Ajo që po ju ndodh berishistëve, “sipas kokës, festa”!

NGA NAMIR LAPARDHAJA

Në politikën shqiptare, paradokset janë rregull. Normaliteti, përjashtim. Sjellja e grupit të Berishës dhe ndjekësve të tij, sot të kujton shprehjen “sipas kokës, festa”.

Janë ata që dikur betoheshin se me Edi Ramën nuk do të kishte më zgjedhje, që jo vetëm morën pjesë në to, por tani bërtasin më shumë se të gjithë për manipulime.

Ata që premtonin se do t’i ngecnin “vjedhjen në fyt” Edi Ramës, u shndërruan në kor qamës për vjedhjen që nuk arritën kurrë ta ndalnin.

Ata që sot e mallkojnë sistemin zgjedhor, ishin vetë ata që bashkuan votat me Edi Ramën për ta vendosur me shpresë se do të dëmtonin të tjerët, ndërsa vetë do siguronin opozitën. Ironia është se pëlqyen rregullat e lojës derisa loja filloi. Pastaj humbën.

Ata që i mëshojnë akuzave për lidhje të Ramës me bandat, vetë kanë kandiduar njerëz me po të njëjtat rekorde – vetëm ngjyra politike ndryshonte. (Bandat tona janë të mira, bandat e Ramës janë hajdutë).

Opozita që u vetëshpall “fituese” në letër, u kthye në një realitet të hidhur humbës në terren, për shkak të miopisë së saj. Premtimet për përballje të madhe u tretën në detin e pazarit për të siguruar qëndrimin në “piacë”.

Ata që thoshin “Amerika s’na duhet”, investuan miliona për ta bindur Amerikën t’u kthente sytë – por SHBA nuk ia hodhi, as “qurret”.

Ata që akuzonin për tradhti, përfunduan duke tradhtuar vetveten, duke u shitur për një copë vulë. (Vula bën hatanë, vula bën kalanë. – Populli i urtë vulëdashës!!)

Sot, të njëjtët që dikur mbollën urrejtje, po mbyten në vrerin e vet. Janë ata që përçmuan, mashtruan, mallkuan – e që tani s’kanë asnjë justifikim. Janë thjesht të telendisur në sytë e njerëzve normal.

Sepse në politikë, si në jetë, gjithçka kthehet.

Dhe ata që vijojnë t’i ndjekin verbërisht pas, e meritojnë plotësisht këtë poshtërim. Sipas kokës, festa.

Dhe kjo kokë duhet mbushur domosdoshmërisht me diçka.

Exit mobile version