Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka gjobitur me 10 milionë lekë kompaninë One Albania.
Masa administrative është vendosur me propozimin e grupit të inspektimit, për shkak të shkeljeve dhe parregullsive të gjetura nga inspektimi i fundit i kryer në këtë kompani, më datë 29 gusht të këtij viti.
Arsyeja kryesore që ka çuar në ndëshkimin me gjobë të One Albania ka qenë mosrespektimi i afateve ligjore të njoftimit përpara ndërprerjes së shërbimit për abonentët me kontratë, sipas parashikimeve të nenit 109 të ligjit “Për komunikimet elektronike”.
Ligji përcakton se operatori i komunikimeve elektronike mund të ndëshkohet me gjobë nga 10 milionë lekë deri në 50 milionë lekë, nëse kufizon akesin në shërbimet e tij, ndërpret ose përfundon kontratën e pajtimtarëve në kundërshtim me përcaktimin e kontratës.
Këshilli Drejtues ka vlerësuar se dënimi me gjobë, në kufirin minimal të përcaktuar nga ligji, përbën masën adekuate dhe proporcionale për të sanksionuar shkeljen e evidentuar.
Në vendim, Këshilli Drejtues gjithashtu rithekson rëndësinë thelbësore të respektimit rigoroz të të drejtave të pajtimtarit nga sipërmarrësi i komunikimeve elektronike dhe nevojën për marrjen e të gjitha masave të nevojshme dhe të shpejta për sigurimin efektiv të këtyre të drejtave. Sipërmarrësi ONE Albania ka qenë, fillimisht, subjekt i një inspektimi të programuar, zhvilluar prej datës 6 mars 2023 deri në datën 4.5.2023, në përfundim të të cilit u konstatuan disa shkelje dhe u lanë rekomandime për korrigjimin e tyre.
Ndërkohë, në vijim të një serie problematikash të konstatuara nga AKEP, një numri të konsiderueshëm ankesash, dhe ndërprerjes së plotë të shërbimit më datë 24 gusht 2023, një procedurë e re inspektimi me objekt plotësimin e rekomandimeve nga inspektimi i mëparshëm dhe trajtimi i problematikave të evidentuara edhe nga ankesat e pajtimtarëve të ndryshëm, që lidhen me procesin e portabilitetit, tarifimit dhe cilësisë së shërbimit, kryesisht gjatë muajve Korrik – Gusht të vitit 2023.
Grupi i Inspektimit ka vendosur edhe masa administrative plotësuese. Sipërmarrësi i komunikimeve elektronike “One Albania” duhet të respektojë detyrimet ligjore dhe kontraktore lidhur me kufizimet e shërbimeve dhe njoftimin e pajtimtarit përpara zgjidhjen e kontratës; të respektojë detyrimet ligjore lidhur me publikimin e informacionit transparent, të krahasueshëm, të përshtatshëm dhe të përditësuar për çdo detyrim në përfundimin e kontratës; të respektojë detyrimet ligjore lidhur me njoftimet e pajtimtarit dhe AKEP për kufizimin ose ndalimin e aksesit në shërbimet e tyre; të analizojë dhe t’í japë zgjidhje shkaqeve teknike dhe mungesës se koordinimit të cilat kanë çuar në shkelje të afateve maksimale të lejuara për portimin e numrit; të rishikojë dhe riparojë të gjitha problemet teknike të evidentuara në arkitekturën e moduleve të sistemit B/00S me qëllim eliminimin e pikave të dështimit si dhe përmirësimin e sistemit brenda gjashtëdhjetë ditëve nga vendimi përfundimtar i inspektimit.
Sipërmarrësi “One Albania” ka marrë rekomandimin që gjatë kësaj periudhe gjashtëdhjetë ditore të kryejë kontrolle periodike të brendshme si dhe të njoftojë AKEP për rastet e refuzimeve të evidentuara dhe korrigjuara prej tyre, si edhe të dorëzojë në AKEP raportime periodike javore, duke analizuar situatën dhe progresin e arritur me qëllim zbatimin e detyrave për korrigjimin e shkeljeve të evidentuara./Monitor