Insajderi e ka siguruar listën e pagave të 21 punëtorëve, të spitalit të Shtërpcës në mesin e të cilëve është edhe Igor Jocinac. Ka pagë 406 euro bruto. Ai ishte arrestuar në vitin 2009, bashkë me ish-këshilltarin e presidentit Hashim Thaçi, për kinse ofrim parash për serbët në këmbim të dëshmive kundër UÇK-së.
Një agjent i pretenduar i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), paguhet nga shteti i Kosovës, pa bërë kurrfarë pune.
Igor Joçinac, i arrestuar në vitin 2009 kinse për ofrim parash për serbët në këmbim të dëshmive kundër UÇK-së, merr pagë mujore në vlerë prej 406 eurosh si punëtor i Spitalit të Shtërpcës, “spital”, ky që nuk ofron kurrfarë shërbimesh mjekësore.
Objekti është ndërtuar para disa vjetësh, por kurrë nuk është funksionalizuar.
Insajderi e ka siguruar listën e pagave të 21 punëtorëve, të spitalit në mesin e të cilëve është edhe Igor Jocinac. Ai ka pagë 406 euro bruto. Komuna e Shtërpcës, çdo vit paguan për pagat e stafit mbi 121 mijë euro, shkruan Insajderi.
Igor Juçinac, ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe kishte punuar në stacionin policor në rajonin e Ferizajt dhe të Gjilanit deri në vitin 2007. Është larguar nga Policia e Kosovës, për shkak të shkeljeve të parimeve dhe procedurave të policisë.
Ishte arrestuar në vitin 2009, së bashku edhe me dy agjentë tjerë të pretenduar BIA-s, Milutin Radanoviç (1957) nga Beogradi dhe Predrag Zheljkoviç (1976) po ashtu shtetas i Republikës së Serbisë nga Novi-Sadi, dhe Branislav Nikoliq, nën dyshimin se u kishin ofruar familjarëve të serbëve të zhdukur nga 20 mijë deri në njëqind mijë euro për të bërë dëshmi të rrejshme kundër UÇK-së.
Por, një kohë të gjatë Branislav Nikoliq, që është vëllai i kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, ka shërbyer si këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi. Ai u shkarkua nga detyra pas raportimit të televizionit T7.
Nikoliq, sikurse Igor Juçinac, gëzojnë privilegje, ndonëse për ta shteti i drejtuar nga Thaçi, pretendonte se janë agjentë të BIA-s.
Insajderi, kishte zbuluar se miku i ngushtë i Hashim Thaçit, Bratislav Nikoliq që është kryetar i Komunës së Shtërpcës, kishte ndikuar tek presidenti që vëllai i tij të emërohet këshilltar.
Pas arrestimit nga policia e Kosovës, Gjykata e Qarkut e Prishtinës, aso kohe, atyre ua kishte caktuar nga një muaj paraburgim.
Pak ditë pas kësaj, Misioni Evropian i sundimit të ligjit, EULEX-i ua kishte marrë rastin, duke përdorur kompetencat e garantuara me ligj dhe i kishte liruar që të mbroheshin në liri. Ata ishin arratisur nga Kosova dhe kurrë nuk ishin kthyer më.
Ndaj tyre nuk kishin vazhduar hetimet. Këtë e kishte zbuluar ish-prokurorja Maria Bamieh. 500 mijë euro shpenzime vjetore për spitalin që nuk punon Punimet për ndërtimin e objektit të Spitalit të Shtërpcës dhe disa objekteve përcjellëse të tij, kanë përfunduar para më shumë se 5 vjetësh.
Ndërtimi i këtij spitali kishte nisur në bazë të detyrimeve të pakos së Marti Ahtisaarit, për komunat me shumicë serbe. Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton kompetencat e zgjeruara vetanake në fushën e shëndetësisë, edukimit dhe të drejtës për të marrë pjesë në zgjedhjen e komandantëve të stacioneve policore.
Neni 20 i këtij ligji përcakton kompetencat për përkujdesin dytësor shëndetësor.
Komunat Mitrovicë e Veriut, Graçanicë dhe Shtërpcë kanë kompetenca për ofrimin e përkujdesit dytësor shëndetësor, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e personelit dhe administratorëve të kujdesit shëndetësor.
Por pavarësisht kësaj, spitali ende nuk e ka nisur së funksionuari, ani pse aty ka të punësuar që marrin paga çdo muaj.
Për çdo vit shpenzohen gjysmë milioni euro për paga të mjekëve, infermierëve, punëtorëve teknikë dhe stafi menaxhues, pa punuar fare.
Një praktikë e tillë është përcjellë që nga viti 2011, kur ende pa u finalizuar objekti i spitalit ishte zgjedhur drejtori i këtij institucioni shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë ka thënë në një përgjigje për Insajderin se nuk menaxhon me këtë spital.
Ndërsa komuna e Shtërpcës nuk është përgjigjur në pyetjet e Insajderit edhe pse gazeta ka pritur disa javë për përgjigje.
Pagesat e punëtorëve pa punuar theksohen si shkelje ligjore edhe nga Zyra Kombëtare e Auditorit. Në vazhdimësi ka gjetur se përveç pagave, Komuna e Shtërpcës ka shpenzuar para edhe për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe materialeve tjera shpenzuese për këtë spital. Komuna e Shtërpcës, vazhdimisht ka marrë vërejtje nga auditori për keqmenaxhim të parasë publike.
Gjetjet e Auditorit – paga e shpenzime për spitalin jofunksional
Qysh nga viti 2015, në raportet e Auditorit raportohen gjetje lidhur me shpenzimet për spitalin e Shtërpcës i cili as tash në vitin 2019 nuk ka nisur punën. Komuna e Shtërpcës, sipas auditorit ka blerë për këtë spital pajisje të cilat nuk janë përdorur asnjëherë, vetëm janë blerë e vendosur në depo.
Blerja e këtyre pajisjeve sipas auditorit i kanë kushtuar komunës së Shtërpcës rreth 117 mijë euro.
“Furnizimi me pajisje mjekësore ishte në vlerë 117,920€. Këto pajisje janë vendosur në depo, pasi që spitali ende nuk është në funksion. Shpenzimi i mjeteve për blerjen e pajisjeve të cilat nuk mund të futen në funksion mund të rrezikoj që kjo pasuri shumë e kushtueshme t’i ekspozohet ndryshimeve teknologjike dhe amortizimit”, thuhet në raportin e ZAP të vitit 2015.
E gjetur tjetër e ZAP-it është edhe pagat e mbi 20 punëtorëve që paguhen nga buxheti i shtetit edhe pse Spitalit nuk është në funksion.
“Në shëndetësinë sekondare, përkatësisht në spitalin e Shtërpcës, janë të punësuar 20 persona të cilët paguhen përmes listës së pagave me orar të plotë. Vlera e shpenzuar gjatë vitit për pagat e këtij stafi është 121,066€. Spitali i Shtërpcës ende nuk është ndërtuar dhe si i tillë nuk është në funksion. Të vetmen punë që kryejnë këta të punësuar është zëvendësimi i punëtorëve të shëndetësisë primare,” thuhet në të njëjtin raport.
Një vit më vonë ZAP, pagat e punëtorëve i përmendi si rekomandime të pa përmbushura.
Në vitin 2017, ZAP gjeti se në këtë spital u punësua edhe një person si shef i parkut të automjeteve.
“Në departamentin e shëndetësisë, nga drejtori ekzekutiv i spitalit në Shtërpcë, u shpall konkursi më 28/09/2017 për pozitën shef i parkut të automjeteve. Kontrata është nënshkruar më 23/11/2017, megjithëse spitali nuk është ende funksional”, thuhet në raport.