Agolli rrezikon vendin

Trajneri Kristian Panucci ka filluar punën për të ndërtuar formacionin me të cilin do të përballojë ndeshjen e fundjavës me Lihtenshtejnin. Gjatë seancës së djeshme stërvitore, ai ka shpjeguar fillimisht disa lëvizje taktike, duke marrë për bazë vetëm mënyrën se si duhej të sillej reparti i mbrojtjes. Ky repart përbëhej nga Hysaj në të djathtë, Mavraj e Gjimshiti në qendër si dhe Memolla në të majtë. Mbrojtësi i Hajdukut është preferuar para kapitenit Agolli në këto ushtrime e më pas edhe në një lojë 9 kundër 9.
Pastaj, në një ndeshje 9 kundër 9, ai ndau lojtarët në dy skuadra. Njëri grup përbëhej nga Berisha, Hysaj, Veseli, Mavraj, Memolla, Memushaj, Roshi, Llullaku, Latifi. Kurse grupi tjetër përbëhej nga Strakosha, Balliu, Gjimshiti, Agolli, Abrashi, Lila, Ahmedi, Grezda, Sadiku. Në këtë ndeshje nuk u aktivizuan Ajeti, Basha e Kukeli, të cilët punuan me përgatitësin atletik.
Ndonëse ka përzier kartat për pjesën më të madhe të skuadrës, që tani kuptohet se Panuçi po mundohet të shohë reagimin e Memollës në krah të titullarëve të zakonshëm të prapavijës. Ndaj nuk është aspak çudi që ai të zbresë që nga minuta e parë në fushë kundër Lihtenshtejnit.
Në seancën e tij të parë, trajneri i Kombëtares Shqiptare nuk pati në dispozicion vetëm dy emra, mesfushorin Migjen Basha që do të luajë edhe një ndeshje me Barin dhe sulmuesin Jahmir Hyka, i cili do të mbërrijë të martën paradite në grumbulim për shkak të udhëtimit të gjatë nga Kontinenti Amerikan. Pjesa tjetër e skuadrës zbriti rregullisht në fushë, pasi asnjë prej 21 emrave të pranishëm nuk ka shfaqur probeme fizike. Grupi u nda fillimisht në dy pjesë, në njërën u stërvitën lojtarët e aktivizuar në fundjavë me skuadrat e tyre, ndërsa pjesa tjetër që përbëhej nga lojtarë me më pak minuta në këmbë, u stërvit e veçuar. I pranishëm në këtë seancë ishte edhe presidenti i FSHF, Armand Duka i shoqëruar nga zv/presidenti Lutfi Nuri. Stadiumi “Selman Stermasi” do të jetë shtëpia e kuqezinjve për dy ndeshjet eliminatore kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme, vetëm 15 minutat e para të stërvitjes do të jenë të hapura për mediat dhe publikun, pasi në pjesën tjetër, Panucci kërkon të punojë larg syve të kureshtarëve dhe mediave shqiptare apo të huaja.
Ajo e paradites ka qenë e vetmja seancë përgatitore për këtë të martë, ndërkohë që programi i Panuccit më pas vijon me nga dy seanca në ditë. Trajneri ka preferuar që në programin e detajuar për këtë stërvitje të zhvillojë edhe një mini lojë brenda grupit, ndërkohë që formacioni për Lihtenshtejnin nis të kristalizohet më konkretisht nga e mërkura. Pozitiv është fakti se, këtë herë trajneri i ka të gjithë futbollistët e grumbulluar në gjendje të mirë fizike, me asnjë nga lojtarët që nuk vuan probleme dëmtimesh, ndërkohë që edhe pse jemi vetëm në fillim të kampionateve shumica e lojtarëve që janë thirrur vijnë me minuta në këmbët e tyre, pasi janë aktivizuar në ndeshjet e para të Ligave përkatëse apo në kualifikueset e kompeticioneve europiane.

Artikulli paraprakGati zëvendësuesi i Latifit
Artikulli tjetërI vihet zjarri makinës së pedagogut në Elbasan