AGONIA, FAZA E FUNDIT E MBYLLJES SË CIKLIT

Nga Besart Logu

Pse nuk flet asnjë media apo zë publik se nga 11 qershori, kur Berisha u bë zyrtarisht kreu i PD, nuk ka marrë asnjë telegram urimi nga partnerët apo krerët e partive simotra?! Pse askush nuk flet për marrëdhënien e ngrirë mes PD dhe PPE?! Si ka mundësi që nuk qenka shqetësues izolimi ndërkombëtar i partisë më të madhe opozitare në vend?! Kujt i shërben kjo heshtje varri?!

E vërteta është se në afatshkurtër i shërben Berishës, nuk i cënohen pozitat e liderit të opozitës. Në afatgjatë i shërben Ramës, mundëson mandatin e katërt. Kjo është ruajtje e status quos dhe tregon mungesë të theksuar vullneti për të bërë ndryshimin. Është mënyra më efektive për ta zhytur edhe më thellë në depresion shoqërinë në kushtet kur PS ofron vetëm krim e varfëri dhe PD ofron vetëm retorikë e izolim.

Një gjë është e sigurt, gjithçka në këtë jetë është cikël. Vetë jeta është cikël ku ka një fillim, një vazhdim dhe një fund. Pra, fundi është i pashmangshëm dhe askush nuk e manipulon dot atë. Maksimumi mund të zgjasë agoninë e mbylljes së ciklit por jo ta zgjasë atë në pafundësi.

Për analogji, sot u dha lajmi se ish kreu i ADCA, Sudes moderne, i kishte dhënë fund jetës. Edhe ai u mundua me mekanizma juridik, politik e financiar të ruaj status quon korruptive gati 10 vjeçare që krijoi. Vitin e fundit u mundua të zgjasë agoninë ku i kishte rënë biznesi për shkak të pezullimit të lejeve e licensave por nuk mundi. U procedua, u vendos nën masë sigurimi personal, iu sekuestrua biznesi e në fund iku edhe vetë nga kjo botë.

Morali i gjithë çfarë kam shkruar është se askush në këtë jetë tokësore nuk mund të ndërhyjë në cikle të cilat janë parashkruara se si do të zhvillohen. Sado të futen duart për ta administruar si proces, është një Dorë tjetër që bën rolin e rregullatorit dhe fatmirësisht ne si frymorë nuk e manipulojmë dot. Maksimumi që mund të bëjmë është të kuptojmë momentin e thyerjes së kurbës dhe të mbyllim ciklin me dinjitet e të vendosim standartin e pranimit se koha jonë mbaroi.

Artikulli paraprakTurrja ndaj SPAK-ut vetëvrasja politike e Sali Berishës!
Artikulli tjetërStuhia shkatërroi serat në Berat/ Basha apel Ministrisë së Bujqësisë: Nisni menjëherë raportin e dëmeve dhe kompensoni fermerët