Ajeti te Pescara në janar?!

Arlind Ajeti është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në pjesën e pasme të kofshës së djathtë dhe u rikthye në stërvitje me Torinon pas një muaji e gjysmë mungesë.
Lojtari do të jetë pjesë e skuadrës për sfidën e së hënës ndaj Palermos. Por, ndërsa pret debutimin me “Granatat” në Serinë A, emri i 23-vjeçarit vazhdon të lakohet në merkato. Konkurrenca e madhe në mbrojtjen e Torinos dhe dy dëmtimet që e kanë penguar kuqeziun në këtë start të sezonit, e kanë bërë Pescara-n të besojë se mund të sigurojë shërbimet e mbrojtësit të kombëtares shqiptare.
“Delfinët” kanë nisur të mendojnë për përforcimet e merkatos së dimrit, ku synojnë afrimet e një sulmuesi dhe një mbrojtësi. Alternativa e preferuar në repartin difensiv mbetet pikërisht Ajeti, pavarësisht dy tentativave të dështuara të mëparshme.
Pescara kërkoi ta afronte mbrojtësin shqiptar kur ai luante ende te Frosinone dhe nuk e kishte ndërprerë kontratën me klubin e mëparshëm, ndërsa tentativa e dytë dështoi në ditën e fundit të merkatos së verës, me skuadrën e rikthyer në elitën e futbollit italian që humbi garën me Torinon.
Drejtuesit e Pescara-s mbajnë kontakte të vazhdueshme me Torinon, për të vlerësuar që pas dy muajve e gjysmë mund t’i dhurojnë trajnerit Massimo Oddo një alternativë cilësore në qendër të mbrojtjes.
Aktualisht në radhët e skuadrës abruceze luajnë tre futbollistë kuqezi, mesfushori Ledian Memushaj që mban shiritin e kapitenit, sulmuesi në pronësi të Interit, Rey Manaj dhe mbrojtësi i kombëtares së 19-vjeçarëve, Leonardo Maloku.

Exit mobile version