Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Enti Rregullator të Energjisë të heqë nga draftmetodologjia afatin 15-vjeçar të kontratave si edhe çmimet fikse të shitjes së energjisë së rinovueshme.
Këtë rekomandim AK e ka dhënë në kuadër të miratimit të projektligjit për “Për burimet e energjisë së rinovueshme”. Çmimet fikse të shitjes së mund të sjellin kufizime të konkurrencës efektive në këtë segment tregu”, duke sugjeruar që të përcaktohen “tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes të jenë jo-diskriminuese për prodhuesit dhe përfituesit e energjisë së rinovueshme”.
Autoriteti i Konkurrencës vë në dukje se, bazuar në direktivën 2009/28/EC, nuk përcaktohen kontrata afatgjata apo tarifa fikse të shitjes si instrumente nxitëse të prodhimit të energjisë së rinovueshme.
Direktiva përcakton që shtetet anëtare të BE-së duhet të krijojnë politika nxitëse për prodhuesit e energjisë së rinovueshme, nëpërmjet sistemit të taksave, mundësive apo kapaciteteve të mjaftueshme të transmetimit me qëllim që prodhuesit të kenë kosto të ulëta prodhimi dhe shitje të larta të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme, duke mos patur diskriminime për shkak të vendndodhjes apo të sasisë së ulët të energjisë që nevojitet për një komunitet të caktuar apo disi të izoluar.
Në këndvështrim të konkurrencës nëse operatorët e tregut do të prodhojnë energji të rinovueshme dhe nuk do të konkurrojnë në treg të lirë, por do të operojnë, duke shitur nëpërmjet kontratave 15-vjeçare me çmime fikse, atëherë potencialisht konkurrenca në tregun përkatës kufizohet, pasi kontratat afatgjata dhe me çmime fikse shkaktojnë kufizim dhe pengim të konkurrencës, si rrjedhim edhe të përfituesve që në këtë rast janë konsumatorët e energjisë elektrike.
Prodhuesit e energjisë së rinovueshme dhe HEC-et me koncesion e shesin energjinë me 7.6 lekë për kilovatorë, çmimin unik ky për të gjitha HEC-et deri në 15 MW.