Ajeti titullar, Strakosha në stol

Arlind Ajeti projektohet titullar për sfidën e radhës së Torinos në kampionat. Mbrojtësi shqiptar që e ndoqi nga stoli humbjen 4-1 në “Olimpico” mbetet i favorizuar që në “Artemio Franchi” të marrë ok e trajnerit Sinisa Mihajloviç. Sipas mediave pranë klubit të Torinos, 23-vjeçari shqiptar do të zbresë në fushë që nga minuta e parë pasi trajneri serb e shikon një garanci të madhe për mbrojtjen e “Demave”. Mungesa e tij në “Olimpico” të Romës peshoi shumë në ekipin piemontez që pësoi plot 4 gola dhe u dorëzua në një ndeshje pa shumë histori. Ajeti është aktivizuar titullar në kampionat në dy takime, atë ndaj Empolit dhe ndaj Pescarës ku shënoi një gol dhe një autogol.
Në rast se raportimet mediatike konfirmohen, atëherë kjo do të jetë ndeshja e tretë e Ajetit që nga minuta e parë me Torinon, skuadër ku u zhvendos gjatë merkatos së verës pas aventurës së suksesshme me fanellën e Frosinones. Ajeti do të rreshtohet në linjën katërshe të Torinos për transfertën e Firenzes dhe bashkë me të në repartin e tërhequr do të aktivizohen edhe Zapacosta, Moretti e Barreca. Por nëse Ajeti shikon shanse për t’u aktivizuar titullar, Strakosha mund të rikthehet në stol. Portieri shqiptar varet tërësisht nga forma e Federicho Marchettit, i cili mbetet zgjedhje e parë te Lazio. Numri 1 i portës bardhekaltër është rikuperuar plotësisht dhe pritet të zbresë në fushë për të mbrojtur katërkëndëshin e skuadrës rimane në sfidën kundër Udineses.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërMigjen Basha shkëlqen me Barin