Agolli dhe Qarabag festojnë titullin e katërt

Ansi Agolli dhe Qarabag-u në festë. Për titullin e katërt radhazi kampion të Azerbajxhanit, të pestin në historinë e klubit. Titulli ishte fituar matematikisht disa javë më parë, por ceremonia e dorëzimit të trofeut u zhvillua pas ndeshjes së parafundit të Premierligës azere, e fituar me rezultatin 2-1 përballë Sumqayit.
Një sezon i dominuar gjatë nga Qarabag-u, që pas 27 javëve të luajtura ka grumbulluar 59 pikë, ndërsa do ta mbyllë kampionatin me trasfertën në fushën e Neftçi, por është i pakapshëm nga rivalët më të afërt të Gabala-së.
Prej transferimit në vitin 2010 në Azerbajxhan, kapiteni i Kombëtares është shndërruar në një prej futbollistëve shqiptarë më të suksesshëm për trofe të fituar. Ansi Agolli do ta mbyllin sezonin më datë 5 maj, me finalen e Kupës përballë Gabala-së, ku Qarabag-u do të synojë që për të tretin sezon radhazi t’i fitojë të dy trofetë.

Artikulli paraprakDitë e errët e Mërgim Mavrajt
Artikulli tjetërBllokimi, prova e parë, marshojmë drejt Republikës së Re