Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri duke iu referuar deklaratave të Prokurorit të Antimafias italiane sulmoi ashpër maxhorancën.
Sipas Strazimirit, në një intervistë të dhënë për mediat, prokurori italian ka deklaruar se mafia shqiptare po fuqizohet dhe ajo do të jetë mafia e së nesërmes.
Përmes një deklarate për mediat, deputeti Strazimiri përmendi edhe dosjen 339, e cila është tregues që përcakton rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri.
“Ajo që për anti-mafian italiane është “mafia e së nesërmes” në Itali e madje deri në Amerikën e Jugut, në Shqipëri është qeverisja e së sotmes!
Dosja “339” provon se ajo që quhet “mafia e së nesërmes” në Itali, sot përcakton “me influencën” e saj rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri!
Shkëmben favore dhe “zgjidh hallet” reciprokisht me Edi Ramen dhe partinë e tij, falenderohen me mirenjohje për “hallet e zgjidhura” dhe mbeshtetjen e dhënë po ashtu reciprokisht!
“Mafia e së nesërmes” sot drejton Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s!
“Mafia e së nesërmes” sot ka qeverinë dhe padrinon e saj në Shqipëri, pastron paratë drogës përmes “lehtësive” me “ligj të posaçëm”, merr konçesione “të pakërkuara” nga askush, blen banka, hap banka e mbyll banka, bën PPP me ortakëri me qeverinë e saj (jo të shqiptarëve)!
“Mafia e së nesërmes” në Itali a Amerikën e Jugut, luftohet sot në Shqipëri, në strofkullën e saj me adresat: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nr.3, ose thjesht “Edi Rama, Surrel, Tiranë”, tha Strazimiri.