Karlo Ançeloti reagon për herë të parë për çështjen “Lewandowski”, duke drejtuar gishtin nga menaxheri i sulmuesit polak Maik Bartel, i cili pak ditë më parë ishte shprehur se klienti i tij ishte i zhgënjyer me trajnerin italian, pasi nuk e kishte grumbulluar në takimin e fundit të sezonit, duke i hequr mundësinë që të shpallej golashënuesi më i mirë i Bundesligës. 58-vjeçari u kundërpërgjigj duke theksuar se menaxherët e lojtarëve flasim më tepër se ç’u takon.
“Lewandowski nuk më është ankuar kurrë. Janë disa menaxherë lojtarësh që shpeshherë i japin gojës shumë. Nuk është hera e parë që ato flasin gabim në media. Dhe nuk do të jetë hera e fundit. Në një botë perfekte menaxherët nuk guxojnë të flasin”, është shprehur Ançeloti.
I drejtpërdrejtë italiani me këtë kundërpërgjigje ndaj menaxherit të sulmuesit të Bayernit, që e mbylli Bundesligën në kuotën 30 golave. Një tjetër temë për të cilën foli Ançeloti kishte të bënte me merkaton, më konkretisht për interesimin e mundshëm të Bayernit për Alexis Sanchez, të cilin e kërkon gjysma e Europës.
“Nëse klubi do të ketë mundësinë për ta blerë Sanxhezin, do ta marrë. Po flitet shumë për këtë lojtar në këto momente. Mua më pëlqen, por më duhet ta saktësoj që nuk është futbollisti i vetëm në botë në mekato. Tregu i futbollistëve ofron mundësi pa fund, është bërë një merkato e çmendur, por sigurisht Bayerni nuk është çmendur akoma”, tha ai
I pyetur për Tolliso, Ançeloti u shpreh se francezi është një lojtar shumë cilësor dhe mund të mbulojë më së miri vendin e lënë bosh nga Xabi Alonso, i cili i dha fund karrierës si futbollist.