Ajax siguron vendin e parë

Ajaksi i Amsterdamit siguroi vendin e parë në Grupin G të Europa League pasi në raundin e pestë të ndeshjeve fitoi 2-0 me Panathinaikos me gola të Lasse Schone e Tete. Celta Vigo dhe Sdandart Liege ndanë nga një pikë, duke lënë gjithçka të hapur për vendin e dytë, pasi kanë grumbulluar nga 6 pikë. Aspas zhbllokoi takimin që në minutën e 8-të, por në të 81-ën Laifis befasoi vendasit që jo vetëm duhet të fitojnë në ndeshjen e fundit me Panathinaikos, por edhe të shpresojnë që Ajaksi të mos mposhtet nga Stadard Liege.
Në Grupin H Shaktar Donjeck nuk njeh kundërshtarë. Skuadra ukrainase shkatërroi 4-0 Konyasporin për fitoren e 5-të në po kaq ndeshje. Autogoli i Bardakci që në minutën e 11-të i hapi rrugë suksesit të Shaktarit, që në të 36-ën kaloi në avantazh të dyfishtë me Dentinhon. Në pjesën e dytë vendasit realizuan edhe dy gola të tjerë me Eduardon dhe Bernard.
Sfida tjetër e këtij grupi, Gent–Braga u mbyll në barazim 2-2, duke lënë gjithçka të hapur për vendin e dytë në ndeshjen e fundit. Stojiljkovic kaloi në avantazh Bragën që në minutën e 14-të, por barazoi Coulibaly në të 32-ën. Hasan riktheu në epërsi ekipin portugez vetëm katër minutën më pas, por edhe kundërpërgjigjja e belgëve ishte shumë e shpejtë me Milicevic në të 40-ën. Rezultati i pjesës së parë mbeti në fuqi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.
Dominim absolut i Schalkes në Grupin I me skuadrën gjermane që mposhti pastër 2-0 Nicen me gola të Konoplyankas dhe Aogos me 11-metërsh. Sfida mes Krasnodarit dhe Salzbugut përfundoi 1-1. Golit të Dabour për Salzburgun i realizuar në fund të pjesës së parë iu përgjith Smolov në të 85-ën. Gjithsesi falë avantazhit në ndeshjet direkte dhe diferencën prej tri pikësh rusët e kanë të sigurtë vendin e dytë.
Në Grupin J zhgënjeu Fiorentina, që u mposht 2-3 nga Paok në “Artemio Franchi”. Skakov dhe Campos shënuan dy herë në portën e skuadrës vjollcë që në pjesën e parë, ndërsa në Bernsardeschi shkurtoi diferencën në 1-2 para se skuadrat të shkonin në pushimin mes pjesëve. Babacar barazoi takimin në të 50-ën, por grekët e gjetën sërish rrjetën me Rodriguez në kohën shtesë, duke befasuar publikun italian.
Në sfidën tjetër të këtij grupi, Qarabagu ku luan Ansi Agolli u mposht 3-0 nga Liberec, ku për skuadrën çeke realizuan Vuch dhe dy herë Komlichenko. Raundi i fundit i ndeshjeve do të përcaktojë dy skuadrat që do të kualifikohen në këtë grup.
Zhgënjen sërish Interi në Grupin K, me skuadrën zikaltër që u mposht 3-2 me përmbysje nga Hapoel Beer Sheva. Golat e shënuar nga Icardi dhe Brozovic në pjesën e parë dhanë përshtypjen e një fitoreje të lehtë për zikaltërit, por vendasit përmbysën shifrat në fraksionin e dytë duke shënuar tri herë me Maranhao, Newakaeme me 11-metërsh dhe Sahar në kohën shtesë.
Sparta e Pragës me fitoren 1-0 ndaj Southampton me gol të Costas mbylli llogaritë e kualifikimit në kuotën e 12 pikëve.
Southampton dhe Beer Sheva luftojnë për vendin e dytë në raundin e fundit të ndeshjeve në grupe.
Ekuilibër i plotë në Grupin L, ku humbja 2-1 e Osmanlispor në fushën e Steauas së Bukureshtit shoqëruar edhe me barazimin 1-1 të Zyrihut me Villarrealin lënë në lojë disa skenarë, pasi kryeson skuadra turke me 7 pikë, ndërsa 3 ekipet e tjera kanë nga 6 pikë.
Në ndeshjen e luajtur në kryeqytetin rumun Ndie i Osmanlisporit shënoi golin që zhbllokoi sfidën, por në pjesën e dytë Momcilovic dhe Tamas përmbysën shifrat duke i dhënë fitoren Steauas.
Në ndeshjen e Zyrihut Bruno i dha avantazhin e përkohshëm Villarrealit, pasi në pjesën e dytë barazoi Rodriguez me penallti, Burim Kukeli luajti titullar në radhët e Zyriut, teksa në minutën e 79-të u zëvendësua nga Armando Sadiku.

Artikulli paraprakShqipëria me humbjet më të mëdha të energjisë në rajon
Artikulli tjetërKlopp paralajmëron Gerrard: Jo çdo lojtar i mirë bëhet trajner