Ai që largoi mijëra të rinj flet për të ardhmen!

Nga Ermal Peçi

Ditën e sotme zhvilloi punimet Kuvendi Kombëtar Rinor i Partisë Socialiste, ku edhe njëherë si mjeshtër i propagandës Edi Rama zgjodhi t’ju jepte përgjigje kundërshtarëve politik, duke dhënë mesazhe politike të cilat mund të përdoren nga të besuarit e tij politikë.

I vjetëruar në politikë, i vjetëruar në argumenta dhe me një pjesë të ish-bashkëpunëtorëve në burg, Rama zgjodhi fasadën e të rinjëve për të rishpikur veten, duke theksuar se tashmë Partia Socialiste ju përket të rinjëve dhe nuk është peng i xhaketave të vjetra.

Do të ishte një lajm gjysmë i mirë për Shqipërinë në qoftë se PS do të ishte peng i xhaketave të vjetra por në fakt situata është akoma edhe më keq. Sot PS dhe qeveria janë peng i grupeve kriminale dhe ekonomike të vendit. Po e tregon këtë panoramë çdo ditë përgjimet e Sky Encro Chat dhe hetimet e SPAK që kjo qeveri nuk ka më ligjimitet moral.

Edi Rama sot foli për gjithçka por nuk foli për gjënë më të rëndësishme, e cila është ekonomia.
I rrethuar nga të rinjtë, Rama mund t’i pyeste se sa prej tyre kanë sot mundësi për të blerë një apartament në Tiranë?!

Sa i duhet një të riu të punojë që të ketë një shtëpi të vetë në Tiranë e të krijojë familje, 20 vite, 30 vite apo 40 vite me rrogat të cilat janë në Shqipëri?!

Rama mund t’ju shpjegonte sot të rinjve se si ka mundësi që në supermarket shqiptare shporta bazë është më e shtrenjtë se në Itali dhe Greqi, ku rrogat janë shumë herë më të larta se këtu dhe mirëqenia sociale ekonomike është më e lartë.

Rama mund t’ju shpjegonte të rinjve se si në këtë vend ai ka vrarë meritokracinë dhe tregun e lirë dhe ka vetëm oligopole e monopol të tregut.

Rama mund t’ju shpjegonte se si ai zëvendësoi trëndafilin e PS-së me lulen e hashashit e cila më pas ka sjellë pasoja të parikuperueshme për shtetin dhe strukturën sociale dhe ekonomike.

Mbi të gjitha Rama mund t’ju shpjegonte se si arriti të largojë mbi 1 milionë shqiptarë gjatë qeverisjes së tij dhe mbi të gjitha largoi shtresën e mesme e cila është një nga pjesët më të shëndetshme të shoqërisë.

Prandaj në këtë situatë të rinjtë e sotëm janë vetëm fasada që ai përdor për të përcjellë një imazh ndryshe e cila nuk ekziston në asnjë qelizë të asaj çfarë ndodh pas perdeve të qeverisë. Prandaj sot nuk mund të flasë për të ardhmen një kryeministër i cili largoi mbi 1 milionë shqiptarë.

Exit mobile version