula elektronike do të mundësojë edhe procedurën e vulosjes automatike të dokumenteve nga sistemet.
– Garanci për administratën publike, që do të përdorë dokumentin elektronik;
– Rritje e numrit të shërbimeve elektronike në dispozicion të qytetarëve;
– Përmirësimi i vazhdueshëm të shërbimeve të ofruara online;
– Rritja e shkallës së sigurisë për shërbimet e ofruara dhe ulja e korrupsionit;
– Lehtësi në kohë dhe në kosto për çdo grup interesi dhe çdo proces biznesi;
– Zhvillimi i nismave për qeverisjen elektronike dhe shoqërinë e informacionit;

Artikulli paraprakMasakra shqiptare me shfrytëzimin e naftës
Artikulli tjetërInflacioni në shifrat 2.2%