Agjentët e BKH-së kanë kryer kontrolle në një nga bizneset e njohura të Elbasanit në fushën e ndërtimit dhe jo vetëm.
Raportohet se agjentët e BKH kanë “zbarkuar” në biznes rreth orës 06:30 të mëngjesit të së enjtes dhe po ushtrojnë kontrolle të imtësishme në zyrat e saj.
Sipas burimeve, kanë sekuestruar fillimisht celularët e punonjësve. Me urdhër të prokurorit posaçëm të çështjes, agjentët kanë mbajtur procesverbal si edhe kanë sekuestruar dosje, kompjuterë dhe aparate celulare të biznesit, i cili rezulton se ka lidhje me hetimin dhe kontrollet që janë zhvilluar kohët e fundit për korrupsion në disa bashki të Qarkut të Elbasanit.
Kompania e kontrolluar rezulton se ka përfituar tendera të shumtë, mjaft prej të cilëve të dyshuar në mënyrë të paligjshme nga bashkitë e Qarkut të Elbasanit.
Në kuadër të këtyre hetimeve, agjentët e BKH-së kanë zbarkuar në biznes të mbështetur edhe nga policia. Prokuroria e Posaçme po heton disa kompani ndërtimi me aktivitet jo vetëm në Elbasan por edhe në Tiranë e Durrës .