Ajeti në zbulimet e Euro 2016

Tjetër vlerësim nga UEFA për Arlind Ajetin. Pasi e shpalli lojtarin më të mirë të ndeshjes në takimin ndaj Rumanisë, qeveria e futbollit europian e ka përfshirë mbrojtësin shqiptar si ndër zbulimet e Euro 2016. Ajeti, i cili spikati me fanellën e kombëtares kuqezi në Francë është përzgjedhur si një nga 8 futbollistët, të cilët i kanë surprizuar të gjithë me paraqitjet e tyre të shkëlqyera në Kampionatin Europian.
Falë formës së mirë që tregoi në turneun që u zhvillua në Francë, 22-vjeçari shqiptar vetëm pak ditë më parë firmosi zyrtarisht një kontratë afatgjatë me Torinon që është një skuadër e mirë në Serinë A dhe ku Ajeti pritet të tregojë realisht sesa vlen.
Arlind Ajeti është futbollisti më i ri në moshë nga 8 emrat që UEFA ka përzgjedhur si zbulimet e Euro 2016, pasi shumica e tyre janë lojtarë që i kalojnë të 28-tat dhe që Europiani u ka shërbyer vetëm për t’u rritur vlerën në merkato. Lidhur me Arlind Ajetin në faqen zyrtare të UEFA-s lexohet: Përpara startit të Euro 2016 ai u rrëzua me Frosinonen nga Seria A në Serinë B italiane, një kompeticion me shumë peripeci për mbrojtësin, i cili u detyrua ta ndiqte nga stoli ndeshjen e parë të Shqipërisë në Grupin A, atë ndaj Zvicrës.
Në takimin ndaj Francës edhe pse zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer Ajeti vuajti një dëmtim në minutat e fundit, ndërsa ishte thjesht i mrekullueshëm në fitoren historike ndaj Rumanisë, duke fituar edhe çmimin e lojtarit të ndeshjes, së fundmi është transferuar te Torino.
Me këto fjalë UEFA ka përshkruar europianin fantastik që zhvilloi Arlind Ajeti. 7 zbulimet e tjera të Euro 2016 sipas UEFA-s janë: Raphael Guerriero i Portugalisë, Robson-Kanu i Uellsit, Nolito i Spanjës, McGovern i Irlandës së Veriut, Halldorson i Islandës, Pazdan i Polonisë dhe Meunier i Belgjikës.

Artikulli paraprakWillems: Korrupsioni vazhdon të mbetet pengesë për zhvillim
Artikulli tjetërEdgar Cani qëndron te Pisa