Ajeti kërkohet nga Lacio

Arlind Ajeti i ka dhënë lamtumirën Frosinones pas një sezoni pozitiv në aspektin personal, por që u mbyll me rënien e skuadrës nga Seria A. Paraqitjet pozitive të shqiptarit gjatë sezonit të fundit nuk kanë kaluar pa rënë në sy, sepse pak ditë më parë Torino dha sinjale interesimi, ndërsa gjatë orëve të fundit në garë ka hyrë edhe Lazio. Drejtori sportiv, Igli Tare, ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e mbrojtësit kuqezi, të cilin e ndjek me vëmendje që në kohën kur ai luante për Baselin. “Lalaziosiamonoi.it” shkruan se, Ajeti është një lojtar agresiv, por i pastër në ndërhyrje, duke mos lejuar shumë hapësira dhe fakti që ai nuk ka rinovuar me Frosinonen mund të jetë një asist i mirë për skuadrën romane.
“Ajetit iu deshën disa muaj për të gjetur formën ideale, por më pas u bë një kolonë kryesore në mbrojtjen e Frosinones, duke zhvilluar 16 ndeshje që prej muajit janar. Presidenti Stripe dëshiron ta mbajë edhe në Serinë B, por ky është një mision i pamundur”, shkruan faqja e specializuar pranë klubit të Lazios. Gjithsesi, sipas analistëve të merkatos italiane, Ajeti do ta mësojë të ardhmen vetëm pas Europianit ku bashkë me Shqipërinë e tij ka mundësinë të tregojë se është një mbrojtës i gatshëm për të bërë hapin e madh të karrierës.

Artikulli paraprakAustria vendi perfekt, uroj të mos kemi dëmtime
Artikulli tjetërShënon Berisha, por Victory eliminohet