Pasi hodhi pas dëmtimin e pësuar në fillim të sezonit, Arlind Ajeti është në pritje të shansit të tij te Torino. Dhe me skuadrën që vuan, mbi të gjitha në ndeshjet jashtë fushe, ku ndëshkohet nga gabimet në fazën mbrojtëse, lojtari i kombëtares shqiptare ka shanse reale që të kthehet në protagonist.
Kjo është konfirmuar edhe nga trajneri “granada”, Sinisa Mihajloviç, që nuk u shpreh shumë i kënaqur me barazimin e arritur në fushën e Udineses. Në sfidën në Friuli, ashtu si edhe në tri ndeshje të tjera gjatë këtyre dy javëve të fundit, Ajeti ka qëndruar në stol, në pritje të një mundësie, që pritet të vijë së afërmi.
“Ajeti është mirë fizikisht, por ende nuk mund të luajë 90 minuta të plota. Ai është një lojtar ndryshe nga të tjerët, pasi po flasim për një mbrojtës tipik që markon dhe do të ketë hapësirat e tij. Kur flisja për atë që ekipi duhet të bëjë dhe vëmendjen që duhet t’i kushtojmë detajeve, e kisha fjalën pikërisht për këtë karakteristikë. Nuk mund t’i shpenzojmë të gjitha energjitë për një pjesë loje dhe pastaj të ecim në fushë. Ekipi duhet të luajë me grintën dhe zemrën që karakterizon këtë fanellë”, u shpreh Mihajloviç.
Arlind Ajeti pësoi një dëmtim muskulor në fundin e muajit gusht, ndërsa tani tifozët e Torinos, por mbi të gjitha ata të kombëtares shqiptare presin rikthimin e tij në fushë, me shpresën se 23-vjeçari do të jetë në formë optimale për ndeshjen kualifikuese të 12 nëntorit ndaj Izraelit në “Loro Boriçi”.