Ahmetaj me biznesmenin e Ramës, a po shiten postet ministrore

Kryeministri Edi Rama pritet ta shpallë të dielën kabinetin e tij qeveritar, ndërkohë që disa emra ministrash kanë dalë tashmë.
Të tillë janë Lindita Nikolla, Fatmir Xhafaj apo Ditmir Bushati, i cili do të kalojë nga Ministria e Jashtme tek ajo e Integrimit, ndërsa mbeten ende pezull disa ministri të rëndësishme, siç është ajo e Financave apo Ministria e Transporteve.
Mbajtja pezull e Ministrisë së Financave dhe paqartësia nëse do të bashkohet me ndonjë ministri tjetër apo prej saj do të dalë Drejtoria e Thesarit duke ngritur Ministrinë e Thesarit ka lënë pezull edhe vetë Arben Ahmetajn, i cili duket se e ka ndjerë rrezikun e humbjes së postit të ministrit dhe ka filluar lobimin.
Ahmetaj ka qenë me kuota të larta pas zgjedhjeve, por planet e Ramës mbi qeverinë e tij dhe disa pakënaqësi një pjesë të rëndësishme të biznesit ndaj ish-shefit të Financave ia kanë ulur atij kuotat.
Duke qenë një nuhatës i mirë i këtyre gjërave, Ahmetaj ka filluar menjëherë lobimin, duke kapur biznesmenë tepër të fuqishëm që kanë shumë ndikim tek Rama, madje duke rënë në raporte vasaliteti me ta.
Pak ditë më parë, Arben Ahmetaj ka pritur një biznesmen të fuqishëm për gati një orë, vetëm, në një prej restoranteve më të shtrenjtë të Tiranës, që ndodhet vetëm pak metra larg Kryeministrisë.
Një situatë aspak komode për një ministër të Republikës së Shqipërisë, përveç rasteve kur je në siklet tepër të madh, siç është për shembull nevoja për të lobuar pranë Ramës për të qenë sërish ministër.
Nuk mbetet gjë tjetër, veçse të presim të dielën për të parë nëse ia ka vlejtur apo jo pritja e gjatë e Ahmetajt ndaj biznesmenit të fuqishëm që ka shumë ndikim tek Rama.

Albeu

Artikulli paraprakSi po kthehet media në një vegël të propagandës së Erionit
Artikulli tjetërRriten çmimet e teksteve, prindërit: Do t’i blejmë me paratë e bukës