Një protestë masive do të mbahet të dielën më 30 tetor rreth orës 18:00 para Piramidës kundër përpjekjeve të qeverisë për të kaluar me çdo kusht ligjin e mbetjeve. Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve u bëri thirrje dje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në këtë protestë për të kërkuar pranimin e dekretit të Presidentit Nishani, i cili ktheu ligjin për rishqyrtim në Parlament, duke e konsideruar atë antikushtetues. Përfaqësues të AKIP dhe Shoqërisë Civile kanë nisur takimet me kryetarët e grupeve Parlamentare për t’i njohur ata me qëndrimin e tyre kundër ligjit si dhe argumentat se përse ky ligj nuk duhet të miratohet. Dje, ata zhvilluan një takim me kreun e Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili. Në një prononcim për mediat, ambjentalisti Lavdosh Ferruni bëri të ditur qëndrimin e tyre gjatë takimit, ndërsa ftoi qytetarët për t’u bërë pjesë e protestës më 30 tetor. Ai përjashtoi çdo mundësi për të negociuar me qeverinë mbi amendamete të reja mbi projektligjin fillestar të propozuar nga kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Shalsi. “Ne kemi kërkuar një takim me kryetarët e grupeve parlamentare. Sot, patëm rastin me kreun e Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, natyrisht ne parashtruam qendrimin tonë të palëkundur për ndalimin e importit të mbetjeve, që do të thotë të merret në konsideratë dekretimi nga ana e Presidentit për ndalimin e importit. Ne gjithmonë kemi qenë konsekuent në këtë ligj dhe padyshim këtë shprehëm edhe sot, natyrisht paraqitëm edhe njëherë argumentet më sintetike, më të argumentuara dhe kemi besim të madh që edhe LSI si grup parlamentar do të marrë në konsideratë mendimet tona, që nuk janë vetëm mendimet tona, por janë të Shoqërisë Civile, të qytetarëve në përgjithësi dhe mendoj që të njëjtën gjë do trajtohet edhe me grupet e tjera parlamentare, në këtë mënyrë, ne kryem misionin tonë të informimit nga afër dhe të dëgjimit të kryetarëve të grupeve parlamentare dhe natyrisht, ne vendosmërinë tonë do ta shprehim në ditët në vijim, duke filluar më datën 30 tetor të këtij muaji, ku do të kemi një protestë masive para Piramidës në mbështetje të kauzës sonë tashmë 12-vjeçare”, u shpreh Ferruni për mediat. Në këtë betejë qytetarët dhe Shoqëria Civile kanë edhe mbështetjen e fuqishme të opozitës, e cila është shprehur kundër këtij ligji, duke mbështetur të drejtën e qytetarëve për Referendum.
-Çfarë iu premtoi zoti Vasili, a do ta mbështesë nismën tuaj?
Zoti Vasili tha se LSI do ta dëgjojë Shoqërinë Civile siç e kanë dëgjuar edhe herë të tjera dhe do të reagojnë në vijë politike pas diskutimeve mes tyre. Na dëgjuan me vëmendje dhe ne shpresojmë shumë, që i kanë mbajtur shënim mirë ato që ne i kërkuam.
-Burime nga mazhoranca theksojnë se 3 pika të këtij ligji mund të ndryshojnë…do t’i pranoni këto pika ndryshimi?
Gjëja kategorike që ne thamë dhe gjatë takimit me zotin Vasili është që të heqin dorë nga çdo lloj amendamenti për arsye, sepse çdo lloj amendamenti është një tradhti e re ndaj Shoqërisë Civile ndaj qytetarëve. Qytetarët kanë kërkuar që me Referendumin e vitit 2013 për ndalimin total të importit të mbetjeve. Çdo amendament është totalisht i papranueshëm për ne dhe kjo do të ishte pakënaqësia dhe revolta jonë më e madhe, nëse do të synohet të kalohet përmes ndonjë mundësie të ndonjë amendamenti.
Asnjë negociatë me qeverinë për arnimet e ligjit
PS ka përgatitur tre amendamente të reja mbi “Ligjin për importin e mbetjeve” me qëllim miratimin me çdo kusht të tij. Por, përpjekjeve të Ramës për të amenduar ligjin e mbetjeve, Aleanca Kundër Importit të Plehrave i është përgjigjur negativisht, duke përjashtuar çdo mundësi negocimi me qeverinë në lidhje me këtë çështje. Në një reagim të shkurtër për mediat, AKIP ka bërë të qartë se, nuk do të pranohet në mënyrë kategorike asnjë amendament mbi projektligjin e paraqitur nga kreu i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Eduard Shalsi. “Nuk ka asnjë negociatë me qeverinë për importin e mbetjeve. Nuk ka asnjë amendament, i cili është i pranueshëm në projektligjin e Shalsit. Ka vetëm një kërkesë të qartë dhe të vendosur: Jo importit të plehrave. Ditën e dielë, ora 18:00 do të jemi sërish në shesh te Piramida për t’ua bërë edhe më të qarte politikanëve shqiptarë se ne nuk negociojmë me shëndetin tonë”, thuhet në reagimin e AKIP.
Dekreti i Nishanit, pse ligji i mbetjeve është antikushtetues
Presidenti Nishani ka kthyer për shqyrtim në Parlament ligjin për importin e mbetjeve, ndërsa ka argumentuar se përse ky ligj është antikushtetues. Në shpjegimin e vendimit të tij, Presidenti Nishani nënvizon se, ligji “është në kundërshtim me Direktivën evropiane 2008/98/EC, sipas së cilës, duhet të zbatohet parimi i “vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë” që do të thotë se çdo shtet duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit, dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë”. Presidenti vëren se në vitin 2013, kur po kjo shumicë shfuqizoi nenet e ligjit që lejonin importin e mbetjeve, si arsyetim ishte përmendur pikërisht mosrespektimi i Direktivës europiane 2008/98/EC, duke arsyetuar në atë kohë se, sipas kësaj Direktive “çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Gjithashtu, importi i mbetjeve bie ndesh me përparësi që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar. Kjo do të thotë që me politika stimuluese fiskale, siç janë heqja e TVSH-së apo subvencionet, duhet stimuluar industria e riciklimit që të trajtojë mbetjet lokale. Lejimi i importit i bën të pamundura politika të tilla shtetërore, pasi nuk mund të subvencionohet trajtimi i mbetjeve që vijnë nga jashtë. Për më tepër, importi i mbetjeve nga jashtë ul interesin për trajtimin e mbetjeve që prodhohen brenda territorit tonë”. Sipas Kreut të Shtetit, “çuditërisht, pas tre viteve, propozuesit e ligjit mohojnë diçka të cilën e kishin pranuar më parë, duke sjellë pretekstin e përafrimit me një Direktivë tjetër që në fakt është Rregullore”. Një tjetër arsye përse presidenti Nishani vendosi të kthejë pas ligjin është se sipas tij ai “bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet se: “Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm’”. Sipas Kreut të Shtetit, “lejimi i importit të mbetjeve referuar Ligjit, duke gjeneruar një ndotje shtesë në raport me popullsinë dhe territorin e vendit mund të kompromentojë në mënyrë të pakthyeshme parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sanksionuar në Kushtetutë”. Një arsye e tretë e dhënë nga presidenti për kthimin pas të ligjit është se “proçedurat e ndjekura në miratimin e Ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve Shqiptarë, në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës referuar të drejtës së qytetarëve për t’u informuar me gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij si dhe Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”.